Leoni XIV: feja është e vërtetë kur bëhet kriter për zgjedhjet tona
R.SH. – Vatikan
Të përpiqesh të "hysh nga porta e ngushtë": ky është sugjerimi që Jezusi i ofron atij që e pyet "nëse janë pak ata që shpëtohen". Jezusi duket se na ofron një imazh tjetër të "Atit të dashurisë dhe mëshirës" me krahët gjithmonë të hapur "për të na mirëpritur", thotë Papa Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në sheshin Shën Pjetër, po në të vërtetë ajo e Krishtit është një paralajmërim për ata që mendojnë se janë të krishterë të përsosur dhe është gjithashtu edhe një thirrje për vështirësitë dhe sakrificat që duhen përballuar kur ndërmerret rruga ungjillore.
Zoti nuk dëshiron të na çkurajojë. Fjalët e tij, përkundrazi, shërbejnë sidomos për ta zgjuar hamendjen e atyre, që mendojnë se tashmë shpëtuan, atyre që e praktikojnë fenë dhe, për këtë arsye, ndihen tashmë në rregull. Në të vërtetë, ata s’e kanë kuptuar se nuk mjafton të kryesh akte fetare, nëse nuk na e shndërrojnë zemrën: Zoti nuk dëshiron adhurim të ndarë nga jeta dhe nuk i vlerëson flijimet e lutjet, nëse nuk na ndihmojnë ta jetojmë dashurinë për vëllezërit dhe motrat tona dhe ta praktikojmë drejtësinë.
Nuk mjafton ta shprehësh fenë me fjalë
Papa Leoni XIV shpjegoi se ata që nuk kanë dashuri të vërtetë për të afërmin, kur "paraqiten para Zotit duke u mburrur se kanë ngrënë e kanë pirë me Të dhe kanë dëgjuar mësimet e Tij, do ta dëgjojnë Atë duke u përgjigjur: 'Nuk e di nga jeni. Largohuni nga unë, ju të gjithë që bëni padrejtësi!'".
Ndërsa ndonjëherë ndodh që ne gjykojmë kë është larg fesë, Jezusi e vë në krizë "sigurinë e besimtarëve". Na thotë se nuk mjafton ta shpallësh fenë me fjalë, të hash dhe të pish me Krishtin duke kremtuar Eukaristinë, ose t’i njohësh mirë mësimet e krishtera. Feja jonë është e vërtetë, kur e rrok gjithë jetën tonë, kur bëhet kriter për zgjedhjet tona, kur na bën gra dhe burra që i kushtohen së mirës dhe rrezikohen në dashuri, ashtu siç bëri Jezusi.
"Dera e ngushtë" e kryqit
Ajo që Krishti zgjodhi, nuk ishte "rruga e lehtë drejt suksesit, e as drejt pushtetit", sqaron Papa. "Për të na shpëtuar, ai na deshi deri në atë pikë, sa të kalonte nëpër 'derën e ngushtë' të kryqit". Prandaj, Jezusi "është masa e besimit tonë", "dera nëpër të cilën duhet të kalojmë për të shpëtuar", e kjo, "duke jetuar dashurinë e tij dhe duke u bërë, me jetën tonë, punëtorë të drejtësisë e të paqes".
Jetë e re, kur ua hapim zemrën të tjerëve
Udha e krishterë të kërkon "udhë të vështira, jopopullore! Të kërkon të luftosh kundër egoizmit tënd dhe ta dhurosh veten për të tjerët", e edhe "të këmbëngulësh në të mirë" kur "duket se mbizotëron logjika e së keqes ".
Vetëm në këtë mënyrë, përfundoi Papa, "do të zbulojmë se jeta hapet para nesh në një mënyrë të re", "do të hyjmë në zemrën e gjerë të Zotit" e edhe "në gëzimin e festës së amshuar që Ai e përgatiti për ne".
Prej këndej, ftesa për t'iu lutur Marisë "që të na ndihmojë për të kaluar me guxim nëpër 'derën e ngushtë' të Ungjillit" dhe “për t’ia hapur me gëzim zemrat gjerësisë të dashurisë të Zotit".