MAP

Ukraina, Papa Françesku: ndaluni për të shikuar mizorinë e luftës

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një thirrje të re për Ukrainën, që të garantohet hyrja në zonat e luftës e të sigurohen korridoret humanitare. Françesku i falënderoi të gjithë ata, që po angazhohen për strehimin e refugjatëve si dhe gazetarët, që po i tregojnë botës mizoritë e konfliktit. Foli, në fund, edhe për veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë lidhur me bisedimet për paqen.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku foli përsëri për tragjedinë e luftës në Ukrainë, duke përsëritur me forcë thirrjen për paqen. Mendimi i Papës shkoi menjëherë tek plagët, që po i hapen popullit ukrainas:

“Në Ukrainë rrjedhin lumenj gjaku e lotësh. Nuk bëhet fjalë vetëm për operacioneushtarake, por për luftë të mirëfilltë, që mbjell vdekje, shkatërrim e mjerim. Viktimat janë gjithnjë më të shumta, ashtu si edhe njerëzit në ikje, posaçërisht nënat e fëmijët. Në këtë vend të martrizuar  rritet dramatikisht nga ora në orë nevoja për ndihmë humanitare”.

Të sigurohen korridoret humanitare

Duhet, prandaj, të sigurohet menjëherë mbrojtja e popullsisë civile. Këtë e kërkoi me forcë Françesku:

“Bëj thirrje që të sigurohen me të vërtetë korridoret humanitare e të garantohet dhe të lehtësohet hyrja e ndihmave në zonat e rrethuara, për t’i dhënë mbështetjen jetike vëllezërve e motrave të tmerruara nga bombat e nga frika”.


Epërsi bisedimeve

Papa u shprehu mirënjohjen veprimtarëve të shumtë, të angazhuar në strehimin e refugjatëve dhe kërkoi rifillimin sa më të shpejtë të bisedimeve:

“I falënderoj të gjithë ata, që po i mikpresin refugjatët. Lutem, sidomos  që të pushojnë sulmet e armatosura, të kenë epërsi bisedimet e mirëkuptimi dhe  të respektohet e drejta ndërkombëtare”.

Falënderim gazetarëve

Papa i falënderoi në mënyrë të veçantë edhe gazetarët që, me punën e tyre  e afrojnë mbarë botën pranë realitetit të llahtarshëm të luftës:

“E dëshiroj t’i falënderoj edhe gazetaret e gazetarët që, për të garantuar informimin, vënë në rrezik edhe jetën: faleminderit, vëllezër e motra për këtë shërbim! Shërbim që na krijon mundësinë të jemi pranë dramës së kësaj popullate e ta  prekim me dorë mizorinë e luftës. Faleminderit, vëllezër e motra. Të lutemi së bashku për Ukrainën: këtu para nesh kemi flamujtë e saj. T’i lutemi së bashku, si vëllezër, Zojës, Mbretëreshë e &ܳ;”.

Selia e Shenjtë, në shërbim të paqes

Françesku përfundoi duke kujtuar përpjekjet diplomatike të Selisë së Shenjtë  dhe vendosmërinë e saj  për t’u vënë në shërbim të paqes:

“Selia e Shenjtë është e gatshme të bëjë gjithçka të mundur për t’u vënë në shërbim për këtë paqe. Këto ditë shkuan në Ukrainë dy kardinaj, për t’i shërbyer popullit, për ta ndihmuar. Kardinali Krajewski, lëmoshtar apostolik, për t’u çuar ndihma nevojtarëve dhe kardinali Czerny, prefekt i përkohshëm i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Prania e dy kardinajve  aty, është jo vetëm prani e vetë Papës, por e gjithë popullit të krishterë, që dëshiron të ndjehet pranë e të thotë: “Lufta është marrëzi. Ndaluni, ju lutemi! Shikojeni gjithë këtë mizori!”.

06 mars 2022, 14:17