Papa n? audienc?n e p?rgjithshme: Besoni n? koh?n dhe hirin e Zotit
R. SH. – Vatikan
"Ne e kemi të vështirë të ndalojmë dhe të pushojmë. Jetojmë sikur jeta të mos ishte kurrë e mjaftueshme. Vrapojmë për të prodhuar, për të demonstruar, për të mos humbur terren", por "shpresa e krishterë nuk lind në zhurmë, por në heshtjen e një pritjeje të banuar nga dashuria". Në një botë që ndryshon shpejt dhe në të cilën jemi mësuar të kemi të gjitha përgjigjet e menjëhershme në dorë, Papa Leoni XIV na fton të zbulojmë praninë dhe dashurinë e Zotit në situatat e pritjes dhe në ngjarjet e jetës që nuk mund të kontrollohen. Ky është thelbi i katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, 17 shtator, mbajtur nga Papa Robert Prevost, në ditën e emrit, në festën e Shën Robertit Bellarmino,
Festuese, me rastin e ditës së emrit, ishte edhe pritja që iu rezervua Papës nga 30 mijë besimtarë e shtegtarë të mbledhur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për takimin e së mërkurës. Papa Leoni i përshëndeti të gjithë, me një xhiro të gjatë me papamobil, para fillimit të katekizmit. Duke vazhduar më pas ciklin e reflektimeve të katekizmit të përqendruara në temën "Jezu Krishti shpresa jonë", Papa Prevost u ndal në pasazhin e Ungjillit të Gjonit (Gjn19,41) që përshkruan ngjarjet e të Shtunës së Shenjtë të Pashkëve, kur Jezusi vendoset në varr pas kryqëzimit të tij.
Në atë moment "mungese", "të heshtjes së madhe, në të cilën qielli duket i heshtur dhe toka e palëvizshme", fshihet një "plotësi e përmbajtur", një "premtim i ruajtur në errësirë", dhe përmbushet "misteri më i thellë i fesë së krishterë". "Është një heshtje plot kuptim, si barku i një nëne që ruan fëmijën e palindur, por tashmë të gjallë", shton Ati i Shenjtë.
Në atë të shtune pezull, mësojmë se nuk duhet të nxitojmë të ringjallemi: së pari duhet të qëndrojmë në pritje, të pranojmë heshtjen, të lejojmë veten të përqafohemi nga kufiri. Ndonjëherë kërkojmë përgjigje të shpejta, zgjidhje të menjëhershme. Por Zoti punon thellë, në kohën e ngadaltë të fesë. E shtuna e varrimit bëhet kështu barku nga i cili mund të gurrojë forca e një drite të pathyeshme, ajo e Pashkëve
Të dimë të ndalemi për t'i dhënë besim Zotit
Në shoqërinë bashkëkohore në të cilën jemi gjithmonë në kërkim të objektivit të radhës për të arritur, "e Shtuna e Shenjtë e Pashkëve na fton të zbulojmë se jeta nuk varet gjithmonë nga ajo që bëjmë" dhe "na mëson se të dimë të ndalemi është një gjest besimi që duhet të mësojmë ta bëjmë", thekson Papa. Kur Jezusi është në varr, vazhdon Ati i Shenjtë Prevost, është "Fjala e gjallë e Atit" që hesht, por është "pikërisht në atë heshtje", "si errësira para agimit", që "jeta e re fillon të fermentohet". "Çdo kohë e pezulluar mund të bëhet kohë hiri, nëse ia ofrojmë Zotit".
Zoti nuk ka frikë nga koha që kalon, sepse është Zot edhe i pritjes. Kështu, edhe koha jonë "e padobishme", ajo e pushimeve, e zbrazëtirave, e momenteve të shterpta, mund të bëhet vend i ringjalljes. Çdo heshtje e pranuar mund të jetë premisa e një Fjalë të re.
Një pushim plot me praninë e Zotit
Edhe në katekizëm të audiencës së përgjithshme Papa vëren se varri "i ri" në të cilin vendoset Jezusi nuk është një "rast", por "është një prag, jo një fund", që "kujton Edenin e humbur, vendin ku Zoti dhe njeriu ishin të bashkuar". "Në fillim të krijimit Zoti kishte mbjellë një kopsht, tani edhe krijimi i ri fillon në një kopsht: me një varr të mbyllur që, së shpejti, do të hapet," sqaron Leoni XIV. Përveç kësaj shpjegon se, sipas ligjit hebraik, e shtuna ishte një ditë pushimi, dhe në fakt edhe Krishti gjithashtu pushon "jo sepse është i lodhur" ose "është dorëzuar" por sepse ka "përfunduar veprën e tij të shpëtimit" në tokë dhe "ka dashur deri në fund të fundit".
Nuk ka më asgjë për të shtuar. Ky pushim është vulë e veprës së kryer, është konfirmim se ajo që duhej bërë vërtet është çuar deri në përfundim. Është një pushim plot me praninë e fshehur të Zotit.
Një Zot që lë të lirë për të zbuluar dashurinë e tij
Leoni XIV thekson më pas se Jezusi "i varrosur në tokë" është gjithashtu "fytyra e butë e një Zoti që nuk zë të gjithë hapësirën". Në pritje të ringjalljes është prania e "Zotit që lë të bëhet, që pret, që tërhiqet për të na lënë neve lirinë. Është Zoti që beson, edhe kur gjithçka duket e përfunduar". Dhe për Papën shpresa e krishterë "nuk është bijë e euforisë" por lind pikërisht nga kjo "braktisje besimplotë". "Kur na duket se gjithçka është ndalur, se jeta është një rrugë e ndërprerë, të kujtojmë të Shtunën e Shenjtë të Pashkëve", thekson Leoni XIV, sepse aty "Zoti përgatit surprizën më të madhe".
Nëse dimë të pranojmë me mirënjohje atë që ka qenë, do të zbulojmë se, pikërisht në vogëlsinë dhe në heshtje, Zoti pëlqen të transformojë realitetin, duke bërë të reja të gjitha gjërat me besnikërinë e dashurisë së tij. Gëzimi i vërtetë lind nga pritja e banuar, nga besimi i durueshëm, nga shpresa se ajo që është jetuar në dashuri, sigurisht, do të ringjallet në jetën e përjetshme.
Papa e përmend pastaj Virgjrën Mari si model nga i cili duhet të frymëzohemi sepse "ajo e mishëron këtë pritje, këtë besim, këtë shpresë", duke i dhënë gatishmërinë e saj Zotit.