MAP

Papa takohet me migrantët Papa takohet me migrantët

Papa: të drejtat e emigrantëve dhunohen edhe me bashkëpunimin e autoriteteve

Papa Françesku e përfundon udhëtimin e tij në Maltë duke takuar rreth 200 emigrantë në Qendrën “Gjoni XXIII Peace Lab” në Hal Far: “T’i shohim njerëzit jo si numra. Të mendojmë sikur fëmijët tanë të ishin në barkat” me të cilat udhëtojnë migrantët. Papa dëgjon dy dëshmi:" Historitë tuaja kujtojnë ato të mijëra njerëzve, që ikin nga Ukraina, për shkak të një lufte të padrejtë dhe të egër”. Më pas, lutja para Zojës, së bashku me një familje refugjatësh

R. SH. - Vatikan

Pasdite, takimi i fundit i parashikuar. Papa u takua me 200 migrantë  në teatrin e vogël të Peace Lab, kushtuar Shën Gjonit XXIII në Hal Far, themeluar në vitin 1971 nga ati françeskan Dionysius Mintoff. Sot strehon 55 migrantë pa dokumenta, ardhur kryesisht nga Mali, Eritrea, Etiopia, Guinea, Senegali. Kjo qendër lindi që kur preku bregun barka e parë me këta refugjatë të pastrehë, të cilët tani kanë edhe  shkollë e klinikë e janë integruar në bashkësinë malteze. Papa dëgjoi dëshmitë e tyre dhe i falënderoi që ia hapën zemrën, e njëkohësisht, u bënë zë i vëllezërve e motrave të shumta, që detyrohen të lënë atdheun, për të kërkuar strehë të sigurta nëpër rrugët e botës:

“Është përvojë që mijëra njerëz, gra e fëmijë e bënë  këto vite në Mesdhe - kujtoi Papa - e për fat të keq, për shumë prej tyre u shndërrua në tragjedi. Pikërisht dje u mor vesh lajmi për shpëtimin, në brigjet e Libisë, të vetëm katër emigrantëve nga një barkë ku ndodheshin 90 vetë. Të lutemi për këta vëllezër, që gjetën vdekjen në Detin tonë Mesdhe. E të lutemi që të shpëtojmë edhe nga një mbytje tjetër, ndërsa ndodhin këto fakte: mbytja e qytetërimit, që kërcënon jo vetëm refugjatët, por edhe ne të gjithë. Si mund të shpëtojmë nga kjo fundosje, që rrezikon ta mbytë anijen e qytetërimit tonë?”.

Papa iu përgjigj pikërisht kësaj pyetjeje, që shqetëson sot mbarë njerëzimin:

“Duke u sjellë me humanizëm. Duke i parë njerëzit  jo si numra, por ashtu si janë, me fytyrat, me historitë, thjesht si motra e vëllezër. E duke menduar se në vend të njeriut, që e shikoj mbi barkë, në det, në televizor  a në fotografi, në vend të tij, mund të jem unë, mund të jetë im bir, ime bijë…Ndoshta edhe në këtë çast, ndërsa barkat kapërcejnë detet nga jugu në veri…”.

E Papa na ftoi të gjithë të lutemi për këta vëllezër e këto motra, që rrezikojnë jetën në ujrat pa fund, në kërkim të një fundi të lumtur.

Pasi përshkroi disa nga situatat e trishta, tipike për jetën e migrantëve, u tregoi të pranishmëve ëndrrën e tij:

“Ëndrra ime është që ju, migrantë, pasi u pritët me humanizëm e vëllazërim, të bëheni dëshmitarë e animatorë të mikpritjes e të vëllazërisë. Ëndërr, që e vë në dorë të Zotit”.

Gjoni XXIII - Papa i enciklikës për paqen

Më pas, Papa kujtoi se qendra ku bëhej takimi, mban emrin  e Papës Gjoni XXIII e u ndalua tek pjesa e fundit e Enciklikës së Tij kushtuar paqes, sot më aktuale se kurrë:

“Largoje, o Zot nga zemra e njerëzve çka mund ta rrezikojë paqen!  Shndërroi në dëshmitarë të së vërtetës, të drejtësisë, të dashurisë vëllazërore. Ndriçoji krerët e popujve që, njëheresh me mirëqenien e qytetarëve të tyre, të garantojnë e të mbrojnë edhe dhuratën e madhe të paqes;  ndizja të gjithëve vullnetin për t’i kapëcyer muret që ndajnë, për t’i kuptuar të tjerët, për t’i falur ata, që bëjnë padrejtësi. Për virtut të veprës Sate, u vëllazërofshin mbarë popujt e tokës e lulëzoftë e mbretëroftë gjithnjë e shumëdëshiruara paqe”.

Më pas, duke kujtuar qiriun, që do të ndizte para ikonës së Zojës,  pohoi se flakëza e vogël është simbol i besimit në Zotin. Simbol shprese. Shpresë në Marinë, që na ndihmon në çaste të vështira. Shpresë - u kujtoi Papa migrantëve, mes të cilëve e ndjente veten si vëlla mes vëllezërve - që e pashë sot në sytë tuaj.

Urimi i fundit: “Zoja ju ndihmoftë të mos e humbisni kurrë këtë shpresë!”.

03 prill 2022, 18:23