MAP

Papa: Zoti e shndërroi kryqin nga mjet vdekjeje në jetë

Në ditëlindjen e tij, të parën si papë, Prevosti kremtoi lutjen e Engjëllit të Zotit: "Falënderoj Zotin dhe prindërit e mi". Për Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë: Zoti ofrohet "si shoku, mësuesi, mjeku, miku ynë". Pasdite, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, Përkujtimi i martirëve dhe dëshmitarëve të fesë të shekullit XXI.

R.SH. – Vatikan

Zoti, për të shëlbuar njerëzit, u bë njeri dhe vdiq në kryq. Për këtë arsye Kisha kremton Lartësimin e Kryqit të Shenjtë, që kremtohet më 14 shtator, ditë në të cilën, sipas traditës, ndodhi "gjetja e drurit të Kryqit nga Shën Helena, në Jeruzalem, në shekullin IV", shpjegon Papa Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku 30 mijë besimtarë dhe shtegtarë u mblodhën për të recituar me Atin e Shenjtë të lutjen mariane dhe për t'i bërë urimet në ditën e shtatëdhjetëvjetorit të tij.

Biseda e Jezusit me Nikodemin

Festa liturgjike përkujton edhe kthimin e relikes së Kryqit të Jezusit "në Qytetin e Shenjtë, Jerusalem, nga perandori Herakli", shton Papa, i cili më pas ndalet te Ungjilli i së dielës nga shën Gjoni  (Gjn 3,13-17) për të thelluar kuptimin e sakrificës ekstreme të Krishtit. Protagonisti i fragmenti të Ungjillit të kësaj feste është Nikodemi, "një nga krerët e judenjve, person i drejtë dhe me mendje të hapur", i cili takon Jezusin natën, "ka nevojë për dritë, për udhëzim: kërkon Zotin dhe i kërkon ndihmë Mësuesit të Nazaretit, sepse në Të njeh një profet", sqaron Papa, dhe "Krishti Zot e pranon, e dëgjon, dhe së fundi i zbulon se Biri i njeriut duhet të lartësohet, 'që kushdo që beson në Të të ketë jetën e pasosur'".

Krishti na shpëtoi përmes kryqit

Duke folur me Nikodemin, Jezusi kujton episodin e Besëlidhjës së Vjetër që tregon për izraelitët në shkretëtirë të sulmuar nga gjarpërinj helmues, të cilët u shpëtuan "duke parë gjarprin prej bronzi që Moisiu, duke iu bindur urdhrit të Zotit, kishte bërë dhe vendosur mbi një shtyllë", dhe më pas specifikon se Hyji"e deshi aq shumë botën sa dha Birin e Tij të vetëlindur, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar". Hyji na shpëtoi duke na u shfaqur neve, duke u ofruar si shoku, mësuesi, mjeku, miku ynë, deri në atë pikë sa u bë për ne Bukë e thyer në Eukaristi. Dhe për të kryer këtë vepër Ai përdori një nga instrumentet më mizore të vdekjes që njeriu ka shpikur ndonjëherë: kryqin.

Dashuria e Zotit është më e madhe se mëkati i njeriut

Të kremtosh lartësimin e kryqit, atëherë, do të thotë të kujtosh "dashurinë e pamasë me të cilën Krishti Zot" e ka përqafuar kryqin "për shpëtimin tonë - përfundon Papa - e ka shndërruar atë nga mjet vdekjeje në mjet jete, duke na mësuar se asgjë nuk mund të na ndajë prej Tij dhe se dashuria e Tij është më e madhe se vetë mëkati ynë". Prej këtu ftesa e Papës për të kërkuar, "me ndërmjetësimin e Marisë Virgjër", që "në ne të rrënjoset dhe të rritet" "dashuria" e Krishtit "që shpëton, dhe që edhe ne të dimë t'i dhurojmë veten njëri-tjetrit, ashtu si Ai ia dhuroi veten të gjithëve".

 Përkujtimi martirëve dhe dëshmitarëve të fesë të shekullit XXI

Pasdite, Papa Prevost do të kryesojë në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, Romë, një kremtim në Përkujtimin e martirëve dhe dëshmitarëve të fesë të shekullit XXI. Një ngjarje e rëndësishme ekumenike në vitin jubilar, në gjurmët e atyre të promovuar në vitin 2000 nga Shën Gjon Pali II. Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Leoni XIV kujtoi gjithashtu edhe 60-vjetorin e themelimit të Sinodit të Ipeshkëvijve, "një intuitë profetike e Shën Palit VI që Ipeshkvijtë të mund të ushtronin edhe më shumë dhe më mirë bashkësinë me Pasardhësin e Pjetrit", tha Ati i Shenjtë Prevost. "Shpresoj që kjo përvjetor të nxisë një angazhim të ripërtërirë për unitetin, për sinodalitetin dhe për misionin e Kishës".

14 shtator 2025, 15:15

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >