Papa: për të mirëpritur dashurinë e Zotit, duhet përgatitur zemra, duke i bërë vend
R.SH. - Vatikan
“Zoti na paraprin gjithmonë” me dashurinë e tij, “dashuri e vërtetë”, “që jep, para se të marrë”, e na lë të lirë t’i përgjigjemi dhuratës së tij. Duke e pranuar këtë dhuratë, këtë “dashuri të përgatitur”, duke i bërë vend, ne perceptojmë “shenja, takime, fjalë që drejtojnë” e kështu “jeta mund të lulëzojë vërtet”. Ky është mësimi që dha Leoni në audiencën e sotme të përgjithshme, 6 gusht, në sheshin para Bazilikës së Vatikanit. Ishte katekizmi i parë i kapitullit të ri të ciklit Jubilar "Jezu Krishti, Shpresa Jonë", kushtuar "misterit të mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes", "Pashkëve të Jezusit". Gjysëm rrethi i Berninit e priti me gëzim të madh Papën, në xhipin e tij të bardhë, ndërmjet besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pushtuar nga muzika e artistëve meksikanë dhe këngët e një grupi folklorik.
Dashuria lind nga një zgjedhje e vetëdijshme
Papa e nisi audiencën me një përshëndetje të ngrohtë në portugalisht, pasuar nga një reflektim kushtuar "Përgatitjes së Darkës", duke u ndaluar në meditimin mbi foljen "të përgatitësh", që "ruan një të fshehtë të çmuar të jetës së krishterë". Na kujton se dishepujt e pyesin Jezusin ku do ta mbanin ditën e parë të bukës së pambrume, kur do të ofrohej flijimi i Pashkëve. Mësuesi jep udhëzime të sakta “Shkoni në qytet e aty do t’ju presë një burrë me një brokë me ujë” - e dishepujt gjejnë gjithçka, ashtu siç duhet të jetë e një sallë të gatshme tashmë. “Sikur gjithçka të ishte përgatitur paraprakisht”, vëren Papa, duke shpjeguar atë që “zbulon” episodi i Ungjillit.
Dashuria nuk është rezultat i rastësisë, por i një zgjedhjeje të vetëdijshme. Nuk është reagim i thjeshtë, por vendim që kërkon përgatitje. Jezusi nuk i përballon mundimet nga fati, por nga besnikëria ndaj një rruge të pranuar dhe të përshkuar me liri dhe kujdes. E kjo na ngushëllon: të dimë se dhurata e jetës së tij lind nga një synim i thellë, jo nga një shtytje e papritur.
Dhurata e Zotit nuk e anulon lirinë tonë
Ajo dhomë e përgatitur tashmë për Darkën e Pashkëve dukej si simbol i dashurisë së Zotit që na paraprin - theksoi Leoni XIV - e edhe para se të kuptojmë se kemi nevojë për mirëseardhje, Zoti ka përgatitur tashmë për ne një hapësirë ku mund ta njohim veten dhe të ndihemi si miqtë e tij". Është fjala për "zemrën tonë: një 'dhomë' që mund të duket bosh, por që pret vetëm të njihet, të mbushet, të ruhet".
Pashkët, që dishepujt duhet t’i përgatisin, janë përgatitur tashmë në zemrën e Jezusit. Është Ai që ka menduar për gjithçka, ka rregulluar gjithçka, ka vendosur për gjithçka. Megjithatë, u kërkon miqve të Tij të bëjnë pjesën e tyre. Kjo na mëson diçka themelore për jetën tonë shpirtërore: hiri nuk e zhdukë lirinë tonë, por e rizgjon. Dhurata e Zotit nuk e anulon përgjegjësinë tonë, por e bën më të frytshme.
Dhurata e Jezusit
Në jetë, përgatitjet shpesh ngatërrohen me iluzione. Të dytat shpërqendrojnë, kërkojnë rezultat, ndërsa të parat udhëzojnë dhe e bëjnë të mundur një takim, thekson Papa.
Dashuria e vërtetë - na kujton Ungjilli - jepet edhe para se të shkëmbehet. Është dhuratë e parashikuar. Nuk bazohet në atë që merr, por në atë që dëshiron të ofrojë. Këtë përjetoi Jezusi me ithtarët e tij: ata ende nuk e kishin kuptuar, madje njëri ishte gati ta tradhtonte, e një tjetër, gati ta mohonte. Ndërsa ai përgatiste një darkë bashkësie për të gjithë.
Duke i bërë vend Zotit
Ajo ftesë për të përgatitur darkën na arrin edhe ne sot. Prek jetën tonë. Nuk ka të bëjë vetëm me "liturgjinë", shton Papa, por edhe me "gatishmërinë tonë për të hyrë në një gjest, që na tejkalon", siç është "çdo akt falas, çdo falje e ofruar paraprakisht, çdo përpjekje e pranuar me durim", të gjitha mënyrat "për të përgatitur një vend, ku Zoti mund të banojë".
Eukaristia kremtohet jo vetëm në altar, por edhe në jetën e përditshme, ku është e mundur të përjetohet gjithçka si ofertë e falënderim. Përgatitja për të kremtuar këtë falënderim nuk do të thotë të bësh më shumë, por të krijosh hapësirë. Do të thotë të heqësh atë që është e rëndë, të ulësh pretekstet, të ndalosh kultivimin e pritjeve irreale.
Prandaj, duhet të vlerësojmë se cilat hapësira në jetën tonë duhen riorganizuar që të jemi "gati për ta mirëpritur Zotin", siç është "përgatitja", "heqja dorë nga një pritje, ndalimi i pritjes, që tjetri të ndryshojë, hedhja e hapit të parë". Po mundesh edhe të dëgjosh më shumë, të veprosh më pak ose të mësosh" e të besosh "në atë që është rregulluar tashmë". Kur pranojmë “ftesën për të përgatitur vendin e bashkimit me Zotin dhe me njëri-tjetrin”, përfundon Papa Leoni, “zbulojmë se jemi të rrethuar nga shenja, takime dhe fjalë që na udhëheqin” drejt asaj hapësire, atij vendi, “ku kremtohet pa pushim misteri i një dashurie të pafundme, që na mbështet dhe na paraprin gjithmonë”.
Shpresa e Papës është që “gatishmëria e përditshme” të nxisë tek secili prej nesh “atë besim të qetë” me të cilin mund të “përballojmë gjithçka me zemër të lirë”.