Papa: dashuria e Zotit është falas, kur ua jep të tjerëve, çliron zemrën
R.SH. - Vatikan
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi katekizmin e Papës Françesku, të përgatitur për audiencën e përgjithshme, që duhet të mbahej sot, më 9 prill, por që u anulua për shkak të rikuperimit të Papës në Shtëpinë e Shën Martës, pas më shumë se një muaj shtrimi në Poliklinikën Gemelli. Më poshtë është teksti kushtuar takimit të Jezusit me pasanikun, i cili pyet se çfarë duhet të bëjë për të trashëguar jetën e pasosur. Papa thekson se "dashuria e Jezusit është e lirë: pikërisht e kundërta e logjikës së meritës". Ky është katekizmi i katërt i ciklit jubilar "Jezu Krishti shpresa jonë", me temë "Jeta e Jezusit. Takimet".
Të dashur vëllezër dhe motra,
Sot po përqendrohemi tek një takim tjetër i Jezusit, sipas rrëfimit të Ungjijve. E këtë herë njeriu që do të takojmë, nuk ka emër. Marku Ungjilltar na e paraqet thjeshtë si “njëfarë”, pra, një njeri i cili që në mituri i ka ndjekur urdhërimet e Tënzot, por që pavarësisht kësaj, nuk e ka gjetur ende kuptimin e jetës. E vijon ta kërkojë! Në të vërtetë, përtej gjërave që bëjmë, flijimeve apo sukseseve, rëndësi të vërtetë për të qenë të lumtur ka vetëm ajo që ndryjmë në zemër. Nëse një anije duhet të niset dhe të largohet nga porti për të lundruar në det, mund të jetë anije e mrekullueshme, me një ekuipazh të shkëlqyer, por nëse nuk i ngre spirancat, që e mbajnë në vend, nuk do ta nisë kurrë shtegtimin valë mbi valë. Ky njeri ndërtoi një anije luksoze, por mbeti në port!
Ndërsa Jezusi ecën përgjatë rrugës, “njëfarë” burri vrapon për ta takuar, gjunjëzohet para tij dhe e pyet: "Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e pasosur?". T’i vërejmë mirë foljet: "çfarë duhet të bëj që të kem jetën e pasosur". Mbasi respektimi i Ligjit nuk i dha lumturi, e as siguri për të shpëtuar, i drejtohet mjeshtrit Jezus. Çka të bie në sy, është se ky njeri nuk e njeh fjalën “falas”. Gjithçka duket se është e detyrueshme. Jeta e pasosur për të është trashëgimi, diçka që fitohet me të drejtë, nëpërmjet respektimit të përpiktë të angazhimeve. Por në një jetë të jetuar kështu, qoftë edhe për qëllime të mira, çfarë hapësire mund të ketë dashuria?
Si gjithmonë, Jezusi shkon përtej dukjes. Ndërsa nga njëra anë, ky burrë e vë jetëshkrimin tij të shkëlqyer përpara Jezusit, Jezusi shkon më tej, shikon brenda. Folja që përdor Marku është shumë domethënëse: "duke parë brenda tij".
Pikërisht pse Jezusi shikon brenda secilit prej nesh, na do ashtu siç jemi në të vërtetë. Çfarë pa në të vërtetë brenda këtij njeriu? Çfarë sheh Jezusi kur shikon brenda nesh dhe na do, pavarësisht nga shpërqendrimet tona dhe mëkatet tona? Sheh brishtësinë tonë, por edhe dëshirën për t'u dashur kështu siç jemi.
Duke parë në shpirt - thotë Ungjilli - "e deshi". Jezusi e donte këtë njeri edhe para se ta ftonte ta ndiqte. E donte ashtu siç ishte. Dashuria e Jezusit është falas: pikërisht e kundërta e logjikës së meritës që e mundonte këtë njeri.
Jemi vërtet të lumtur kur e kuptojmë se jemi të dashur kështu, lirisht, nga hiri. E kjo është gjithashtu e vërtetë në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin: për sa kohë që përpiqemi ta blejmë dashurinë ose të lutemi për dashuri, këto marrëdhënie nuk do të na bëjnë kurrë të ndjehemi të lum.
Propozimi që Jezusi i bën këtij njeriu është të ndryshojë mënyrën e tij të të jetuarit dhe të marrëdhënieve me Zotin. Jezusi e pranon se brenda tij, si në të gjithë ne, diçka mungon! Është dëshira që kemi në zemrat tona për t'u dashur. Plagë që e kemi si qenie njerëzore! Plagë, nëpër të cilën mund të kalojë dashuria.
Për ta mbushur këtë zbrazësi, nuk duhet të "blejmë" njohje, dashuri, nderim; në vend të tyre, duhet të “shesim” gjithçka që na rëndon, për ta bërë zemrën tonë më të lirë. Nuk duhet të vazhdojmë t’i marrim për vete, por t'ua japim të varfërve, t’ua vëmë në dispozicion, t'i ndajmë.
Më në fund, Jezusi e fton këtë njeri të mos rrijë i vetëm. E fton të ndjekë, të jetë në një lidhje, të jetojë një marrëdhënie. Vetëm kështu do të jetë e mundur të dalë nga anonimati. Emrin tonë mund ta dëgjojmë vetëm brenda një marrëdhënieje, në të cilën dikush na thërret. Nëse mbetemi vetëm, nuk do ta dëgjojmë kurrë emrin tonë dhe do të vazhdojmë të mbetemi "të tillë", anonimë. Ndoshta sot, pikërisht për shkak se jetojmë në kulturën e vetë-mjaftueshmërisë dhe individualizmit, ndjehemi edhe më të pakënaqur, sepse nuk dëgjojmë më emrin tonë të shqiptohet nga dikush që na do pa asnjë interes!
Ky njeri nuk e pranon ftesën e Jezusit e mbetet vetëm, sepse barrët e jetës e mbajnë prapa, në port. Trishtimi është shenjë që tregon se nuk mund të largohet. Ndonjëherë mendojmë se barrët janë pasuri, por në vend të saj janë vetëm pesha që na mbajnë gjithnjë prapa. Po ne shpresojmë se ky njeri, si secili prej nesh, herët a vonë do të ndryshojë dhe do të vendosë të lundrojë.
Motra e vëllezër, t'ia besojmë Zemrës së Krishtit të gjithë njerëzit e trishtuar dhe të pavendosur, që ta ndjejnë vështrimin plot dashuri të Zotit, i cili preket e shikon butësisht brenda nesh. Më në fund Jezusi e fton këtë njeri të mos rrijë vetëm. E fton ta ndjekë, të jetë në lidhje me dikënd, të jetojë një marrëdhënie. Vetëm kështu do të jetë e mundur të dilet nga anonimiteti. Mund ta zbulojmë emrin tonë vetëm brenda një marrëdhënieje, në të cilën dikush na thërret. Nëse mbetemi vetëm, nuk do ta dëgjojmë kurrë emrin tonë dhe do të vazhdojmë të mbetemi “të tillë”, anonimë. Ndoshta sot, pikërisht për shkak se jetojmë në kulturën e vetë-mjaftueshmërisë dhe individualizmit, zbulojmë më shumë.
Ky burrë nuk e pranon ftesën e Jezusit dhe mbetet vetëm, sepse barrët e jetës e mbajnë prapa në port. Trishtimi është shenjë se ai nuk mund të largohet. Ndonjëherë ne mendojmë se janë pasuri, por në vend të saj janë vetëm pesha që na mbajnë prapa. Shpresojmë se ky njeri, si secili prej nesh, herët a vonë do të ndryshojë dhe do të vendosë të lundrojë.
Motra e vëllezër, t’ia besojmë Zemrës së Krishtit të gjithë njerëzit e trishtuar e të pavendosur, që të mund ta ndjejnë shikimin e dashurisë së Zotit, i cili të prek thellë kur ndjejmë gjithë atë butësi brenda nesh!