MAP

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: ndalojeni tragjedinë e luftës përpara se të bëhet humnerë e pariparueshme

Thirrje e fuqishme nga Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit, në dritën e "lajmeve alarmuese" nga Lindja e Mesme pas bombardimit amerikan të tri armëve bërthamore iraniane dhe përgjigjes së menjëhershme misilistike të Teheranit kundër qyteteve izraelite. Papa paralajmëron ruajtjen nga rreziku që vuajtjet e Gazës dhe territoreve të tjera të bien në harresë: "Njerëzimi bërtet e kërkon paqen" thekson, duke u bërë thirrje anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare dhe të diplomacisë të heshtin armët

R.SH. / Vatikan

"Ndalojeni tragjedinë e luftës, përpara se të bëhet humnerë e pariparueshme"

Fjalët e Papës janë të fuqishme e të matura, balli i rrudhur, duart shtrënguar në fletën e bardhë të letrës. Thirrja u drejtohet atyre që kanë role përgjegjësie, por edhe çdo anëtari të bashkësisë ndërkombëtare, që të përdorë "arsyen" dhe "përgjegjësinë" përpara se njerëzimi të nisë një rrugë pa kthim.

Papa Leoni XIV, duke dalë në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit të Tënzot, nis thirrjen e tij në një kohë tensioni kulmor në Lindjen e Mesme - kujton - e veçanërisht në Iran, prej nga vijnë njëri pas tjetrit lajme alarmuese".

Nata ishte e errët, më e errëta deri tani në luftën ndërmjet Izraelit dhe Iranit. Rreth orës 2 të mëngjesit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan lëshimin e 12 bombave "Bunker-Buster" kundër tre centraleve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Teherani u përgjigj menjëherë, duke lëshuar raketa në qytetet izraelite të Tel Avivit, Jeruzalemit dhe Haifës e duke shkaktuar rreth 90 të plagosur. Kryeministri Netaniahu falënderon SHBA-në, Irani kërcënon me reagime edhe më të ashpra, IAEA konfirmon se, tani për tani, nuk është zbuluar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë objekteve.

Njerëzimi kërkon me ngulm paqe

Lajme “alarmuese”, vërtetë, “skenar dramatik” - pohon Papa Prevost - duke paralajmëruar rrezikun që e gjithë kjo ta bëjë të bjerë në harresë vuajtjen e përditshme të popullsisë, veçanërisht në Gaza dhe territore të tjera ku mbështetja e duhur humanitare po bëhet gjithnjë e më urgjente.

Sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ngre zërin dhe kërkon paqen!

Përgjegjësi dhe arsye.

Ipeshkvi i Romës bëhet zëdhënës i kësaj britme. Britmë - thotë Papa - që “kërkon përgjegjësi dhe arsye dhe nuk duhet të mbytet nga zhurma e armëve dhe fjalët retorike, që nxisin konfliktin”. Paralajmërimi është të ndalet kjo vazhdimësi dhune, përpara se të zgjerohet dhe të bëhet “humnerë e pariparueshme”.

Të gjithë vihen në pikëpyetje, sepse “nuk ekzistojnë konflikte të largëta, kur është në rrezik dinjiteti njerëzor”, përfundon Papa.

Lufta nuk i zgjidh problemet, përkundrazi i shumon dhe prodhon në historinë e popujve plagë të thella, të cilat duhen breza për t'i shëruar.

Diplomacia t’i bëjë të heshtin armët

Shikimi i Papës Leonit XIV ngulet tek njerëzit e veçantë, shpesh të harruar në numrin e të vdekurve dhe të plagosurve, të shënuar nga kronika të thata. Ka nëna, fëmijë, breza të tërë të rinjsh, fati i të cilëve është vulosur tashmë në këtë luftë. "Asnjë fitore e armatosur nuk mund ta shpërblejë dhimbjen e nënave, frikën e fëmijëve dhe të ardhmen e grabitur" - thekson Papa Leoni.

Në përfundim, një thirrje e fuqishme, për të vënë në praktikë mjetet diplomatike;

Diplomacia duhet t’i bëjë të heshtin armët, e kombet të planifikojnë të ardhmen e tyre me vepra paqeje, jo me dhunë dhe konflikte të përgjakshme.

22 qershor 2025, 13:54

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >