Papa: rikujtoj me g?zim popullin fisnik dhe t? men?ur mongol
R.SH. - Vatikan
"Mendoj me gëzim për Kishën vendase dhe për popullin mongol: popull fisnik dhe i mençur, që më priti e më përcolli me shumë përzemërsi e dashuri". Këto janë fjalët me të cilat Papa Françesku e nisi katekizmin e kësaj të mërkureje kushtuar shtegtimit apostolik në Mongoli, nga 31 gushti deri më 4 shtator.
Zoti nuk kërkon qendrën e skenës, por zemrën e thjeshtë të atyre që e dëshirojnë dhe e duan pa u dukur, pa kërkuar të ngrihen mbi të tjerët. E unë mendoj me gëzim për Kishën vendase dhe për popullin Mongol: popull fisnik dhe i mençur, që më priti me shumë përzemërsi dhe dashuri. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, përqendruar e tëra tek shtegtimi i tij i fundit apostolik, në Vendin aziatik. Edhe sot, si zakonisht, pas kthimit nga shtegtimet apostolike, kujtoi etapat më domethënëse të vendit të fundit që vizitoi, pikërisht Mongolisë. Duke përshkruar bashkësinë katolike vendase, nënvizoi në veçanti aftësinë për të zgjedhur të mirën, kudo që gjendet!
Mongolët, popull i mençur e fisnik
Në vijim Papa. duke cituar një fragment nga Shkrimi Shenjt, pikturoi me pak penelata tiparet e popullit mongol, pranë të cilit e ndjeu veten si në shtëpi të vet:
"Zoti iu përgjigj Samuelit: ‘Mos shiko fytyrën, as shtatgjatësinë! E përjashtova, sepse nuk vlen çka shikon njeriu: njeriu shikon dukjen, kurse Zoti, zemrën (1 Sam 16:6-7)".
Zoti kërkon zemër të thjeshtë
Duke përshkruar çastet më domethënëse, por mbi të gjitha ndjesitë e përjetuara dhe reflektimet e ngjallura nga realiteti që takoi, Papa shpjegoi arsyen pse zgjodhi një vend kaq të largët, për të takuar një "grigjë" kaq të vogël. Pikërisht aty - nënvizoi - mund të gjesh "shenjat e pranisë së Zotit". Sepse Zoti nuk shikon dukjen, por thjeshtësinë e zemrës së atyre që dinë ta duan pa potere:
“E pata hirin të takoj në Mongoli një Kishë të përvuajtur e të lumtur, që është në zemrën e Zotit, e mund t'ju dëshmoj edhe gëzimin e tyre, pse qenë edhe në qendër të vëmendjes së Kishës për disa ditë”.
Një bashkësi e re vërtet katolike, pra universale
Françesku, në vijim, kujtoi se kjo Kishë lindi vetëm 30 vjet më parë falë zellit apostolik të disa misionarëve nga kombe të ndryshme, në gjendje për t'i dhënë jetë "një bashkësie vërtet katolike", domethënë "universale". Për të shpjeguar më pas se Kisha nuk është një tërësi, që i bën të gjithë të barabartë. Kisha inkulturohet, mishërohet, duke bërë të veten "të mirën ku jeton dhe duke u shërbyer njerëzve, me të cilët jeton". Më pas nënvizoi se shenja e tij dalluese është "shërbimi i Zotit dhe i vëllezërve". Kisha në Mongoli - vijoi - lindi "në vazhdën e bamirësisë, dëshmia më e mirë e fesë". Për të kujtuar, më pas, se gjatë vizitës së saj mundi të bekojë dhe të përurojë veprën bamirëse"Shtëpia e Mëshirës”:
“Një shtëpi që është biletë vizite e atyre të krishterëve, por që u kujton secilës nga bashkësitë tona se duhet të jetë shtëpi e mëshirës: vend i hapur dhe mikpritës, ku mjerimet e secilit mund të hyjnë pa turp në kontakt me mëshirën e Zotit që ringre dhe rishëron. Kjo është dëshmia e Kishës mongole, me misionarë nga vende të ndryshme që ndjehen një gjë e vetme me popullin, të cilit i shërbejnë, të gëzuar që shërbejnë dhe zbulojnë bukuritë lulëzuese në këto vise”.
Njihini bukuritë e një populli
Në vijim, duke folur për bukuritë e këtij populli, Papa pohoi se në Mongoli vlerësoi kryesisht kërkimin e fesë nga shumë njerëz, të cilët i njohu gjatë takimit ndërfetar dhe ekumenik, posaçërisht nga besimtarët e budizmit, njërëz që, kujtoi, "e jetojnë fenë e tyre në heshtje, me sinqeritet, rrënjësisht, përmes altruizmit dhe luftës kundër pasioneve:
“Të mendojmë sa farë mirësie, fare pa zhurmë, mbjellin në kopshtin e botës, ndërsa zakonisht dëgjojmë të flitet vetëm për pemët që bien! Është vendimtare të dish ta dallosh e ta njohësh të mirën. Megjithatë, shpesh i vlerësojmë të tjerët vetëm me atë masë, që përkon me idetë tona. Ndërsa Zoti na kërkon të kemi sy të hapur dhe dashamirës ????sepse, pa rënë në sinkretizma të dëmshme dhe në irenizma të lehta, nuk mungon kurrë një pasuri për t'u zbuluar: si në njerëzit, ashtu edhe në kulturat, si në fetë, ashtu edhe në kombet” .
Është e nevojshme të dimë të njohim të mirën dhe t’i vlerësojmë të tjerët siç bën populli mongol - përsëriti Papa Françesku - kështu bën Zoti me ne: “Na shikon me dashamirësi, me besim, me shikimin e zemrës”.
Zgjeroni shikimin, për të kundruar horizontet tuaja
Papa përfundoi me fjalët entuziaste: "Isha në zemër të Azisë, e kjo më bëri mirë". E menjëherë pas shpjegoi se është mirë të shikojmë këtë kontinent, që ka shumë për të na mësuar e që mund të na ndihmojë t’i shohim gjërat me një sy tjetër:
“Më bëri mirë takimi me popullin mongol, i cili ruan rrënjët dhe traditat, respekton pleqtë dhe jeton në harmoni me natyrën: është popull që shqyrton qiellin dhe ndjen frymëmarrjen e krijimit. Duke menduar për hapësirat e pakufishme dhe të heshtura të Mongolisë, t’i hapim kufijtë e shikimit tonë, në mënyrë që të shohim tek të tjerët të mirën dhe të jemi në aftë t’i zgjerojmë horizontet tona”.