Papa: kudo jemi të humbur, Zoti vjen e na kërkon gjithmonë
R.SH. / Vatikan
Rreth 70 vetë, nga krerët e lartë dhe personeli i Poliklinikës, i Universitetit Katolik dhe Drejtorisë së Shëndetit e Higjienës së Qytetit të Vatikanit (SCV), u pritën sot paradite, për rreth 20 minuta, nga Françesku, në dhomat prapa Sallës Pali VI. Papa i falënderoi për kujdesin dhe ndihmën që i dhanë dhe i siguroi për lutjet e tij. E pastaj, edhe përshëndetjet e tij individuale.
Papa u takua me krerët dhe personelin e Gemellit dhe të Drejtorisë së Shëndetësisë e Higjienës SCV
“Sot në mëngjes, në dhomat prapa Sallës Pali VI, Papa Françesku u takua me drejtuesit dhe personelin e Fondacionit Poliklinik “A. Gemelli”, si dhe të Universitetit Katolik dhe të Drejtorisë së Shëndetit dhe Higjienës të Shtetit të Vatikanit, gjithsej rreth 70 vetë, të cilët e ndihmuan gjatë ditëve të shtrimit muajin e kaluar”. Ngjarjen e bëri të ditur Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
“Pas disa fjalëve të përshëndetjes Presidentit të Këshillit Drejtues të Fondacionit Gemelli, Daniele Franco, dhe urimeve më të mira për Pashkët e rimëkëmbjen e shëndetit të tij, Papa - vijon komunikimi i ofruar nga Selia e Shenjtë - i falenderoi të gjithë, duke siguruar lutjet e tij për secilin e duke i kërkuar edhe për vete: Faleminderit për shërbimin në spital, vazhdoni kështu, shumë mirë, përfundoi. Papa Françesku përshndeti e falënderoi më pas individualisht të pranishmit, duke nisur nga Rektorja e Universitetit, Elena Beccalli. Takimi zgjati rreth 20 minuta”., pak pas një muaji shtrimi në Poliklinikën Gemelli.
Më poshtë, teksti kushtuar shëmbëlltyrës së djalit plangprishës, marrë nga Ungjilli i Lukës. Papa thekson se “mund të shpresojmë, mbasi e dimë se Ati na pret, na sheh nga larg, na e lë gjithnjë derën hapur”, edhe kur largohemi e kur në zemrat tona kemi “krenari dhe inat”. Ky është katekizmi i pestë, në kuadër të ciklit jubilar “Jezu Krishti shpresa jonë”, titulluar “Jeta e Jezusit. Shëmbëlltyrat”.
Të dashur vëllezër e motra,
Pasi meditova për takimet e Jezusit me disa personazhe të Ungjillit, dëshiroj të përqendrohem, duke filluar me këtë katekizëm, mbi disa shëmbëlltyra. Siç e dimë, janë histori që i marrin figurat dhe situatat nga realiteti i përditshëm. E kjo është arsyeja pse ndikojnë edhe mbi jetën tonë. Na vënë në provë! E na kërkojnë të mbajmë qëndrim, duke i bërë vetes pyetjen: ku jam në këtë histori?
Po nisim me shëmbëlltyrën më të famshme, atë që të gjithë e kujtojmë ndoshta që kur ishim të vegjël: shëmbëlltyrën e babait dhe të dy djemve (Lk 15,1-3.11-32). Në të gjejmë zemrën e Ungjillit të Jezusit, domethënë mëshirën e Zotit.
Shën Luka Ungjilltar thotë se Jezusi ua tregon këtë shëmbëlltyrë farizenjve e skribëve, të cilët zunë të murmurisin sepse Krishti hante me mëkatarët. Për këtë arsye, mund të thuhet se është shëmbëlltyrë, e cila u drejtohet atyre që janë të humbur, por nuk e dinë, e gjykojnë të tjerët.
Ungjilli dëshiron të na japë një mesazh shprese, mbasi na thotë se kudo që jemi të humbur, e sido që jemi të humbur, Zoti vjen gjithmonë të na kërkojë! Ndoshta humbëm si dele, që doli nga shtegu për të kullotur, ose mbetëm prapa, për shkak të lodhjes (shih Luka 15,4-7). Ose-ose humbëm si monedhë, e cila ndoshta ka rënë në tokë dhe nuk mund të gjendet më, ose dikush e ka vendosur diku dhe nuk e mban mend se ku. Ose-ose e kemi humbur veten si dy djemtë e këtij ati: më i vogli, sepse u lodh në një lidhje, që e ndjente se ishte shumë kërkuese; por edhe më i madhi humbi, sepse nuk mjafton të rrish në shtëpi, nëse në zemër ke veç krenari dhe inat.
Dashuria është gjithmonë angazhim, gjithmonë ka diçka që duhet ta humbasim, për ta takuar tjetrin. Por djali i vogël i shëmbëlltyrës mendon vetëm për veten, siç ndodh në disa çaste të fëmijërisë a të adoleshencës. Shohim edhe shumë të rritur të tillë rreth nesh, të cilët nuk janë në gjendje ta vazhdojnë një marrëdhënie, ngaqë janë egoistë. E mashtrojnë veten, duke menduar se po e gjejnë veten e, në vend të kësaj, e humbasin, mbasi vetëm kur jetojmë për dikë, jetojmë me të vërtetë.
Ky djal i vogël, si të gjithë ne, ka uri për dashuri. Dëshiron etshëm të jetë i dashur. Por dashuria është dhuratë e çmuar, duhet trajtuar me kujdes. Ndërsa ai e shpërdoron, e shet lirë veten, nuk e respekton. E këtë e vë re vetëm në kohën e zisë së bukës, kur askush nuk kujdeset për të. Rreziku është që në ato çaste të fillojmë të lypim rrugash a të lidhemi me pronarin e parë që e hasim.
Këto janë përvoja që bëjnë të lindë brenda nesh bindja e shtrembëruar sipas së cilës mund të jemi vetëm shërbëtorë, sikur të duhej të shlyenim një mëkat a sikur në këtë botë të mos ekzistonte dashuria e vërtetë. Ndaj kur djali më i vogël prek fundin, mendon të kthehet në shtëpinë e atit të tij për të marrë nga toka vetëm ca dromca dashurie.
Vetëm kush na do vërtet, mund të na çlirojë nga ky vegim i rremë dashurie. Në marrëdhënien tonë me Zotin kemi pikërisht këtë përvojë. Piktori i madh Rembrandt, në një pikturë të famshme, e paraqet mrekullisht kthimin e djalit plangprishës. Dy hollësira të prekin veçanërisht: koka e rruar e të riut duket si e të penduarit, por edhe si kokë fëmije, sepse ky fëmijë po lind sërisht. Pastaj, edhe duart e babait: njëra mashkullore, tjetra, femërore, për të përshkruar forcën dhe dashurinë në përqafimin e faljes.
Por është edhe djali i madh, që përfaqëson ata për të cilët tregohet shëmbëlltyra: djali që ishte gjithmonë në shtëpi me të atin, por gjithnjë i larguar prej tij: pranë syrit e larg zemrës! Edhe ky mund të kishte dashur të largohej, por nga frika apo detyra mbeti aty, në këtë marrëdhënie. E kur përshtatesh pa dëshirë e fillon ta mbash zemërimin përbrenda, herët a vonë ky zemërim shpërthen. Në mënyrë paradoksale, është djali i madh që në fund rrezikon të mbetet jashtë shtëpisë, sepse nuk mund ta durojë gëzimin e të atit.
Babai e takon edhe atë. Nuk e qorton, nuk e thërret në detyrë. Thjesht dëshiron që ta ndjejë dashurinë e tij. E fton brenda dhe e lë derën hapur. Ajo derë mbetet e hapur edhe për ne. E kjo është edhe arsyeja e shpresës: ne mund të shpresojmë ngaqë e dimë se Ati na pret, na sheh nga larg dhe na e lë gjithmonë derën hapur.
Të dashur vëllezër dhe motra, ta pyesim veten ku jemi në këtë histori të mrekullueshme. E t'i kërkojmë Zotit Atë hirin që të mundemi ta rigjejmë edhe ne shtegun për t’u kthyer në shtëpi!