Papa: uniteti n? Kisha krijohet me besim dhe falje
R.SH. / Vatikan
Të jetosh "nga kthimi në kthim". Leoni XIV gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Vatikanit, kushtuar solemnitetit të Pjetrit e Palit, Pajtorë qiellor të Romës, kujton se gjatë shtegtimit në varret e Apostujve zbulohet se mund të jetohet si ata, sipas thirrjes së Jezusit që fton disa herë, jo vetëm një herë. Ndaj të gjithë mund të shpresojnë, veçanërisht në Jubile. Papa Prevost kujtoi se në Besëlidhjen e Re "gabimet, kontradiktat dhe mëkatet e atyre që i nderojmë si Apostujt më të mëdhenj" nuk fshihen, por "madhështia e tyre modelohet nga falja".
Uniteti në Kishë dhe ndërmjet Kishave, motra dhe vëllezër, ushqehet nga falja dhe besimi i anasjelltë. Duke filluar nga familjet dhe bashkësitë tona. Nëse Jezusi na beson, edhe ne mund t'i besojmë njëri-tjetrit, në Emrin e tij.
Në shërbim të unitetit dhe bashkësisë
Është edhe një element tjetër, që Papa Leoni e theksoi dhe që ka të bëjë me "të krishterët të cilët Ungjilli i bën bujarë e të guximshëm, edhe kur u duhet të paguajnë me çmimin e jetës".
Kemi, kështu, edhe një ekumenizëm gjaku, unitet i padukshëm dhe i thellë ndërmjet Kishave të krishtera, të cilat ende nuk jetojnë në bashkësi të plotë dhe të dukshme ndërmjet tyre.
Prandaj, në këtë festë solemne, dua të pohoj se shërbimi im ipeshkvnor është shërbim ndaj unitetit dhe se Kisha e Romës është e angazhuar nga gjaku i Shenjtorëve Pjetër dhe Pal për të nxitur bashkimin ndërmjet të gjitha Kishave.
Në kundërshtim me mendësinë e botës
Shërbim ndaj unitetit, që lind nga gurët e flakur tutje; përmbysje, që realizohet në Krishtin, "gurin, nga i cili edhe Pjetri merr emrin". "Gur i flakur tutje nga njerëzit, por që Perëndia e bëri gur i këndit"; gur i kufirit, "jashtë mureve", si ato që ndërtuan Sheshin e Shën Pjetrit dhe Bazilikën Papnore të Shën Pjetrit dhe të Shën Palit.
Çka na duket e madhe dhe e lavdishme, u refuzua dhe u dëbua së pari, sepse në kundërshtim me mendësinë botërore. Ata që e ndjekin Jezusin ecin në rrugën e Lumturive, ku varfëria e shpirtit, butësia, mëshira, uria dhe etja për drejtësi e puna për paqen gjejnë kundërshtim, madje edhe persekutim. Megjithatë, lavdia e Zotit shkëlqen në miqtë e tij dhe i formon gjatë rrugës, nga shndërrimi - në shndërrim!
Kisha, shtëpi dhe shkollë bashkimi
“Apostujt Pjetër dhe Pal, së bashku me Virgjërën Mari” - u lut në përfundim Papa Leoni XIV - “ndërmjetësofshin për ne, në mënyrë që në këtë botë të përçarë, Kisha të jetë shtëpi dhe shkollë bashkimi”.