Papa: sot në treg shiten me çmim të ulët dinjiteti dhe dashuria
R.SH. – Qytet Vatikan
Një treg, punëtorë, një vresht, zotëria: në shembëlltyrën që Papa Leoni XIV u shpjegon besimtarëve në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, çdo gjë ka një kuptim të saktë. Vazhdon, kështu, cikli jubilar "Jezu Krishti Shpresa Jonë" i cili, në lidhje me jetën e Mësuesit, po propozon katekizma mbi shëmbëlltyrat e Jezusit, treguar gjatë predikimit të tij.
Dhe sot paradite, më 4 qershor, Papa Leoni XIV ndalet te "Punëtorët në vresht", pas një xhiroje të gjerë në Sheshin e Vatikanit mes 35 mijë besimtarëve, të cilët i kërkojnë bekime dhe i ofrojnë dhurata. Papa, në xhipin e tij të bardhë, nuk i shmanget kërkesave të pazakonta të shtegtarëve dhe kështu vendos duart e tij mbi kokën e disa fëmijëve, firmos një top bejsbolli dhe, për pak çaste, vë një kapele identike me të tijën, duke ia kthyer më pas atij që ia kishte dhënë.
Në Sheshin para Bazilikës së Vatikanit, Leoni XIV, duke filluar katekizmin e audiencës së përgjithshme thekson se shëmbëlltyra ungjillore e punëtorëve në vresht është "tregim që ushqen shpresën tonë", para se të analizojë situatat dhe kuptimet që fshihen aty. Shpresë ngaqë, nëse është e vërtetë që ndonjëherë nuk arrijmë "të gjejmë kuptimin për jetën tonë" dhe "ndihemi të padobishëm, të papërshtatshëm, pikërisht si punëtorët në sheshin e tregut, duke pritur që dikush t'i marrë në punë", nëse "koha kalon, jeta rrjedh dhe nuk ndihemi të njohur apo të vlerësuar", ose ndoshta "nuk kemi arritur në kohë, e të tjerët janë paraqitur para nesh, ose shqetësimet na kanë mbajtur diku tjetër", për të hapur horizonte të reja është zotëria i vreshtit, i cili del disa herë për të kërkuar ata që mund të punojnë në tokën e tij, në mëngjes, në mes të ditës dhe madje edhe në pasdite vonë.
Tregu është vendi i biznesit, ku fatkeqësisht blihet dhe shitet edhe dashuria e dinjiteti, duke u përpjekur të fitohet diçka. Dhe kur nuk ndihesh i vlerësuar, i njohur, rrezikon madje të shitesh te blerësi i parë. Zoti na kujton, përkundrazi, se jeta jonë ka vlerë, dhe dëshira e Tij është të na ndihmojë ta zbulojmë këtë.
Prandaj nuk duhet të çkurajohemi, këmbëngul Papa, i cili na nxit që "edhe në çastet e errëta të jetës, kur koha kalon pa na dhënë përgjigjet që kërkojmë", t'i kërkojmë Zotit "të na gjejë atje ku po e presim".
Një ftesë për të rinjtë
Në shëmbëlltyrë pra, zotëria i vreshtit është Zoti, i cili "del disa herë për të kërkuar ata që presin t'i japin kuptim jetës së tyre". Papa iu drejtua drejtpërdrejt të rinjve të sotëm.
Do të doja t’u thosha, veçanërisht të rinjve, të mos presin, por t'i përgjigjen me entuziazëm Zotit që na thërret të punojmë në vreshtin e Tij. Mos e shtyni çastin, punën, por përvishini mëngët, sepse Zoti është bujar dhe nuk do të zhgënjeheni! Duke punuar në vreshtin e Tij, ju do të gjeni një përgjigje për ato pyetje të thella që keni brenda jush: çfarë kuptimi ka jeta ime?
Gjithmonë ia vlen mundimi
Kërkimi i vazhdueshëm i punëtorëve, nga ana e zotërisë së vreshtit, edhe kur "nuk do të kishte më arsye për të dalë", na thotë diçka tjetër, pra se "ky zotëri i palodhur" dëshiron "me çdo kusht t'i japë vlerë jetës së secilit prej nesh", thekson Papa Leoni. Dhe nëse duket se nuk ka kuptim "të marrësh punëtorë vetëm për orën e fundit të ditës", "të shkosh të punosh vetëm për një orë", gjithçka duhet parë ndryshe.
Edhe kur na duket se mund të bëjmë pak në jetë, gjithmonë ia vlen. Gjithmonë ka mundësi të gjesh një kuptim, sepse Zoti e do jetën tonë.
Zoti e njeh dinjitetin e çdo njeriu.
Por ka një tjetër mësim të madh të fshehur në shëmbëlltyrë, që duhet parë kur zotëria paguan punëtorët: një denar punëtorëve të parë, siç ishte rënë dakord, dhe të njëjtën gjë të tjerëve. Për Zotin, është e drejtë që çdo njeri të ketë atë që është e nevojshme për të jetuar. Ai i ka thirrur punëtorët personalisht, njeh dinjitetin e tyre dhe në bazë të tij dëshiron t'i paguajë.
Jezusi nuk bën klasifikime a renditje
E pra "punëtorët e orës së parë mbeten të zhgënjyer", sepse ata që punuan më pak morën të njëjtën pagë. "Nuk arrijnë të shohin bukurinë e gjestit të zotërisë, i cili nuk ishte i padrejtë, por thjesht bujar, nuk shikoi vetëm meritën, por edhe nevojën", sqaron Papa. Zoti dëshiron t'u japë të gjithëve Mbretërinë e Tij, pra jetën e plotë, të amshuar dhe të lumtur. Dhe kështu bën Jezusi me ne: nuk bën klasifikime, atij njeriu që ia hap zemrën, ia dhuron gjithë Vetveten.
Përgjigja e Shën Agustinit
Shëmbëlltyra mund ta shtyjë të krishterin të "mendojë pse duhet të fillojë të punojë menjëherë" dhe "për më tepër " duke qenë se "shpërblimi është i njëjtë". Papa Leoni XIV atëherë kujton Shën Agustinin për të këshilluar të mos biem në këtë tundim:
"Pse atëherë vonon të ndjekësh atë që të thërret, ndërsa je i sigurt për shpërblimin, por i pasigurt për ditën? Kujdes të mos i heqësh vetes, për shkak të shtyrjes tënde, atë që ai do të të japë në bazë të premtimit të tij".
Dinjiteti njerëzor duhet mbrojtur edhe në orën e fundit
Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve francezë, Papa kujtoi, më pas, se bota "e ka të vështirë të gjejë një vlerë për jetën njerëzore, edhe në orën e saj të fundit: Shpirti i Zotit - thotë ai - ndriçoftë mendjet tona, në mënyrë që të dimë të mbrojmë dinjitetin e brendshëm të çdo njeriu".
Papa i nxiti, gjithashtu, besimtarët polakë të shikojnë shenjtorët dhe të lumturit për t'iu përgjigjur thirrjes së Zotit, "ndërmjet tyre - shton ai - është i lumi Pier Giorgio Frassati", pajtor qiellor i Takimit të të Rinjve në Fushat e Lednicës. "Mos u çkurajoni! Edhe në çastet e errëta të jetës, - thekson Papa Leoni për shtegtarët arabishtfolës - Zoti vjen gjithmonë të na takojë me dashuri dhe shpresë".
Së fundi, italianët, në atmosferën e përgatitjes për solemnitetin e Rrëshajëve, i fton "të jenë gjithmonë të bindur ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, duke kërkuar dritën dhe forcën e Tij".