Papa: jeta nuk është garë, Kisha duhet të jetë "palestër përvujtërie"
R.SH. / Vatikan
"Përvujtëria" është "liri nga vetvetja" dhe lind "kur Mbretëria e Zotit dhe drejtësia e Tij tërheqin vërtet vëmendjen tonë dhe ne mund të shohim shumë më përpara: jo në majë të gishtërinjve, por larg!". Nga dritarja e Pallatit Apostolik, në katekizmin e Engjëllit të Tënzot, mbajtur sot, 31 gusht, Papa Leoni XIV na inkurajon të mësojmë nga Krishti si të shërbejmë e si të shohim përtej vetes. Kjo thirrje për përvujtëri filloi me një reflektim mbi Ungjillin e ditës nga Luka Ungjilltar, ku Jezusi, duke darkuar me një nga prijësit e farizenjve, vëren "se ka një garë për të zënë vendet më të mira". E, më pas, "me një shëmbëlltyrë, përshkruan atë që sheh dhe i fton të reflektojnë ata, që ia ngulin sytë".
E Papa, në katekizmin e tij, i drejtohet, në veçanti, Kishës:
“Sot kërkojmë që Kisha të jetë palestër përvujtërie për të gjithë, domethënë, shtëpi ku jemi gjithmonë të mirëpritur, ku vendet nuk fitohen, ku Jezusi ende mund të flasë dhe të na mësojë përvujtërinë e tij, lirinë e tij”.
Të tronditemi nga Fjala e Krishtit
Duke u folur besimtarëve, Papa theksoi se të shkosh në Meshë të dielën "do të thotë t’ia lëmë Jezusit fjalën", sepse ai "bëhet me ëndje mysafiri ynë dhe mund të na përshkruajë ashtu siç na sheh". Papa na nxit, kështu, të "ndalemi e të reflektojmë" në mënyrë që "të mund të tronditemi nga një Fjalë, e cila vë në pikëpyetje përparësitë që pushtojnë zemrat tona: është përvojë lirie. Jezusi na thërret në liri". Kjo garë për të zënë vendet e larta të përshkruara në Ungjill "ndodh edhe sot, jo në familje, por në raste kur ia vlen 'të bëhemi të dukshëm'; të rrish së bashku shndërrohet në garë" – pohon Papa:
Është shumë e rëndësishme ta shohim veten, përmes syve të Tij: të rishqyrtojmë se si shpesh e reduktojmë jetën në garë, si bëhemi të çorganizuar për të fituar njohje, si e krahasojmë veten, pa nevojë, me njëri-tjetrin.
Dinjiteti dhe liria, që vjen nga Zoti
Leoni XIV e nënvizon "përvujtërinë" si fjalë kyçe të këtij Ungjilli, për të përshkruar lirinë. "Ata që e lartojnë veten në përgjithësi, duket se nuk kanë gjetur asgjë më interesante se vetja e, në fund të fundit, janë shumë të pasigurt për veten", theksoi Papa.
Por kush e kupton se është shumë i çmueshëm në sytë e Zotit, kush e ndjen thellësisht se është bir a bijë e Zotit, ka gjëra më të mëdha për të lartuar e edhe dinjitet që shkëlqen vetvetiu. Ai del në plan të parë, zë vendin e parë, pa mundim dhe pa strategji, kur, në vend që të përdorë situatat, mëson të shërbejë.
Të mësojmë të jemi mysafirë dhe të presim
Papa shpjegoi edhe se si Jezusi "u prit me njëfarë dyshimi" nga farizenjtë, të cilët ishin "interpretues rigorozë të traditës". Pavarësisht nga kjo, "takimi ndodh, sepse Jezusi është vërtet i afërt e nuk mbetet jashtë situatës", duke u bërë "mysafir i vërtetë, me respekt e vërtetësi. E duke hequr dorë nga ato sjellje të mira, që janë thjesht formalitete”.
Kur ke mysafirë zgjeron hapësirën e zemrës, e të jesh mysafir, kërkon përvujtërinë për të hyrë në botën e tjetrit. Kultura e takimit ushqehet nga këto gjeste, që na afrojnë.