Papa: nuk duhet t’i përshtatemi mendësisë së botës, por të dëshmojmë për Krishtin
R.SH. / Vatikan
Mirësia nuk gjen gjithnjë përgjigje pozitive përreth. Ndonjëherë, pikërisht sepse bukuria e saj i bezdis ata që nuk e mirëpresin - praktikuesit përfundojnë duke hasur kundërshtim të ashpër, deri në pikën e vuajtjes nga ngacmimet dhe abuzimet.
Të jesh i përndjekur: këtë pësojnë shpesh ata, që zgjedhin të ndjekin Krishtin, sepse "misioni" i Jezusit është "shenjë kundërshtimi", siç e tha Ai vetë në ungjillin e kësaj së diele nga Luka, dhe "nuk është vetëm trëndafilë dhe lule", theksoi Papa gjatë Lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë nga Piazza della Libertà të Castel Gandolfos, pas kremtimit të Meshës në Shenjtëroren e Santa Maria della Rotonda, në Albano. Për 2,500 shtegtarët dhe besimtarët e mbledhur rreth tij, dhe për ata që dëgjonin nëpërmjet radios, televizionit, internetit dhe mediave sociale, Papa Leoni theksoi se mesazhi i Krishtit, "pavarësisht se fliste për dashuri dhe drejtësi", u "refuzua" dhe për këtë arsye Jezusi u "kundërshtua, u arrestua, u fye, u rrah, u kryqëzua". E njëjta përvojë u përjetua nga shumë bashkësi të krishtera të shekujve të parë, "bashkësi paqësore që, pavarësisht kufizimeve të tyre, kërkuan ta jetonin mesazhin e bamirësisë së Mësuesit sa më mirë që mundën. Megjithatë, nuk shpëtuan nga përndjekja. Vuajtën, deri në vdekje", shtoi Papa.
Të veprosh sipas së vërtetës është e kushtueshme, sepse në botë ka nga ata që zgjedhin gënjeshtrat, e edhe sepse djalli, duke përfituar nga kjo, shpesh përpiqet të pengojë veprimet e njerëzve të mirë.
Këmbëngulni në të mirë
Megjithatë, ftesa e Jezusit është, "me ndihmën e tij, të mos dorëzohemi dhe të mos i përmbahemi kësaj mendësie", të bëjmë mirë me këmbëngulje, për "të gjithë", madje edhe për "ata që na bëjnë të vuajmë - porositi Papa - të mos i përgjigjemi arrogancës me hakmarrje dhe të jemi "besnikë ndaj së vërtetës në bamirësi".
T’i ushtrojmë përgjegjësitë tona, sipas Ungjillit
Besnikëri ndaj së vërtetës është ajo që e dëshmojnë martirët duke "derdhur gjakun e tyre për fenë", shpjegon Papa, e shton se "edhe ne, në rrethana dhe mënyra të ndryshme, mund t'i imitojmë ata".
Le të mendojmë, për shembull, për çmimin që duhet të paguajë një prind i mirë nëse dëshiron t'i rrisë mirë fëmijët e tij, sipas parimeve të shëndosha: herët a vonë ai do të duhet të thotë "jo" disa herë, të bëjë disa korrigjime dhe kjo do t'i kushtojë vuajtje.
Kjo i ndodh edhe "një mësuesi që dëshiron t'i edukojë siç duhet nxënësit e tij", ose "një profesionisti, një fetari, një politikani, që synon ta kryejë misionin e tij me ndershmëri", ose "kujtdo që përpiqet të ushtrojë përgjegjësitë e tij në mënyrë të vazhdueshme, sipas mësimeve të Ungjillit.
Të jesh dëshmitar besnik dhe i guximshëm i Krishtit
Prej këndej, inkurajimi i Leonit për t'iu lutur Marisë Virgjër, në mënyrë që ajo të na ndihmojë "të jemi, në çdo rrethanë, dëshmitarë besnikë dhe të guximshëm" të Krishtit, dhe të "mbështesim vëllezërit dhe motrat tona që edhe sot vuajnë për fenë".