Selia e Shenjtë në OKB: të mbrohet dinjiteti dhe puna e të moshuarve, të mbështeten gratë dhe familjet
R.SH. - Vatikan
Mbrojtja e të drejtave të njeriut të të moshuarve në mbarë botën. Ky është apeli i bërë nga kryeipeshkvi Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, gjatë fjalimit të tij dje, të mërkurën më 17 shtator, në sesionin e 60-të të rregullt të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Nunci apostolik imzot Balestrero paralajmëroi gjithashtu se shoqëritë në mbarë botën nuk janë të përgatitura për të përballuar ndryshimet demografike që po vijnë. Deri në vitin 2030, argumentoi ai, rreth një në gjashtë persona do të jetë 60 vjeç ose më shumë, për një total prej 1.4 miliardë njerëzish, një mumër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2050. Në këtë kontekst ndryshimi, kryeipeshkvi Balestrero theksoi se brishtësia dhe dinjiteti i të moshuarve duhet të mbrohen me respektin e duhur dhe me ndërhyrje konkrete, të cilat përfshijnë edhe mirëqenien e tyre ekonomike dhe sociale.
Vlera e personit
“Ky ndryshim demografik është gjithashtu një provë morale se si shoqëritë vlerësojnë dhe kujdesen për të moshuarit e tyre”, tha prelati. Me plakjen e popullsisë, është e nevojshme të gjendet një mënyrë për të rishpërndarë burimet midis mbështetjes së qytetarëve aktivë dhe ndihmës për ata që kanë nevojë, tha Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke shtuar se ky ndryshim nuk mund të ndodhë në kurriz të të moshuarve. Dinjiteti i tyre, tha ai, nuk zvogëlohet me moshën apo përkeqësimin fizik dhe mendor. “Vlera e një personi nuk mund të përcaktohet nga rinia, efikasiteti, fuqia fizike apo shëndeti i përsosur, sepse ajo qëndron në të vërtetën e pandryshueshme se çdo person është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit, një fakt që nuk mund të fshihet as nga koha”, tha imzot Balestrero.
Të moshuarit nuk janë barrë
Përfaqësuesi papnor pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka vënë gishtin kundër politikave "përdor e hidh", të cilat i konsiderojnë të moshuarit si barrë për shoqërinë, politika që përfshijnë masat për legalizimin e eutanazisë ose vetëvrasjes së asistuar. Këto politika, tha imzot Balestrero, promovojnë "një kulturë të vdekjes" në vend të respektit për të moshuarit tanë. Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara ka nxitur mbrojtjen e dinjitetit të të moshuarve përmes pensioneve, mbështetjeve ekonomike dhe shërbimeve socio-shëndetësore. Në rast se të moshuarit duhet të vazhdojnë të punojnë për të mbajtur veten, ata duhet të gëzojnë mbrojtje në tregun e punës për të luftuar diskriminimin, tha imzot Balestrero. "Atyre u mohohet pushimi që meritojnë dhe mundësia për të transmetuar urtinë dhe këshillat e tyre brezave të rinj, duke u mundësuar atyre të përballen me të ardhmen me shpresë dhe përgjegjësi".
Mbështetja e grave dhe familjeve
Gratë, në veçanti, theksoi imzot Balestrero, duhet të kenë qasje të barabartë në mbrojtjen sociale dhe pensionet për t'i mbrojtur ato në moshën e tretë. Në përfundim, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për solidaritet ndërbrezash në mënyrë që të mbështeten sisteme të forta të sigurisë sociale, veçanërisht në mbështetje të familjes, ku shumë të moshuar gjejnë burimin e tyre të vetëm të ndihmës. Selia e Shenjtë, përfundoi ai, "kërkon më shumë investime në politikat e mbrojtjes sociale në mbështetje të familjeve, me qëllim forcimin dhe ruajtjen e familjes si themel i qëndrueshëm i shoqërisë njerëzore".