Leoni XIV: “para se të jemi besimtarë, duhet të jemi njerëz”
R.SH. / Vatikan
"Të ndryshosh perspektivë" dhe “t’ia hapësh zemrën shpresës": këtë duhet të mësojmë nga shëmbëlltyrat. Sepse shpesh "fiksohemi në një mënyrë të caktuar të ngurtë dhe të mbyllur duke parë gjërat" dhe ndodh që na mungon shpresa. Në vend të kësaj, "shëmbëlltyrat na ndihmojnë" ta shohim gjithçka "nga një këndvështrim tjetër".
Papa Leoni XIV nisi ta shpjegojë këtë në audiencën e tij të dytë të përgjithshme, pasi përshkoi Sheshin e Shën Pjetrit me një xhip të bardhë, për të përshëndetur shtegtarët dhe besimtarët e shumtë, që e pritën me duartrokitje, këngë dhe brohoritje gëzimi, duke valëvitur shalle, kapele dhe flamuj shumëngjyrësh. Papa Prevost ua riktheu buzëqeshjet dhe përshëndetjet, duke u ndalur herë pas here për të bekuar fëmijët.
Pastaj mbërriti në tremen e Bazilikës së Vatikanit dhe prej andej Ati i Shenjtë Leoni XIV vazhdoi serinë e katekizmave kushtuar shëmbëlltyrave ungjillore, brenda kapitullit "Jeta e Jezusit" të ciklit të Jubileut "Jezu Krishti shpresa jonë". Në takimin e sotëm me besimtarët Papa u përqendrua në shëmbëlltyrën e Samaritanit, ku shfaqen dhembshuria, kujdesi e vëmendja ndaj të tjerëve, të cilat shprehen, thekson disa herë, "përmes gjesteve konkrete".
Përballë tjetrit
Duke analizuar historinë e Ungjillit, Leoni XIV kujton dy perspektiva. E para, një burrë që merr rrugën nga Jerusalemi në Jerikon, përgjatë së cilës "sulmohet, rrihet, grabitet dhe lëshohet gjysmë i vdekur përdhe". Si mund të mos mendojmë për jetën, "udhë e vështirë dhe e mundimshme", e edhe për "përvojën, kur situatat, njerëzit, ndonjëherë edhe ata të cilëve u kemi besuar, na marrin gjithçka" dhe na lënë përdhe, gjysëm të vdekur?
Por jeta përbëhet nga takime, dhe në këto takime njihemi se kush jemi. Jemi para tjetrit, para brishtësisë dhe dobësisë së tij e mund të vendosim çfarë të bëjmë: të kujdesemi për të, a të shtihemi se nuk po ndodh asgjë?
Çështje njerëzimi
Duhet kujtuar, prandaj, se ka edhe nga ata që e hasin njeriun e lënë "në mes të rrugës". Jezusi na përshkruan "një prift dhe një levit" që kalojnë pranë e pranë. “Janë njerëz që shërbejnë në Tempullin e Jerusalemit", por qëndrimi i tyre tregon se "praktika e adhurimit nuk të çon automatikisht në dhembshuri", vëren Papa Leoni XIV.
Përpara se të jetë çështje fetare, mëshira është çështje njerëzore. E përpara se të jemi besimtarë, duhet të jemi qenie njerëzore.
Të ndalemi për të tjerët
Por shpesh jetët tona frenetike nuk na lejojnë të jemi të dhembshur, nga që besojmë se së pari duhet t'u krijojmë hapësirën e duhur shqetësimeve tona.
Është pikërisht nxitimi, tejet i pranishëm në jetën tonë, që shpesh na pengon të ndiejmë dhembshuri. Kush mendon se udhëtimi i tij vlen i pari, nuk është gati të ndalohet për tjetrin.
Gjeste konkrete
Shëmbëlltyra e rrëfyer nga Shën Luka ungjilltar tregon se dikush ndalet para atij njeriu të plagosur, në grahmat e fundit. "Është një samaritan, bir i një populli të përbuzur" - shpjegon Papa Leoni - e në vijim thekson se "feja nuk ka të bëjë fare me të"! "Ndalet thjesht sepse është një njeri para një njeriu tjetër që ka nevojë për ndihmë".
Nëse doni të ndihmoni dikënd, me të cilin nuk mund ta ruani distancën, duhet të përfshiheni, të ndoteni, ndoshta edhe të merrni ndonjë sëmundje.
E pikërisht këtë bën samaritani: “ia lidh plagët” njeriut që po vdes, “pasi ia pastron me vaj e me verë”; e merr me vete, “domethënë, e merr përsipër, sepse ti ndihmon vërtet vetëm nëse je i gatshëm ta ndjesh peshën e dhimbjes së tjetrit”- sqaron Papa - dhe pastaj gjen “një bujtinë ku shpenzon para” për të, duke premtuar “se do të kthehet dhe se ndoshta do të paguajë përsëri, sepse tjetri nuk është ndonjë paketë për t’u dorëzuar, është njeri, për të cilin duhet të kujdesemi deri në fund të fundit”.
Jezusi kujdeset për secilin prej nesh
Shëmbëlltyra ungjillore, treguar shkurt, na nxit ta “ndërpresim udhëtimin tonë” dhe të “kemi dhembshuri”, e kjo mund të ndodhë, theksoi Papa Leoni XIV, “kur të kemi kuptuar se ai njeri i plagosur përgjatë rrugës përfaqëson secilin prej nesh” e se për të Jezusi është kujdesur shumë e shumë herë.
Të vihesh për udhë
Një reflektim i mëtejshëm për të cilin fton Papa Prevost, ofrohet nga ata që e nxisin Jezusin të tregojë shëmbëlltyrën. Është një doktor në drejtësi, “një specialist i përgatitur”, që pyet “si trashëgohet jeta e amshuar”, e, duke e bërë këtë, përdor një folje që zbulon qëndrim egoist. “E kupton jetën e përjetshme si të ishte një e drejtë e pakundërshtueshme”.
Përmes kësaj shëmbëlltyre, Jezusi tregon “udhën për ta shndërruar atë pyetje, për të kaluar nga kush më do? në kush më deshi?”. “E para është pyetje e papjekur”, sqaron Papa, “që e bëjmë kur qëndrojmë në qoshe dhe presim”, “e dyta, pyetja e të rriturit që e ka kuptuar domethënien e jetës së tij” dhe është edhe ajo “që e shtyn të vihet për udhë”.