MAP

Papa: uniteti në Kisha krijohet me besim dhe falje

Gjatë ltujes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XVI kujtoi "kremtimin e madh të Kishës së Romës" në solemnitetin e Pjetrit e të Palit, duke nënvizuar se edhe në këtë kohë ka të krishterë që vdesin për vlerat e Ungjillit. E shpesh duke i përhapur - pohoi - kundërshtohen e persekutohen, por lavdia e Zotit shkëlqen "nga kthimi - në kthim”.

R.SH. / Vatikan

Të jetosh "nga kthimi në kthim". Leoni XIV gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Vatikanit, kushtuar solemnitetit të Pjetrit e Palit, Pajtorë qiellor të Romës, kujton se gjatë shtegtimit në varret e Apostujve zbulohet se mund të jetohet si ata, sipas thirrjes së Jezusit që fton disa herë, jo vetëm një herë. Ndaj të gjithë mund të shpresojnë, veçanërisht në Jubile. Papa Prevost kujtoi se në Besëlidhjen e Re "gabimet, kontradiktat dhe mëkatet e atyre që i nderojmë si Apostujt më të mëdhenj" nuk fshihen, por "madhështia e tyre modelohet nga falja".

Uniteti në Kishë dhe ndërmjet Kishave, motra dhe vëllezër, ushqehet nga falja dhe besimi i anasjelltë. Duke filluar nga familjet dhe bashkësitë tona. Nëse Jezusi na beson, edhe ne mund t'i besojmë njëri-tjetrit, në Emrin e tij.

Në shërbim të unitetit dhe bashkësisë

Është edhe një element tjetër, që Papa Leoni e theksoi dhe që ka të bëjë me "të krishterët të cilët Ungjilli i bën bujarë e të guximshëm, edhe kur u duhet të paguajnë me çmimin e jetës".

Kemi, kështu, edhe një ekumenizëm gjaku, unitet i padukshëm dhe i thellë ndërmjet Kishave të krishtera, të cilat ende nuk jetojnë në bashkësi të plotë dhe të dukshme ndërmjet tyre.

Prandaj, në këtë festë solemne, dua të pohoj se shërbimi im ipeshkvnor është shërbim ndaj unitetit dhe se Kisha e Romës është e angazhuar nga gjaku i Shenjtorëve Pjetër dhe Pal për të nxitur bashkimin ndërmjet të gjitha Kishave.

Në kundërshtim me mendësinë e botës

Shërbim ndaj unitetit, që lind nga gurët e flakur tutje; përmbysje, që realizohet në Krishtin, "gurin, nga i cili edhe Pjetri merr emrin". "Gur i  flakur tutje nga njerëzit, por që Perëndia e bëri gur i këndit"; gur i kufirit, "jashtë mureve", si ato që ndërtuan Sheshin e Shën Pjetrit dhe Bazilikën Papnore të Shën Pjetrit dhe të Shën Palit.

Çka na duket e madhe dhe e lavdishme, u refuzua dhe u dëbua së pari, sepse në kundërshtim me mendësinë botërore. Ata që e ndjekin Jezusin ecin në rrugën e Lumturive, ku varfëria e shpirtit, butësia, mëshira, uria dhe etja për drejtësi e puna për paqen gjejnë kundërshtim, madje edhe persekutim. Megjithatë, lavdia e Zotit shkëlqen në miqtë e tij dhe i formon gjatë rrugës, nga shndërrimi - në shndërrim!

Kisha, shtëpi dhe shkollë bashkimi

“Apostujt Pjetër dhe Pal, së bashku me Virgjërën Mari” - u lut në përfundim Papa Leoni XIV - “ndërmjetësofshin për ne, në mënyrë që në këtë botë të përçarë, Kisha të jetë shtëpi dhe shkollë bashkimi”.

 

29 qershor 2025, 09:13

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >