Papa: Jezusi i Ngjallur zbret në ferrin e sotëm të luftërave e në dhimbjen e të pafajshmëve
R.SH. / Vatikan
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi katekizmin e Papës Françesku, përgatitur për audiencën e përgjithshme, që do të mbahej sot, 2 prill, por që u anulua për shkak të pushimit të Papës në Shtëpinë e Shën Martës, pas më shumë se një muaj shtrimi në Poliklinikën Gemelli. Në vijim, teksti i katekizmit të audiencës kushtuar 'takimit të Jezusit me Zakeun', episod që Papa “e ka shumë për zemër". Është katekizmi i tretë i ciklit jubilar "Jezu Krishti shpresa jonë", me temë "Jeta e Jezusit. Takimet".
Të dashur vëllezër dhe motra,
po vijojmë soditjen e takimeve të Jezusit me disa figura nga Ungjilli. Këtë herë dëshiroj të ndalem tek figura e Zakeut: episod që e kam veçanërisht për zemër, sepse zë vend të veçantë në rrugëtimin tim shpirtëror.
Ungjilli i Lukës (19,1-10) e paraqet Zakeun si njeri i humbur në mënyrë të pandreqshme. Ndoshta edhe ne ndihemi kështu ndonjëherë: të pashpresë. Ndërsa Zakeu do të zbulojë se Jezusi Zot po e kërkonte.
Jezusi kish zbritur në Jeriko, një qytet nën nivelin e detit, që dukej si të ishte fundi i ferrit, ku Jezusi dëshironte të shkonte për të kërkuar ata që ndiheshin të humbur. E, në të vërtetë, Zoti i Ngjallur vazhdon të zbresë në ferrin e sotëm, në viset e luftës, në dhimbjen e të pafajshmëve, në zemrat e nënave që i shohin duke vdekur fëmijët e tyre, në urinë e të varfërve.
Në njëfarë kuptimi, Zakeu është i humbur; ndoshta ka bërë disa zgjedhje të këqija ose ndoshta-ndoshta jeta e ka vënë në situata, nga të cilat ai përpiqet të shpëtojë. Luka ngul këmbë në përshkrimin e karakteristikave të këtij njeriu: ai jo vetëm që është taksambledhës, pra dikush që mbledh taksa nga bashkëqytetarët e tij, për pushtuesit romakë, por është edhe kreu i taksambledhësve, si të thuash se mëkati i tij u shumëfishuar.
Më pas Luka shton se Zakeu është i pasur, duke lënë të kuptohet se u bë i pasur në kurriz të të tjerëve, duke shpërdoruar pozitën e tij. Por e gjithë kjo ka pasoja: Zakeu ndoshta ndihet i përjashtuar, i përbuzur nga të gjithë.
Kur dëgjon se Jezusi po kalonte nëpër qytet, Zakeu ndjen dëshirën për ta parë. Nuk guxon të përfytyrojë një takim, ndaj i duhet ta shikojë nga larg. Dëshirë, si dëshirat tona! Por edhe dëshirat tona ndeshen në pengesa e nuk realizohen automatikisht: Zakeu është shtatshkurtër! Është realiteti ynë. Edhe ne kemi kufizime me të cilat duhet të përballemi. E pastaj vijnë të tjerët, të cilët ndonjëherë nuk na ndihmojnë: turma e pengon Zakeun të shohë Jezusin. Ndoshta si formë hakmarrjeje.
Por kur ke një dëshirë të fortë, nuk të lëshon zemra. Do ta gjesh një zgjidhje. Me guxim, natyrisht, e pa turp. Të duhet pak nga thjeshtësia e fëmijëve dhe të mos shqetësohesh shumë për figurën tënde. Zakeu, ashtu si fëmijët, ngjitet në një pemë. Duhet të ketë qenë një pikë e mirë vëzhgimi, veçanërisht për të parë pa u parë, duke u fshehur pas gjetheve.
Por me Zotin ndodh gjithmonë e papritura: Jezusi, kur arrin afër, shikon lart. Zakeu ndihet i ekspozuar dhe me siguri pret një qortim publik. Njerëzit mund të shpresonin për këtë, por do të zhgënjeheshin: Jezusi i kërkon Zakeut të zbresë menjëherë, gati i habitur kur e shikon në pemë, e i thotë: "Sot duhet të ndalohem në shtëpinë tënde!" (Lk 19,6). Zoti nuk mund të kalojë pa kërkuar kë ka humbur.
Luka ungjilltar vë në dukje gëzimin që zjen në zemrën e Zakeut. Është gëzimi i atij, që ndjen se po e sodisin, po e njohin dhe, mbi të gjitha, po e falin! Vështrimi i Jezusit nuk është vështrim qortimi, por mëshire. Është ajo mëshirë që ne ndonjëherë përpiqemi ta pranojmë, veçanërisht kur Zoti i fal ata që ne mendojmë se nuk meritojnë falje. Atëhere nisim e murmurojmë, sepse dëshirojmë t'i vëmë kufij edhe dashurisë së Hyjit.
Në skenën në shtëpi, Zakeu, pasi dëgjon fjalët e faljes së Jezusit, ngrihet në këmbë, si të ringjallej nga vdekja. E ngrihet për të marrë një angazhim: ta kthejë katërfishin e asaj që ka vjedhur. Nuk është çmim për t'u paguar, sepse ndjesa e Zotit është falas, por është dëshira për ta imituar Atë, që na deshi. Zakeu merr përsipër një zotim që nuk i kërkohej, por e bën mbasi e kupton se kështu di të dojë. Dhe këtë e bën duke bërë bashkë ligjishmërinë romake në lidhje me vjedhjen dhe legjislacionin rabinik në lidhje me pendimin. Zakeu atëherë nuk është vetëm njeri që ka dëshirë, është edhe dikush që di të bëjë hapa konkrete. Qëllimi i tij nuk është i përgjithshëm apo abstrakt, por nis nga historia e tij: e shikoi jetën e tij dhe e gjeti pikën nga e cila do ta fillonte ndryshimin.
Të dashur vëllezër dhe motra, të mësojmë nga Zakeu që të mos e humbim shpresën, edhe kur ndihemi të mënjanuar ose të paaftë për të ndryshuar. Le të kultivojmë dëshirën tonë për ta parë Jezusin dhe, mbi të gjitha, të bëjmë çmos të na gjejë mëshira e Zotit, që vjen gjithmonë të na kërkojë, në çfarëdo situate që të kemi humbur.