MAP

Papa Leoni XIV gjatë lutje së Engjëllit të Zotit në Castel Gadolfo Papa Leoni XIV gjatë lutje së Engjëllit të Zotit në Castel Gadolfo

Leoni XIV: mos iu nënshtroni logjikës mbizotëruese të konfliktit e të armëve

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, në Castel Gandolfo, Leoni XIV ia besoi lutjen për paqe Virgjërës Mari. Duke kujtuar aktualitetin e Kushtetutës Apostolike Munificentissimus Deus të Piut XII, Papa provoi ndjesinë e pafuqisë "përballë përhapjes së dhunës në mbarë botën, gjithnjë e më të shurdhër dhe më të pandjeshme ndaj çdo impulsi njerëzor". Inkurajimi: “nuk duhet të heqim dorë nga shpresa! Zoti është më i madh se mëkati i njeriut”. Pas lutjes mariane, dreka me të varfërit në famulli

R.SH. / Vatikan

“Nuk duhet të heqim dorë nga shpresa: Zoti është më i madh se mëkati i njerëzve”.

Nuk duhet të dorëzohemi

Nga rezidenca verore e Castel Gandolfo, ku Papa Leoni XIV po kalon periudhën e dytë të pushimit, gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, ngrihet  te Maria Virgjër besimi i zemrave të copëtuara nga luftërat:

[...] ndihemi të pafuqishëm përballë përhapjes së dhunës në të gjithë botën, gjithnjë e më e shurdhër dhe e më e pandjeshme ndaj çdo impulsi njerëzor. Megjithatë, nuk duhet ta humbasim shpresën: Zoti është më i madh se mëkati i njeriut. Nuk duhet t’i dorëzohemi sundimit të logjikës së konfliktit dhe të armëve. Me Marinë, besojmë se Zoti vazhdon t’i ndihmojë bijtë, duke kujtuar mëshirën e tij. Vetëm në të është e mundur të rizbulojmë rrugën drejt paqes.

Aktualiteti i fjalëve të Piut XII

Leoni XIV kujtoi Kushtetutën Apostolike Munificentissimus Deus të Piut XII, duke theksuar aktualitetin e hidhur. Fjalët e paraardhësit të tij, “ndërsa përvoja tragjike e Luftës II Botërore ishte ende përvëluese”, janë jashtëzakonisht të dobishme si paralajmërim universal për sot. Duke shpallur dogmën e Ngjitjes në Qiell, ai shkroi: “Shpresohet se të gjithë ata që meditojnë mbi shembullin e lavdishëm të Marisë, do të jenë gjithnjë e më të bindur për vlerën e jetës njerëzore”. E më pas shpreh besimin se “jeta njerëzore nuk do të humbasë kurrë më, duke nxitur luftë”.

Maria, si Nënë, vuan për bijtë e saj

Nëna e Jezusit "si Nënë, vuan për të këqijat që i mundojnë bijtë e saj, veçanërisht të vegjëlit e të ligshtit", këmbëngul përsëri Papa në këtë Solemnitet, i cili na bën ta sodisim Marinë në mbarë shkëlqimin e saj "si ikonë shprese për bijtë në shtegtim gjatë gjithë historisë". Papa citon Lumen Gentium, që e quan Virgjërën "shëmbëlltyrë dhe fillim i Kishës, e cila duhet të gjejë përmbushjen e saj në epokën që do të vijë", Ajo që "shkëlqen tani në tokë para popullit shtegtar të Zotit, si shenjë shprese dhe ngushëllimi të sigurt, derisa të vijë dita e Zotit".

Burimi i gjallë i shpresës, që drejton "në pyllin e errët"

Papa Leoni u ndalua edhe tek vargjet e Dantes, shkëputur nga kënga e fundit e Parajsës e Komedisë Hyjnore, për ta përshkruar Marinë "ndërmjet nesh, të vdekshëmve" si "burim i gjallë shprese', domethënë burim i gjallë, nga shpërthen shpresa". Ky përkufizim kujton temën e Jubileut "Shtegtarët e Shpresës", që po e feston Kisha. E shtegtarë janë ata që "kanë nevojë për caqe, të cilët i prijnë udhëtimit të tyre, shpjegon Papa, destinacione të bukura, tërheqëse, që u prijnë "hapave" të tyre, që "i gjallërojnë" kur janë të lodhur, që " rindezin gjithmonë " dëshirë dhe shpresë në "zemrat" e tyre. "Zoti erdhi të na takojë" në misterin e Marisë, gruas nga e cila u mishërua Biri i Perëndisë, dhe të Kishës, trupit mistik të Krishtit. Prej këndej, inkurajimi i pasardhësit të Pjetrit:

Ndërsa jemi për udhë, vetëm, si familje, në bashkësi, veçanërisht kur retë dynden e rruga bëhet e pasigurt dhe e vështirë, t’i hapim sytë, ta shikojmë Atë, Nënën tonë, e do ta rizbulojmë shpresën, që nuk të zhgënjen.

Dreka me Salezianët e Castel Gandolfos

Pas lutjes mariane dhe pasi përshëndeti publikisht bashkësinë e ungjillëzimit universitar nga Hondurasi, familjet e Lëvizjes së Dashurisë Familjare, në përfundim të ushtrimeve të tyre shpirtërore, si dhe grupin "Shën Rita" të çifteve të fejuara dhe të martuara, Papa kaloi pak kohë edhe me disa fëmijë e, më pas, siç njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, shijoi drekën në qendrën famullitare të Castel Gandolfos me Ipeshkvin e Albanos dhe bashkësinë saleziane të Famullisë Papnore të Shën Tomës të Villanovës.

15 gusht 2025, 13:59

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >