MAP

Kryepeshkopi Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara: t'i edukojmë të rinjtë për paqe Kryepeshkopi Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara: t'i edukojmë të rinjtë për paqe

Selia e Shenjtë: themelore të edukohen të rinjtë për respektimin e njeriut

Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, tregon udhën për t’i ndihmuar të rinjtë të shmangin rreziqet që lidhen me epokën e tanishme të konfliktit, të krimit dhe të dhunës. Prindërit, mësuesit, politikanët, gazetarët, organizatat dhe grupet fetare ftohen të luajnë një rol kyç në krijimin e kulturës së paqes.

R.SH. / Vatikan

Konfliktet e armatosura dhe pasojat e tyre, si zhvendosjet, radikalizimi dhe dhuna, veçanërisht në internet; e edhe joshja e një jete kriminale: këto janë rreziqet me të cilat përballet një numër gjithnjë në rritje i të rinjve sot, gjë që po shkakton shqetësim për Selinë e Shenjtë. Kryeipeshkvi Imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, e shprehu këtë frikë për të ardhmen e të rinjve në fjalimin e tij më 2 shtator, në Nju Jork, në Forumin e nivelit të lartë mbi zbatimin e Programit të veprimit për kulturën e Paqes, me titull "T’u jepet pushtet të rinjve për kulturën e paqes".

Edukimi i të rinjve për respekt

Që të rinjtë “t’i kultivojnë dhe t’i jetojnë miqësitë shoqërore", shpjegon Imzot Caccia, duhet të inkurajohen dhe të mbështeten. Kjo do t'i mundësojë "t’i vlerësojnë të gjitha ndryshimet e edhe propozimet  e secilit individ”.

Prej këndej, sqarimi i Kryeipeshkvit Caccia lidhur me rëndësinë që Selia e Shenjtë u jep neneve 4 dhe 8 të Deklaratës mbi Kulturën e Paqes, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, që na kujton se "arsimi, në të gjitha nivelet, përbën një nga mjetet kryesore për ndërtimin e kulturës së paqes" dhe se "roli kryesor në nxitjen e kulturës  paqësore u takon prindërve, mësuesve, politikanëve, gazetarëve dhe organizatave e grupeve fetare [...]". Pikërisht në këto bashkësi, thekson vëzhguesi i përhershëm, “të rinjtë formohen" me vlera, qëndrime dhe mënyra jetese, që të mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në rrugë paqësore, me respekt për dinjitetin njerëzor dhe në frymën e tolerancës, larg çdo diskriminimi.

Promovimi i Paqes

Duke kujtuar miliona të rinj që mbërritën në Romë në gusht për Jubileun e Rinisë, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara theksoi "fuqinë transformuese të vëllazërisë dhe të miqësisë", vlera që mund të modelojnë një botë ku dialogu - jo armët - mund t’i zgjidhin konfliktet.

Në përfundim, Kryeipeshkvi imzot Caccia, duke kujtuar temën e mesazhit të Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes 2026, "Paqja qoftë me ju të gjithë: drejt një paqeje ‘të paarmatosur dhe çarmatosëse’”, shprehu besimin se të rinjtë do të mund ta "pranojnë këtë ftesë kudo që jetojnë, ndërmjet familjeve e miqve të tyre, në shkollë, në punë e në sport, 'duke kumtuar mesazhin e vërtetë të shpresës për paqen, me frymën e harmonisë ndërmjet gjithë popujve'".

03 shtator 2025, 14:15