Selia e Shenjtë: shqetësim për rikthimin e retorikës agresive bërthamore
R.SH. – Vatikan
Në vend që të përparojë drejt paqes, bota duket se po lëviz në drejtim të kundërt, duke u bërë vend gjithnjë e më tepër armëve më shkatërrimtare, që ka krijuar njeriu. Në një fjalim në Nju Jork, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Gabriele Caccia, shprehu shqetësimin e madh të Selisë së Shenjtë, gjatë seancës plenare të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme kushtuar Ditës Ndërkombëtare kundër Provave Bërthamore.
"Tetëdhjetë vjet më parë", vuri në dukje përfaqësuesi i Vatikanit, "shpërthimi i bombës së parë bërthamore i zbuloi botës një forcë shkatërrimtare të paparë. Ajo ngjarje ia ndryshoi rrjedhën historisë dhe shtriu një hije të errët mbi njerëzimin, me pasoja të rënda si për jetën e njeriut, ashtu edhe për gjithësinë e krijuar nga Zoti. Dëmet, që solli kjo ngjarjeje dramatike, kanë çuar në besimin problematik se paqja dhe siguria mund të ruhen përmes logjikës së parandalimit bërthamor, një koncept që vazhdon të sfidojë arsyetimin moral dhe ndërgjegjen ndërkombëtare". Pra, ndokush mendon se duke shtuar armët bërthamore, shtohet edhe frika në ata, që kanë ndërmend të cënojnë paqen, duke i bërë të tërhiqen nga synimet e tyre.
Prelati kujtoi se që nga testi i parë bërthamor më 16 korrik 1945, mbi dy mijë prova të tjera bërthamore janë kryer në atmosferë, nën tokë, në oqeane dhe mbi tokë: "Këto veprime i kanë cënuar të gjithë, veçanërisht popujt indigjenë, gratë, fëmijët dhe fëmijët në barkun e nënës. Shëndeti dhe dinjiteti i shumë njerëzve vazhdojnë të kompromentohen në heshtje dhe shpesh pa asnjë dëmshpërblim”.
Për këtë arsye, shtoi ai, Selia e Shenjtë e fton bashkësinë ndërkombëtare të reflektojë mbi përgjegjësinë urgjente e të përbashkët për t’u siguruar që përvojat e tmerrshme të së kaluarës të mos përsëriten: "Është veçanërisht shqetësuese që, përballë kësaj përgjegjësie të rëndësishme e të përbashkët, përgjigja globale duket se po shkon në drejtim të kundërt. Në vend që të përparojmë drejt çarmatimit dhe kulturës së paqes, vërejmë rikthimin e retorikës agresive bërthamore, zhvillimin e armëve gjithnjë e më shkatërrimtare dhe shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve ushtarake, shpesh, në dëm të investimeve për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe për të mirën e përbashkët. Është e domosdoshme ta kapërcejmë frymën e frikës dhe të kapitullimit. Siç deklaroi së fundi Papa Leoni XIV: "Nuk duhet të mësohemi me luftën! Përkundrazi, duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen për armatime të fuqishme dhe të sofistikuara" (Audienca e përgjithshme, 18 qershor 2025)".
Ndërtimi i "një bote pa armë bërthamore", vazhdoi kryeipeshkvi Caccia, "nuk është vetëm domosdoshmëri strategjike dhe jetësore, por edhe përgjegjësi e madhe morale. Ky impenjim kërkon një angazhim të ri në dialogun shumëpalësh dhe në zbatimin e traktateve të çarmatosjes, si edhe mbështetje konkrete për ato bashkësi, që vazhdojnë të vuajnë pasojat afatgjata të provave bërthamore dhe të zhvillimit të armëve".
“Selia e Shenjtë”, përfundoi përfaqësuesi i Vatikanit, “thekson rëndësinë e hyrjes në fuqi të Traktatit të ndalimit të plotë të Provave Bërthamore, së bashku me zbatimin e plotë të Sistemit Ndërkombëtar të Mbikqyrjes dhe të mekanizmave të tij të verifikimit”. Gjithashtu, ajo “vë në dukje mbështetjen e saj të pakushtëzuar për Traktatin mbi Ndalimin e Armëve Bërthamore”, duke bërë thirrje për “forcimin e vazhdueshëm të normave globale kundër testimeve bërthamore me shpërthim, si hap themelor drejt paqes së vërtetë dhe të qëndrueshme”.