Papa: jeta e Jezusit ?sht? thesari q? ndez shpres?n
R.SH. / Vatikan
Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan mbretëron një atmosferë festive për audiencën jubilare, ku kanë ardhur shumë besimtarë të dy Shenjtorëve të rinj Carlo Acutis e Pier Giorgio Frassati, që do të shpallen. Papa mbërrin gjysmë ore para fillimit të audiencës jubilare dhe në bordin e papamobilit përshëndet besimtarët dhe bekon fëmijët që i afrohen. Dhe pikërisht nga fëmijët nis katekizmin e tij Papa, i cili fton të marrim shembull prej tyre për të mos u mjaftuar me gjërat e arritura, por të vazhdojmë gjithmonë të gërmojmë.
Tema e katekezës së audiencës së sotme jubilare është pikërisht “Të gërmosh dhe të shpresosh”, gjatë së cilës Papa Leoni XVI thellon figurën e perandoreshës Elena, nënës së Kostandinit, dhe komenton fragmentin e Ungjillit të Mateut që tregon gjetjen e thesarit në fushë: «Ajo që Jezusi përshkruan në këtë shëmbëlltyrë nuk është më një lojë fëmijësh, megjithatë gëzimi i surprizës është i njëjtë», thekson Papa, «dhe Jezusi na thotë: kështu është Mbretëria e Zotit. Madje: kështu gjendet Mbretëria e Hyjit. Shpresa rindizet kur gërmojmë dhe thyejmë koren e realitetit, kur shkojmë nën sipërfaqe».
"Dëshiroj ta nis me një kujtim: si fëmijë, ecnim këmbadoras përdhe, gjë që na mahniste në mënyrë të veçantë. E kujtojmë atë, e ndoshta ende e vërejmë: na bën mirë ta ndjekim lojën e fëmijëve! Të gërmosh në tokë, ta thyesh koren e fortë të botës dhe të shikosh atë që fshihet përposhtë...
Këtë përshkruan Jezusi në shëmbëlltyrën e thesarit në arë (shih Mt 13,44): nuk është më lojë fëmijësh, megjithatë gëzimi i së papriturës është i njëjtë. E Zoti na thotë: kjo është Mbretëria e Hyjit. Në të vërtetë, kështu gjendet Mbretëria e Atit. Shpresa ringjallet kur gërmojmë dhe thyejmë koren e realitetit, domethënë, kur shkojmë nën sipërfaqe.
Sot dëshiroj t'ju kujtoj se, sapo patën lirinë për të jetuar publikisht si të krishterë, dishepujt e Krishtit filluan të gërmonin, veçanërisht në vendet e mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes së Tij. Tradita lindore dhe perëndimore e kujton Flavia Julia Helenën, nënën e Perandorit Kostandin, si shpirt i atyre kërkimeve. Një grua, që kërkon. Një grua, që gërmon...
Po thesari që ndez shpresën është vetë jeta e Jezusit: ne duhet t’i vihemi për gjurmë...
Sa gjëra të tjera mund të kishte bërë një perandoreshë! Çfarë vendesh fisnike mund t’i kishin pëlqyer, në vend të Jerusalemit periferik. Sa kënaqësi dhe nderime oborri do të kish pasur...!
Edhe ne, motra e vëllezër, mund të pushojmë të qetë mbi kolltukët e pushtetit tonë dhe mbi pasuritë, më të mëdha ose më të vogla, që na japin siguri. Kështu humbasim gëzimin që kishim si fëmijë, dëshirën për të gërmuar e për të shpikur, që e bën çdo ditë të re. "Shpik" - ju e dini - në latinisht do të thotë "të gjesh".
"Shpikja" e madhe e Helenës ishte zbulimi i Kryqit Shenjt. Ja thesari i fshehur, për të cilin shesim gjithçka! Kryqi i Jezusit është zbulimi më i madh i jetës, vlera që ndryshon të gjitha vlerat. Helena ishte në gjendje ta kuptonte këtë, ndoshta sepse ajo e kishte mbartur prej kohësh kryqin e saj. Nuk kishte lindur në oborr: thuhet se ishte hanxhie me origjinë të përvuajtur, me të cilën perandori i ardhshëm, Konstanci, u dashurua. U dashurua e edhe u martua me të por, për arsye pushteti, nuk ngurroi ta ndante, duke e ndarë edhe nga djali i saj Konstanci vite me radhë. Pasi Konstantini u bë perandor, ai vetë i solli nënës një mori dhimbjesh dhe zhgënjimesh... Por Helena mbeti gjithmonë vetvetja: grua në kërkim. Kishte vendosur të bëhej e krishterë, ndaj e praktikonte përherë bamirësinë, duke mos i harruar kurrë të përvuajturit, nga prehëri i të cilëve vinte.
Dinjiteti dhe besnikëria e këtillë ndaj ndërgjegjes, vëllezër dhe motra të dashura, e ndryshojnë botën edhe sot e kësaj dite: na çojnë më afër thesarit, si puna e një fshatari. Duhet përpjekje për ta kultivuar zemrën e dikujt. Është puna më e madhe. Por duke gërmuar, gjindet; duke ulur vetveten, i afrohemi gjithnjë e më shumë atij Zoti Jezus që e zbrazi veten, për t'u bërë si ne. Kryqi i Tij është nën koren e dheut tonë.
Ne mund të ecim me krenari, duke shkelur pa menduar mbi thesarin, nën këmbët tona. Megjithatë, nëse bëhemi si fëmijë, do të njohim një Mbretëri tjetër, një forcë tjetër. Zoti është gjithmonë poshtë nesh, për të na ngjitur lart e më lart...
Shpjegime dhe interpretime:
Deklarata "Zoti është gjithmonë poshtë nesh" është vizion teologjik që të kujton praninë dhe mbikëqyrjen e tij të vazhdueshme mbi jetën njerëzore, koncept që mund të interpretohet si afërsia e tij me ne dhe interesi i vazhdueshëm në jetën tonë, në vend të një pozicioni fizik poshtë nesh. Kjo ide gjendet edhe në lutje, e cila nënkupton dëgjimin dhe përgjigjen ndaj Zotit, dhe në reflektimin se Ai është shkaku përfundimtar i gjithçkaje që është dhe ekziston".