MAP

2025.06.08 Santa Messa nella Solennità di Pentecoste, per il Giubileo dei Movimenti, delle Associazioni e delle Nuove Comunità

Leoni XIV: Shpirti Shenjt haptë shtigje pajtimi, ndriçoftë mendjen e qeveritarëve

Në Mbretrëreshën Qiellore, ditën e Rrëshajëve, Leoni XIV lutet për dhuratën e paqes: "Vetëm një zemër paqësore mund të përhapë paqen, në familje, në shoqëri, në marrëdhëniet ndërkombëtare". Papa kërkon “guxim” për politikanët, që të “bëjnë gjeste pajtimi e dialogu”. Pastaj, mendimi shkon tek të rinjtë, studentët dhe mësuesit, "sidomos tek ata që ditët e ardhshme do të japin provimet, në përfundim të ciklit të studimeve"

R.SH. - Vatikan

"Para se ta përfundoj këtë kremtim, ju shpreh përshëndetjen time të përzemërt ju të gjithëve, që morët pjesë, si dhe atyre që u lidhën nëpërmjet medias. Falënderoj kardinalët dhe ipeshkvijtë e pranishëm dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqatave dhe lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të reja. Të dashur motra dhe vëllezër, me forcën e Shpirtit Shenjt, nisuni të përtërirë nga ky Jubile juaji. Shkoni dhe çojani të gjithëve shpresën e Zotit Jezus!" Kështu pohoi Papa Leoni XIV në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në përfundim të meshës së kremtuar në Vatikan, në solemnitetin e Rrëshajëve.

Në Itali dhe në vende të tjera, kujtoi ai, viti shkollor po mbaron këto ditë. Do të doja t’i përshëndesja të gjithë nxënësit dhe mësuesit, veçanërisht ata që do të japin provime gjatë ditëve në vijim, në fund të mësimeve të tyre.

E tani, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, ta kërkojmë nga Shpirti  Shenjt dhuratën e paqes.

Para së gjithash, paqe në zemra: vetëm një zemër e qetë mund të përhapë paqen, në familje, në shoqëri, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shpirti i Krishtit të Ngjallur haptë shtigje pajtimi kudo që ka luftë:

...ndriçojini sundimtarët dhe jepjuni atyre guximin të bëjnë gjeste të uljes së tensioneve dhe dialogut.

08 qershor 2025, 12:42

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >