Papa: n? ?astet e zhg?njimit, besimi n? Krishtin na b?n t? rilindim
R.SH. / Vatikan
"Një sëmundje shumë e përhapur në kohën tonë, është lodhja e të jetuarit: realiteti duket shumë i ndërlikuar, i rëndë, i vështirë", por jeta "duhet të përballuar e, së bashku me Jezusin, mund ta bëjmë mirë këtë". Ishte inkurajim për të pasur besim në fuqinë e Krishtit, katekizmi i Papës Leoni XIV, mbajtur sot, më 25 qershor, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, e gjashta audiencë e përgjithshme e papnisë së tij. Duke vazhduar ciklin mbi shërimet e Jezusit si shenjë shprese, Papa Prevost vëren se sa shpesh përballë vështirësive të jetës “këputemi, biem në gjumë, me ëndrrën se kur të zgjohemi, gjërat do të jenë ndryshe” e “ndonjëherë ndihemi edhe të bllokuar nga gjykimi i atyre, që pretendojnë t’u vënë etiketa të tjerëve”.
Në vijim të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme Papa Leoni XIV u përqendrua në dy episode nga Ungjilli i Markut për të treguar se si, duke hyrë në marrëdhënie me Jezusin dhe duke e njohur thellësisht, mund të sigurosh “një forcë” që shëron plagët më të thella, ndryshon situatat më të vështira e, madje, zgjon edhe shpirtrat e vdekur.
Veprimet e një ati e të një gruaje të sëmurë
Në Ungjillin e Markut ndërthuren “dy histori”: “ajo e një vajze dymbëdhjetëvjeçare, e sëmurë në shtrat, gjysmë e vdekur; dhe ajo e një gruaje që ka humbje gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh” - shpjegon Leoni XIV. Si babai i kësaj vajze të re, ashtu edhe gruaja e sëmurë, punojnë e edhe lëvizin në kërkim të një zgjidhjeje për vuajtjen e tyre. I pari “nuk rri në shtëpi për t’u ankuar për sëmundjen e vajzës, por del e kërkon ndihmë”, as nuk e përdor pozitën e tij si kryetar i sinagogës, për të kaluar para të tjerëve. “Nuk e humb durimin, e pret”, vazhdoi Papa. Nga ana tjetër, gruaja me hemorragji, “me shumë guxim”, kërkon ta ndryshojë jetën e saj, edhe pse “të gjithë e këshillojnë vazhdimisht të rrijë larg të tjerëve e të mos shihet”. Madje “e kishin dënuar të fshihej dhe të mbyllej në një jetë vetmitare”.
Ndonjëherë edhe ne mund të jemi viktima të gjykimit të të tjerëve, të cilët pretendojnë të na veshin një petk, që nuk është yni. E pastaj ndihemi keq e nuk mund të lirohemi prej tij”.
Gruaja dhe akti i fesë së saj
Kështu, pra, ndodh nganjëherë! Por të dy këta personazhe mbështeten te feja e tyre në Jezusin. Babai, kur “vijnë t’i thonë se vajza e tij ka vdekur dhe është e kotë ta shqetësojë Mësuesin Jezus”, vazhdon “të ketë fe dhe shpresë”, pohoi Papa. Gruaja “merr rrugën e shpëtimit, kur në të mbin besimi se Jezusi mund ta shërojë”.
Në vijim Papa Leoni XIV i bën vetes pyetjen: “Sa veta në turmë e prekën Krishtin, por vetëm ajo u shërua, në çastin që preku petkun e tij? Ku është ndryshimi?". E edhe përgjigjet, duke shpjeguar se "çdo herë që bëjmë një akt feje drejtuar Jezusit, vendoset një kontakt me Të dhe prej Tij del menjëherë hiri". Ndonjëherë "nuk e kuptojmë", por Papa ngulmon se "në një mënyrë të fshehtë dhe të vërtetë, hiri i Zotit arrin edhe nga brenda dhe na e transformon ngadalë jetën".
Ndoshta edhe sot shumë njerëz i afrohen Jezusit në një mënyrë sipërfaqësore, pa besuar vërtet në fuqinë e tij. Shkelim në sipërfaqen e Kishave tona, por ndoshta zemrat tona janë diku tjetër! Kjo grua, e heshtur dhe anonime e mposht frikën, duke prekur zemrën e Jezusit me duart, që besohet se janë të papastra për shkak të sëmundjes së saj. E sakaq ajo ndihet e shëruar, ndërsa Jezusi i thotë: "Bijë, feja jote të shpëtoi. Shko në paqe".
Ka rëndësi të jesh pranë të rinjve
Papa Leoni XIV kujtoi, në vijim, fjalët që Jezusi i thotë atit të vajzës së sëmurë, domethënë "mos ki frikë" dhe “ki besim”, kur mëson se vajza e tij ka vdekur. Krishti, më pas, hyn në dhomën e saj dhe i thotë: “Talitha kum", që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!'”. Jezu Krishti të shëron nga çdo sëmundje, por edhe të zgjon nga vdekja - vëren Papa Prevost - Për Zotin, që është Jeta e amshuar, vdekja e trupit i ngjet gjumit. Në vend të saj Jezusi paralajmëron “vdekjen e vërtetë”, domethënë “atë të shpirtit: nga kjo duhet të kemi frikë!”. Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi edhe sesi Jezusi u thotë prindërve ta ushqejnë vajzën e vogël, pasi e ringjalli, “shenjë tjetër shumë konkrete e afërsisë së Jezusit me natyrën tonë njerëzore”, por edhe pikëpyetje më e thellë sesi të flasim me të rinjtë e sotëm, shpesh të parët që ndihen të humbur ose të shkurajuar nga jeta.
Kur fëmijët tanë janë në krizë dhe kanë nevojë për ushqim shpirtëror, a dimë si t’ua japim? E si mund ta bëjmë këtë, nëse vetë nuk ushqehemi nga Ungjilli? Të dashur vëllezër e motra, në jetë ka çaste gëzimi e zhgënjimi, e është edhe përvoja e vdekjes. Të mësojmë nga ajo grua, nga ai atë: e të shkojmë te Jezusi: Ai mund të na shërojë, mund të na rilindë!