MAP

Papa: lutem për familjet që vuajnë për shkak të luftës

Papa kremton Jubileun e familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve duke kujtuar atë "bashkim universal" që është "shenjë e paqes" dhe e "të ardhmes së popujve": njerëzimi nganjëherë tradhtohet, "për shembull, liria thirret jo për ta dhënë jetën, por për ta hequr atë, jo për të ndihmuar, por për të fyer".

Pas Meshës, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Leoni XIV në mesditë, kremtoi lutjen mariane të  Mbretëreshës Qiellore. Në përfundim, i përshëndeti dhe i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ditë të lumtur të Jubileut të Familjeve, Fëmijëve, Gjyshërve dhe të Moshuarve!

Në fund të kësaj Eukaristie, dua t'ju përshëndes të gjithëve, pjesëmarrës në Jubileun e Familjeve, Fëmijëve, Gjyshërve dhe të Moshuarve! Erdhët nga çdo cep i botës, me delegacione nga njëqind e tridhjetë e një vende.

Këto, fjalët e para, të ngrohta, që Papa Leoni XIV ia drejtoi, nga dritarja e Pallatit Apostolik, turmës së pafundme që mbushte përplot Sheshin e Vatikanit, i cili të kujtonte vazhdimësinë e jetës njerëzore në këtë ditë feste kushtuar kryesisht të moshuarve. Por edhe fëmijëve, që Papa Prevost i priti me gëzim e dashuri. E i përshëndeti me fjalët:

Jam i lum që mirëpres kaq shumë fëmijë, të cilët na ringjallin shpresën! I përshëndes të gjitha familjet, Kishat e vogla shtëpiake, në të cilat Ungjilli mirëpritet dhe trashëgohet.

Familja - thoshte Shën Gjon Pali II - buron nga dashuria me të cilën Krijuesi përqafon botën e krijuar (Letra Gratissimam sane, 2).

Përshëndetje e urime

Papa Leoni XIV vijoi t’i drejtonte turmës së besimtarëve urimet më të ndjera. Feja, shpresa dhe bamirësia - u tha Ati i Shenjtë - u rritshin gjithmonë në familjet tona. E më pas i përshëndeti veçanërisht gjyshërit dhe të moshuarit, të cilët janë model i vërtetë besimi dhe frymëzimi për brezat e rinj. Faleminderit që erdhët  - u tha - e vijoi me një përshndetje drejtuar mbarë turmës së pafundme, mbledhur këtë ditë të lume:

I përshëndes të gjithë shtegtarët e pranishëm, veçanërisht ata nga Dioqeza e Mondovì-t, në Piemonte.

Festa e të Ngjiturit të Zotit në Qiell

Sot në Itali dhe në vende të ndryshme - vijoi të kujtojë Papa - festohet solemniteti i të Ngjiturit të Zotit në Qiell.

Është festë shumë e bukur, që na bën të shikojmë drejt cakut të shtegtimit tonë tokësor.

Ndërmjetësimit të martireve ia besojmë të gjitha gratë

Në këtë horizont  - vijoi Papa - po kujtoi se dje në Branievo (Poloni) u shpallën të Lume Cristofora Klomfass dhe katërmbëdhjetë motra të Kongregacionit të Shën Katerinës, Virgjëreshë e Martire, vrarë në vitin 1945 nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe në territoret e Polonisë së sotme. Pavarësisht klimës së urrejtjes dhe terrorit kundër fesë katolike, ato  vijuan t'u shërbenin të sëmurëve dhe jetimëve. Ndërmjetësimit të martireve të reja të Lume ia besojmë të gjitha gratë fetare në botë që me bujari  e flijojnë veten për Mbretërinë e Zotit.

Në përfundim, Papa Leoni XIV i drejtoi Marisë Virgjër lutjen:

“Virgjëra Mari i bekoftë familjet dhe i mbështetët në vështirësitë e tyre: Mendoj veçanërisht për ata që vuajnë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, në Ukrainë dhe në pjesë të tjera të botës. Nëna e Zotit na ndihmoftë të ecim së bashku në rrugën e paqes”.

01 qershor 2025, 13:22

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >