MAP

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-GAZA

Leoni XIV: Zoti dëshiron paqen. Fitoret me armë janë disfata

Në Engjëllin e Tënzot, pas meshës për shenjtërimin e Pier Giorgio Frassati dhe Carlo Acutis, Papa kujtoi tokat e përgjakura nga lufta dhe u kërkoi qeverive të dëgjojnë "zërin e ndërgjegjes", sepse "Zoti mbështet ata, që impenjohen për të dalë nga spiralja e urrejtjes dhe për të ndjekur rrugën e dialogut". Një mendim edhe për lumnimet e djeshme të jezuitit Profittlich në Estoni dhe të së resë Maria Maddalena Bódi në Hungari

R.SH. – Vatikan

Thirrje drejtuar të gjitha qeverive, që të dëgjojnë zërin e ndërgjegjes e të mos harrojnë kurrë se Zoti "dëshiron paqen". Në fund të kanonizimit të shenjtorëve të rinj Frassati dhe Acutis, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV kujtoi gjakderdhjen në tokat e konfliktit, duke përmendur Ukrainën dhe Tokën Shenjte, lutjet e të cilave për paqe ua besoi ndërmjetësimit të shenjtorëve dhe Virgjërës Mari.

“Qeveritarëve, u përsëris: dëgjojeni zërin e ndërgjegjes! Fitoret në dukje të arritura me armë, duke mbjellë vdekje dhe shkatërrim, në të vërtetë, janë disfata dhe nuk sjellin kurrë paqe dhe siguri. Zoti nuk dëshiron luftën. Zoti dëshiron paqen! E Zoti i mbështet ata, që impenjohen për të dalë nga spiralja e urrejtjes dhe për të ndjekur rrugën e dialogut”.

Duke vënë në dukje atmosferën e kanonizimeve të sotme, Papa nuk la pa kujtuar se dje, më 6 shtator, “Kisha u pasurua me dy të Lum të tjerë”, të dy “martirë, dëshmitarë të guximshëm të bukurisë së Ungjillit”: me kryeipeshkvin jezuit Eduard Profittlich, “i vrarë në vitin 1942, gjatë persekutimit të Kishës nga regjimi sovjetik”, që u shpall i lum në Talin të Estonisë, si edhe me Maria Maddalena Bódi, “laike e re, e vrarë në vitin 1945, sepse u rezistoi ushtarëve që donin ta përdhunonin”, lartuar në nderimet e altarit në Veszprém të Hungarisë.

07 shtator 2025, 13:16

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >