MAP

Papa: të lutemi për paqe në Lindjen e Mesme, Ukrainë e në mbarë botën

Në Sheshin e Shën Pjetrit, para lutjes mariane, Leoni XIV ftoi për dialog kushtuar paqes në Mianmar, kujtoi pothuajse 200 viktimat e dhunës në Nigeri e famullitarin e vrarë nga një bombardim në Sudan, ku u kërkon luftëtarëve të ndalen, të mbrojnë civilët dhe të fillojnë një dialog për paqen, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare, të japë "së paku ndihmën jetike për popullsinë e prekur nga kriza e rëndë humanitare".

R.SH. / Vatikan

Bota e sotme ka shumë nevojë për mënyra ndërtimtare të paqes, si sporti, "shkollë respekti dhe besnikërie, që zhvillon kulturën e takimit dhe të vëllazërisë". Stil jete, që duhet praktikuar me vetëdije, "duke kundërshtuar çdo formë dhune dhe shtypjeje". Kështu u shpreh Papa Leoni XIV para lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve të mbledhur pa pyetur fare për vapën e madhe të verës, duke kujtuar, më pas, edhe konfliktet e shumta të armatosura në botë:

Mianmar, pavarësisht armëpushimit, luftimet vazhdojnë, me dëme në infrastrukturën civile. I ftoj palët të ndjekin rrugën e dialogut të përgjithshëm, ​​i vetmi që mund të çojë në zgjidhje paqësore e të qëndrueshme.

Masakra e tmerrshme në Nigeri, 200 viktima ndërmjet të zhvendosurve

Papa Prevost kujtoi më pas masakrën e tmerrshme, në të cilën rreth 200 persona u vranë "me mizori ekstreme" në Nigeri, natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit, në qytetin Yelwata, në zonën administrative lokale të Gouma-s, në shtetin e Benue. Shumica e tyre - kujtoi  me dhimbje -  ishin njerëz të zhvendosur brenda vendit, të strehuar nga misioni katolik lokal.

Lutem që siguria, drejtësia e paqja të mbizotërojnë në Nigeri, vend i dashur e tejet i prekur nga forma të ndryshme dhune. E lutem në mënyrë të veçantë për bashkësitë fshatarake të krishtera të shtetit të Benue, vazhdimisht viktima të dhunës.

Në Sudan vdes një famullitar: thirrje për ndihmë humanitare

Leoni XIV kujtoi, më pas, Republikën e Sudanit, "të shkatërruar nga dhuna për më shumë se dy vjet". E edhe vdekjen e Atë Luke Jumu, famullitar i El Fasher, viktimë e një bombardimi.

Ndërsa siguroj lutjet e mia për të dhe për të gjitha viktimat, përsëris thirrjen drejtuar luftëtarëve që të ndalen, të mbrojnë civilët dhe të angazhohen në dialog për paqen. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i shtojë përpjekjet për t'i ofruar të paktën ndihmesën kryesore popullsisë, të prekur rëndë nga kriza humanitare. Të vazhdojmë të lutemi për paqen në Lindjen e Mesme, në Ukrainë dhe në mbarë botën!

Lumnimi i Floribert, dëshmitar shprese për të rinjtë

Në përfundim Papa kujtoi se sot pasdite, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, do të shpallet i Lum Floribert Bwana Chui, martir i ri kongolez:

U vra në moshën njëzet e gjashtë vjeç sepse, si i krishterë, kundërshtoi padrejtësinë dhe mbrojti të vegjlit e të varfrit. Dëshmia e tij u jep guxim dhe shpresë të rinjve të Republikës Demokratike të Kongos dhe të gjithë Afrikës!

Së fundmi, ftesa drejtuar të rinjve

Ju pres pas një muaji e gjysmë në Jubileun e të Rinjve! Virgjëra Mari, Mbretëreshë e Paqes, ndërmjetësoftë për ne!

15 qershor 2025, 13:59

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >