MAP

Leoni XIV të rinjve: Kisha ka shumë nevojë për thirrje, mos kini frikë!

Njëqind mijë, besimtarët e mbledhur për Lutjen e parë të Mbretëreshës Qiellore të Papës si Ipeshkëv i Romës. Përkon me të Dielën e Bariut të Mirë: ftesa është të lutemi veçanërisht për ata që janë të thirrur në jetën meshtarake dhe fetare dhe që të mund të shohim "modele të besueshme të përkushtimit bujar ndaj Zotit dhe vëllezërve tanë". Në mesazhin për Ditën e sotme Papa përsëriti thirrjen e paraardhësit të tij, Françeskut: mirëpritini dhe shoqërojini brezat e rinj

R.SH. - Vatikan

Është festë. Sheshi i Shën Pjetrit është plot me entuziazmin e njëqind mijë njerëzve: shtegtarë, turistë, banorë të Romës të të gjitha moshave dynden atje ku tri ditë më parë bota dëgjoi njoftimin e Papës së ri, i cili sot e përsërit atë nga lozha qendrore e Bazilikës duke shqiptuar, me gëzim, Regina Coeli-n e tij të parë.

Dashuria e shprehur nga Pasardhësi i Pjetrit, e madhe dhe e qartë, u drejtohet edhe qindra njerëzve të mbledhur në kryeqytet për Jubileun e Bandave Muzikore dhe Shfaqjeve Popullore. Gjithçka është mozaik ngjyrash me muzikë shëtitëse, i cili që në orët para të mesditës derdhej në Via della Conciliazione pas Meshës së kremtuar në Piazza Cavour. Një koreografi tepër e suksesshme, e cila përhapte bukuri dhe gëzim. Përshtypja është ajo e një pëlhure gjeografike shumëkulturore, në të cilën ndërthuren sheshet e mijëra fshatrave, ku besimi popullor është ende i gjallë dhe lidhjet e përbashkëta i rezistojnë individualizmit.

Sheshi i Shën Pjetrit me 100 mijë njerëz
Sheshi i Shën Pjetrit me 100 mijë njerëz   (@Vatican Media)

Është Krishti, që e udhëheq Kishën

Është e Diela e Bariut të Mirë, ajo në të cilën liturgjia shpall gjithmonë Ungjillin e Gjonit, në kapitullin 10, ku Jezusi, siç kujtoi Leoni XIV në fillim të homelisë, “zbulohet si Bariu i vërtetë, që i njeh dhe i do delet e veta dhe jep jetën për to”. Një rastësi, ajo e fillimit të shërbimit të tij si Ipeshkëv i Romës pikërisht në këtë përvjetor, të cilin Papa e mirëpret si dhuratë. Dita Botërore e Lutjes për Thirrjet, që festohet sot, është arsye për gëzim e lutje të mëtejshme. Siç bëri në homelinë e Meshës me kardinalët, një ditë pas zgjedhjes, shikimi i Papës ngulet tek Krishti:

Është Ai që e udhëheq Kishën me Shpirtin e Tij të Shenjtë.

Të rinjtë gjejnë pranim dhe modele të besueshme për t'u ndjekur

Leoni XIV citon Papën Shën Gregori i Madh dhe një nga predikimet e tij në të cilin vë në dukje përkimin e popullit të Perëndisë, me dashurinë e atyre që e duan. Papa Augustinian, lutja e të cilit nuk shkëputet kurrë nga ajo e popullit të Zotit, është për thirrjet, "veçanërisht ato të meshtarisë dhe të jetës rregulltare":

Kisha ka shumë nevojë për këtë! Dhe është e rëndësishme që të rinjtë e të rejat të gjejnë, në bashkësitë tona, mirëseardhje, dëgjim, inkurajim në udhën e tyre profesionale dhe mbështetje në modele të besueshme të përkushtimit bujar ndaj Zotit dhe vëllezërve të tyre.

  (@Vatican Media)

Kërkesa për barinj sipas "zemrës së Zotit"

Leoni XIV nuk mund të mos kujtojë Mesazhin e Papës Françesku, i cili përqendrohet në mikpritjen dhe shoqërimin e të rinjve. E është frymë uniteti me të cilën Papa i sapozgjedhur i larton lutjen e vet Zotit për këtë ditë. Ajo që del në pah nuk është aq shumë vëmendja ndaj numrave, por më tepër dëshira që vreshti i Zotit të frymëzohet nga dishepuj të mirëfilltë, meshkuj e femra:

T’i lutemi Atit qiellor që të jemi për njëri-tjetrin, secili në bazë të gjendjes, barinj “sipas zemrës së tij” e, të aftë për ta ndihmuar njëri-tjetrin, të ecim në dashuri e vërtetësi. E të rinjve u them: “Mos kini frikë! Pranojeni ftesën e Kishës dhe të Krishtit Zot!”.

Virgjëra Mari, jeta e së cilës ishte  përgjigje ndaj thirrjes së Zotit, ju shoqëroftë gjithnjë në ndjekjen e Jezusit.

  (@Vatican Media)
11 maj 2025, 12:43

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >