MAP

Leoni XIV: "Zoti nuk e braktis kurrë tryezën e dashurisë"

Gjatë audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi se "jemi mësuar të gjykojmë. Ndërsa Zoti i pranon vuajtjet. Kur e sheh të keqen, nuk hakmerret, trishtohet".

R.SH. / Vatikan

"Thua jam unë?": kjo është pyetja që i bëjnë dishepujt vetes, kur Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, "zbulon" se njëri prej tyre "po e tradhton". E jo për ta "dënuar", përkundrazi për të "treguar se dashuria, kur është e vërtetë, nuk mund të bëjë pa të vërtetën". Këtë pyetje mund t’ia drejtojmë vetvetes - kujtoi Leoni XIV në audiencën e sotme të përgjithshme - “për të krijuar hapësirën e së vërtetës në zemrat tona".

Audienca e zakonshme e së mërkurës, me shtegtarë e besimtarë, u mbajt në Sallën Pali VI e jo në Sheshin e Shën Pjetrit, për shkak të temperaturave të larta që ndjehen kudo sot, 13 gusht. E para se të hynte në takim me besimtarët, Papa i përshëndeti ata që qenë mbledhur jashtë, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin përvëlues:

"Mirëmëngjes të gjithëve, buenos dias, bom dia!  Shihemi pas audiencës; do të kthehemi rishtas këtu. Zoti ju bekoftë".

Papa Leoni XIV mbërriti në Sallën Nervi rreth orës 10:00 të paradites dhe u uroi mirëseardhjen të gjithëve në anglisht, spanjisht e italisht.

"Sot po e kremtojmë këtë audiencë në këto çaste të ndryshme, paksa për t'u mbrojtur nga dielli dhe nxehtësia ekstreme", shpjegoi. "Faleminderit që erdhët. E mirë se erdhët të gjithë."

Udha e shpëtimit

Duke nisur katekizmin kushtuar "Pashkëve të Jezusit", si pjesë e ciklit të Jubileut, titulluar "Jezu Krishti, shpresa jonë", Papa Leoni u përqendrua tek çastet tejet të hidhura të tradhtisë, që ndodhi gjatë Darkës së Pashkëve të Krishtit me dishepujt e tij, kur Jezusi i ftoi të gjithë të mendojnë mirë për brishtësinë e tyre, duke u kujtuar se edhe po të mos duam "mund ta plagosim vetveten”.

Por pikërisht nga "kjo vetëdije nis rruga e shëlbimit", nga ndërgjegjësimi se "mund të jemi ne ata, që e thyejmë besën në Zotin", e cila, megjithatë, mund të mblidhet, të ruhet, të përtërihet.

Në fund të fundit, kjo është shpresa: të dish që, edhe nëse mund të dështojmë, Zoti nuk dështon kurrë. Edhe nëse mund të tradhtojmë, Ai nuk pushon kurrë së na dashuri. E nëse dëshirojmë të prekemi nga kjo dashuri - e përvuajtur, e plagosur, por gjithnjë besnike - atëherë mund të rilindim vërtet. E të fillojmë të rijetojmë jo më si tradhtarë, por si bij gjithnjë të dashur.

E keqja, gjithnjë e vërtetë, nuk e ka fjalën e fundit

Papa Leoni XIV i kushtoi vëmendje të veçantë "mënyrës se si flet Jezusi": "Ai nuk e ngre zërin, nuk tregon me gisht, nuk e përmend emrin e Judës". E ndihmon    çdo njeri ta shqyrtojë ndërgjegjen. Nuk padit, për të poshtëruar. Thotë të vërtetën, sepse dëshiron të na shpëtojë. Por për t'u shpëtuar, shton Papa Leoni, duhet "ta ndjesh se je i përfshirë", "i dashur, pavarësisht nga gjithçka". E ende “se e keqja është reale, por nuk e ka fjalën e fundit" e se "vetëm ata që e njohin të vërtetën e një dashurie të thellë, mund ta pranojnë edhe plagën e tradhtisë".

Ungjilli nuk na mëson ta mohojmë të keqen, por ta njohim atë si mundësi të dhimbshme për të rilindur.

Zoti e pranon vuajtjen

Nuk duhet të na shqetësojnë fjalët e mëtejshme të Jezusit: "Mjer ai njeri që e tradhton të Birin e Njeriut! Do të ishte më mirë për atë njeri si të mos kishte lindur kurrë!". "Duhet të kuptohen saktë këto fjalë", sqaron Papa, sepse "nuk janë mallkim", por "britmë dhimbjeje".

Ne jemi mësuar të gjykojmë. Ndërsa Zoti e pranon vuajtjen. Kur sheh të keqen, nuk hakmerret, por pikëllohet.

Jezusi vazhdon të na besojë

E në të vërtetë, fjala 'mjer" në greqisht me kuptimin 'mjerim', është thirrje dhembshurie të sinqertë dhe të thellë" përballë faktit "se po ta mohojmë dashurinë që na krijoi e se duke tradhtuar, bëhemi jobesnikë ndaj vetes", në praktikë "humbasim kuptimin se kemi lindur në botë dhe e përjashtojmë veten nga shëlbimi".

Nëse i njohim kufizimet tona, nëse prekemi nga dhimbja e Krishtit, atëherë në fund të fundit mund të lindim përsëri. Feja nuk na e kursen mundësinë e mëkatit, por na ofron gjithnjë rrugëdaljen: atë të mëshirës. Jezusi nuk shkandullohet nga brishtësia jonë. E di mirë se asnjë miqësi nuk është e mbrojtur nga rreziku i tradhtisë. Por, vijon të besojë.

Kështu Krishti "nuk heq dorë nga ndarja e bukës, edhe për ata që do ta tradhtojnë" - përfundon Papa Leoni XIV - duke nënvizuar se "forca e heshtur e Zotit nuk është kurrë braktisja e tryezës së dashurisë, edhe kur ai e di se do të lihet vetëm".

13 gusht 2025, 12:11

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >