Papa: nuk ka britmë që Zoti të mos e dëgjojë, t'ia çojmë dhimbjen e njeriut, që ndihet i humbur
R.SH. - Vatikan
Dhimbja, brishtësia, dëshira për t'i shpëtuar grahmave të vdekjes, për të kërkuar me zë të lartë të të shohë dikush dhe, për këtë arsye, të të çlirojnë nga një zgjedhë që të shtrëngon, për të lënë siguritë e tua e për t'u nisur përsëri, i sigurt se besimi në Zotin të shpëton dhe të bën të rilindësh. Nga historia e Bartimeut, gurrojnë shumë ide në qendër të katekizmit të Papës Leoni XIV, i cili këtë të mërkurë, 11 maj - pas një sjelljeje në Papamobil ndërmjet besimtarëve të shumtë, rreth 40 mijë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën çadrat për t'u mbrojtur nga dielli, flamujve të vendeve të ndryshme, përfshirë atë të Perusë - ndalet për reflektimin e tij mbi shërimet e kryera nga Jezusi dhe nxit të përsërisim britmën e Bartimeut, kur barra e jetës bëhet e rëndë dhe e padurueshme - kujtoi Papa – që u drejtoi besimtarëve ftesën:
Ju ftoj t’i vendosni para Zemrës së Krishtit pjesët më të dhimbshme ose më të brishta tuajat, ato vende të jetës suaj ku ndiheni të ndaluar e të bllokuar. E t'i lutemi Zotit me besim, që ta dëgjojë britmën tonë dhe të na shërojë!
Mos e humbni kurrë shpresën
Bartimeun - shpjegoi Papa gjatë katekizmit - është i verbër e lypës, e Jezusi e takon në Jeriko, ndërsa po shkonte në Jeruzalem. Është ndalesë në "botën e nëndheshme", në "qytetin nën nivelin e detit". “Në të vërtetë, Jezusi - theksoi ai - me vdekjen e tij, shkoi të merrte rishtas atë Adam, që ra aq poshtë dhe që përfaqëson secilin prej nesh”. E në vijim shpjegoi se Bartimé do të thotë «bir i Timaut», por pavarësisht marrëdhënies së tij familjare, është vetmitar e jeton në një gjendje, nga e cila nuk dëshiron të heqë dorë.
Megjithatë, ky emër mund të ketë edhe kuptimin ‘bir nderi’ ose ‘admirimi’, pikërisht e kundërta e situatës në të cilën ndodhet. E meqenëse në kulturën hebraike emri është tejet i rëndësishëm, kjo do të thotë se Bartimeu nuk është në gjendje ta jetojë atë, që quhet jetë.
Vazhdo të bërtasësh!
Lypësi, krahasuar me turmën që ndjek Jezusin, "është i palëvizshëm", ulur përgjatë rrugës duke kërkuar dikë, që të ngrihet. "Çfarë mund të bëjmë - pyet Papa - kur gjendemi në një situatë që duket se nuk ka rrugëdalje?". Bartimeu ka vetëm zërin e tij, e kështu bërtet; një britmë që, në traditën Lindore, bëhet lutje: "Zot Jezu Krisht, Bir i Perëndisë, mëshiromë mua, mëkatarin".
Nëse vërtet dëshiron vërtetë diçka, bëj çka që mundesh për ta arritur, edhe kur të tjerët të qortojnë, të poshtërojnë dhe të thonë të dorëzohesh. Nëse vërtet e dëshiron, vazhdo të bërtasësh!
Shëroju, duke braktisur siguritë e tua
Verbëria e Bartimeut nuk e pengon ta njohë Jezusin, i cili ndalet dhe e thërret "sepse nuk ka britmë që Perëndia nuk e dëgjon, edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm se i drejtohemi". Por është edhe një zgjedhje, që Bartimeu duhet ta bëjë për t'u ngritur përsëri në këmbë: të hedhë poshtë atë që është më e çmuar për të, mantelin e tij që, për një lypës, është vërtet gjithçka, "është siguria, është shtëpia, është mbrojtja, që e shpëton".
E megjithatë, shumë herë, çka na bllokon, janë pikërisht siguritë tona të dukshme, çka veshëm për të mbrojtur veten, ndërsa po na pengon të ecim. Për të shkuar te Jezusi dhe për t’u shëruar, Bartimeu duhet t'i paraqitet Atij në të gjithë ligështinë e vet. Ky është hapi themelor për çdo udhë shërimi.
Të gjesh dinjitetin
"Nuk është e thënë - theksoi Papa Leoni - se duam të shërohemi nga sëmundjet tona, ndonjëherë preferojmë të qëndrojmë si të ngrirë, që të mos ngarkohemi me përgjegjësi". Megjithatë, Bartimeu dëshiron të shohë përsëri e përgjigjet duke përdorur foljen anablepein që do të thotë edhe të të lartosh sytë.
E Bartimeu nuk dëshiron vetëm të shohë përsëri, por edhe të rifitojë dinjitetin! Për të parë lart, duhet të ngrejë kokën. Nganjëherë njerëzit bllokohen sepse jeta i ka poshtëruar, e ata dëshirojnë vetëm të gjejnë përsëri vlerën e tyre.
Zoti do të dëgjojë
Bartimeun e shpëton feja! “Jezusi na shëron, që të bëhemi të lirë", ndaj e lë të lirë lypësin të shkojë në rrugën e tij. E Marku shpjegon se ai zgjodhi të ndiqte Mësuesin, "atë, që është Rruga!".
T'i sjellim me besim para Jezusit sëmundjet tona, e edhe ato të të dashurve tanë, ta sjellim dhimbjen e atyre, që ndihen të humbur dhe pa rrugëdalje. Të qajmë edhe për ta, e jemi të sigurt se Zoti do të ndalet e do të na dëgjojë!