杏MAP导航

K?rko

2025.06.14 Audienca Jubilare 2025.06.14 Audienca Jubilare

Papa: Jezusi nuk ?sht? mur, por der? q? bashkon

Leoni XIV rifillon audiencat jubilare kushtuar "d?shmitar?ve t? shpres?s", t? d?shiruara nga Papa Fran?esku. Prevost kujton se Ungjilli vjen "nga jasht?" dhe thekson se si komunitetet e migrant?ve kontribuojn? n? ringjalljen e fes? n? vendet q? i mir?presin. Nj? paralajm?rim edhe p?r gjuh?n: "Idet? mund t? ?menden dhe fjal?t mund t? vrasin". S? fundi, ftesa: "T? nd?rtojm? ura aty ku ka mure".

R.SH. – Vatikan

Derë e hapur "që na bashkon": ky është Jezusi. Sepse "të shpresosh do të thotë të lidhesh", përtej "ideologjive" të ndara nga realiteti dhe fajtore, ndonjëherë, për "çmenduri". "Të dallosh është e dobishme, por kurrë të ndash", "të kthehemi, prandaj, në ndërtimin e urave, aty ku sot ka mure!". Kjo është thirrja e vazhdueshme për unitet që bën Papa Leoni XIV. Rasti është rifillimi, sot paradite, 14 qershor, në Bazilikën e Shën Pjetrit (dhe jo në shesh për shkak të nxehtësisë së fortë në Romë) i audiencave Jubilare të nisura nga Papa Françesku në janar. Në gjurmët e paraardhësit të tij, Leoni XIV prek në katekizëm një aspekt të veçantë të virtytit teologjik të shpresës dhe kujton një figurë shpirtërore, dëshmitare të saj.

Prandaj, le të vazhdojmë udhëtimin që e nisëm, si shtegtarë të shpresës!

Dëshmia e jetuar në konkretësi

Papa hyri në Bazilikën e Vatikanit duke përshëndetur e duke bekuar besimtarët - gjithsej rreth 6 mijë - të vendosur në anët e navatës qendrore. E nisi fjalimin duke vënë në dukje se shpresa, që i mbledh besimtarët në Shën Pjetër, është po ajo "që u transmetua nga Apostujt që nga fillimi". Dëshmia e tyre për bashkimin e Jezusit ndërmjet tokës dhe qiellit është konkrete: e parë, e dëgjuar, e prekur me dorë. Jubileu përfaqëson një "portë të hapur" për këtë "mister", i cili lidh thellësisht "botën e Zotit – me botën tonë".

Na fton ta marrim seriozisht çka lutemi çdo ditë: "Si në qiell, ashtu në tokë”. Kjo është shpresa jonë. Ky është aspekti që do të donim ta thellonim sot: të shpresosh do të thotë të lidhesh.

"Ungjilli vjen nga jashtë"

Figura shpirtërore e zgjedhur nga Papa është "një nga teologët më të mëdhenj të krishterë", Ipeshkvi Ireneu i Lionit. I lindur në Azinë e Vogël,  u edukua në shkollën e atyre që kishin mësuar drejtpërdrejt nga Apostujt. Më vonë shkoi në Lion, "ku ishte formuar një bashkësi të krishterësh nga vendi i tij".

Na bën mirë ta kujtojmë këtu, në Romë, në Evropë! Ungjilli u soll në këtë kontinent nga jashtë. E edhe sot, bashkësitë migrante janë prani që ringjall besimin në vendet mirëpritëse. Ungjilli vjen nga jashtë. Ireneu lidh Lindjen dhe Perëndimin. Kjo është tashmë shenjë shprese, sepse na kujton se si popujt vazhdojnë të pasurojnë njëri-tjetrin

"Idetë mund të çmenden"

Pastaj kemi një dhuratë, një "thesar" edhe më të madh sjellë si pajë nga Ireneu: guximin për të mos e lejuar veten të mposhtet nga "ndarjet doktrinore" brenda bashkësisë së krishterë, as nga "persekutimet" e saj të jashtme. Në një botë “të copëtuar”, ky kërcënim i dyfishtë ishte nxitje “për të menduar më mirë, duke i kushtuar vëmendje gjithnjë e më të thellë Jezusit”, kujton Papa Leoni. Mesazhi i ipeshkvit të Lionit përqendrohet te “Korpi” i Krishtit, duke njohur në Vetjen e tij “atë që na duket si e kundërta e që rikompozohet në unitet”.

Jezusi nuk është mur që ndan, por derë që na bashkon. Ne duhet të rrimë në të dhe të dallojmë realitetin nga ideologjitë. Të dashur vëllezër dhe motra, edhe sot idetë mund të çmenden e fjalët mund të vrasin!

Dashuria është “shkruar në korpin tonë”

“Mishi”, korpi, është tipar i përbashkët për të gjithë, në lidhje si me tokën, ashtu edhe me të afërmin tonë. Korpi i Krishtit - ripohoi Leoni XIV - duhet të “mirëpritet e të kundrohet”, duke dëgjuar “britmën” e të afërmit tonë, kur rënkon nga dhimbja, duke e thirrur secilin “me emër”.

Urdhëri që e morëm nga fillimi, është ai i dashurisë së anasjelltë. U shkrua në korpin tonë, para çdo ligji.

Inteligjenca lidh

Mesazhi themelor i Ireneut, “mjeshtër i unitetit”, na mëson “të mos kundërshtojmë, por të lidhim”.

Nuk ka inteligjencë, ku ka ndarje, por aty ku ka lidhje. Të dallosh është e dobishme, por të ndash, kurrë! Jezusi është jeta e pasosur ndërmjet nesh: Ai mbledh të kundërtat dhe e bën të mundur bashkimin.

“Të rikthehemi në ndërtimin e urave”

Si shtegtarë të shpresës, ftesa e fundit është, për secilin, “të lëvizë drejt bashkimit”. “Të tjerët do të na ndjekin”, përfundoi Papa.

Ashtu si Ireneu në Lion në shekullin e dytë, kështu në secilin prej qyteteve tona të kthehemi te ndërtimi i urave, aty ku sot ka mure. T’i hapim portat, t’i lidhim botët dhe do të ketë shpresë.

Zoja e Shpresës

Para se të largohej nga Bazilika e Vatikanit, Papa Leoni XIV bekoi një kopje të figures të Zojës sonë të Shpresës, e cila ndodhet në shenjtëroren e qytetit të Mariglianos, në dioqezën e Nolës. Ikona u soll nga një grup besimtarësh dhe famullitari i shenjtërores, të cilët po bëjnë një shtegtim në Vitin e Shenjtë, pasi është Shenjtërore e Jubileut.

14 qershor 2025, 11:06

Audiencat e fundit

Lexo gjith?ka >