MAP

2025.05.18 Celebrazione Eucaristica per lâ  Inizio del Ministero Petrino del Vescovo di Roma Leone XIV

Mbretëresha Qiellore: Papa Leoni XIV kërkon paqe për Gazën, Mianmarin e Ukrainën

Nën mbrojtjen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, fugurja e së cilës ndodhej sot në altarin e kremtimit të meshës për fillimin e shërbesës së tij papnore, Ati i Shenjtë Leoni XIV bëri thirrje për paqen në botë, kujtoi Papën Françesku, përmendi të lumin e ri që shpall në Francë, si edhe përshëndeti shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Jubileut të Vëllazërive fetare, që përfundoi sot

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të Meshës për fillimin e papnisë, Leoni XIV tha lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore bashkë me të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e përreth tij, më se 200 mijë vetë, të cilët i falënderoi nga zemra, përfshirë edhe shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Jubileut të Vëllazërive fetare, që përfundoi sot. “Mbani gjallë trashëgiminë e madhe të përshpirtërisë popullore, u tha atyre.

“Gjatë meshës – vuri në dukje Ati i Shenjtë - ndjeva praninë e fortë shpirtërore të Papës Françesku, i cili na shoqëron nga Qielli. Në këtë përmasë të bashkimit të shenjtorëve, kujtoj se dje në Chambéry të Francës, u lumnua meshtari Camille Costa de Beauregard. Ai jetoi ndërmjet fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dëshmitar i dashurisë së madhe baritore”.

E më pas, Papa nuk harroi popujt, që vuajnë, për shkak të luftës.

“Në Gaza, fëmijët, familjet dhe të moshuarit e mbijetuar po vdesin urie. Në Mianmar, armiqësitë e reja kanë marrë jetë të rinjsh të pafajshëm. Ukraina e martirizuar, më në fund, pret bisedimet për një paqe të drejtë dhe afatgjatë”.

Të gjitha këto probleme botërore, por edhe shërbimin e tij si Ipeshkëv i Romës e Bari i Kishës Universale, Papa Leoni XIV ia besoi Zojës, në veçanti, Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, fugurja e së cilës ndodhej sot në altar. Asaj i kërkoi ndërmjetësim për paqe, për të mbështetur të vuajturit e hirin për të qenë të gjithë dëshmitarë të Krishtit të Ringjallur.

18 maj 2025, 12:37

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >