MAP

Leoni XIV: Zoti na dëgjon, ndaj të lutemi gjithnjë me besim

Në Engjëllin e së Dielës së fundit të korrikut, Papa u ndalua tek besimi në Zotin, i cili ka një mençuri, që ia kalon shumë aftësisë sonë për të kuptuar. Ndaj Papa paralajmëron: "Nuk mund t'i lutemi Zotit si Atë dhe pastaj të jemi të ashpër e të pandjeshëm ndaj të tjerëve"

R.SH. - Vatikan

T'i drejtohesh Zotit të krishterë si "Abba", "Atë", është formë butësie, miqësie dhe intimiteti e shprehur në mënyrë simbolike në Lutjen, që Jezusi ua mësoi dishepujve të vet e për të cilën Papa reflektoi në lutjen e  Engjëllit të së dieles. Një lutje që, vërejti Pasardhësi i Pjetrit, nënkupton domosdoshmërisht vëllazërinë, duke kapërcyer ngurtësinë e zemrës ndaj të tjerëve.

Zoti nuk na e kthen kurrë shpinën

Papa citoi Katekizmin e Kishës Katolike për të nxjerrë në pah tiparet e atësisë së Zotit. Kujtoi se si, pikërisht duke iu drejtuar me besim Atit, forcohet njohja e bëhemi "bij të dashur", me një dashuri e madhe.

Pastaj  theksoi butësinë e Zotit:

Zoti nuk na kthen kurrë shpinën kur i drejtohemi, edhe nëse arrijmë vonë për të trokitur në derën e Tij, ndoshta pas gabimeve, mundësive të humbura ose dështimeve; edhe nëse, për të na mirëpritur, Ai duhet të “zgjojë" bijtë e Tij që flenë në shtëpi (shih Luka 11:7). Në të vërtetë, në familjen e madhe të Kishës, Ati nuk ngurron t’i bëjë të gjithë pjestarë të çdo gjesti të dashurisë.

Zoti na dëgjon gjithmonë

Papa Leoni na qetëson për mungesën e hamendësuar:

Zoti na dëgjon gjithmonë kur i lutemi, dhe në kohë e në mënyra që janë të vështira për t'u kuptuar, kjo sepse vepron me  mençuri dhe providencë më të madhe, që ia kalojnë mendjes sonë. Prandaj, edhe në këto çaste, të mos pushojmë s’e luturi me besim: në Të do të gjejmë gjithmonë dritë dhe forcë.

Të duam si Zoti, pa bërë asnjë llogari

Megjithatë, duke thënë “Atynën”, përtej kremtimit të hirit të bijnisë hyjnore, duhet shprehim edhe angazhimin tonë për t’iu përgjigjur kësaj dhurate, duke dashur njëri-tjetrin si vëllezër në Krishtin. Një nga Etërit e Kishës, ndërsa reflekton mbi këtë, shkruan: “Kur e quajmë Zotin ‘Ati ynë’, duhet të kujtojmë detyrën tonë për t’u sjellë si bij e bija” (Shën Qipriani i Kartagjenës, De dominica Oratione, 11), e, në një tjetër, shton:

“Nuk mund ta thërrisni Atin tuaj Zot i çdo mirësie, nëse keni zemër mizore e çnjerëzore; në këtë rast, nuk e kemi më brenda vetes gjurmën e mirësisë së Atit qiellor” (Shën Gjon Kristostami, De angusta porta et in Orationem dominicam, 3). As nuk mund t’i lutemi Zotit si “Atë” dhe pastaj të jemi të ashpër dhe të pandjeshëm ndaj të tjerëve. Përkundrazi, është e rëndësishme të shndërrohemi nga mirësia e tij, durimi i tij, mëshira e tij, për ta pasqyruar si në një pasqyrë, fytyrën e Tij në tonën”.

Të dashur vëllezër e motra - theksoi në përfundim Papa - liturgjia e sotme na fton për lutje e bamirësi, për të dashur e për t’u dashur, ashtu si na do Zoti: me gatishmëri, me mend, me kujdes të anasjelltë, pa llogaritje.

T’i kërkojmë Marisë të dijmë si t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje, për të treguar ëmbëlsinë e fytyrës së Atit.

27 korrik 2025, 12:31

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >