Vatikani dhe Vietnami, përfundoi takimi i 12-të i Grupit të Përbashkët të Punës
R. SH. / Vatikan
Takimi i dymbëdhjetë i Grupit të Përbashkët të Punës ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë u zhvillua dje, të premten më 12 shtator, në Vatikan. Takimi, thuhet në një deklaratë për shtyp, u kryesua nga monsinjor Mirosław Wachowski, nënsekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në krye të delegacionit të Selisë së Shenjtë dhe nga Le Thi Thu Hang, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe kryetare e delegacionit vietnamez. “Gjatë bisedimeve”, thekson dokumenti, të dyja palët trajtuan çështjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe situatën e Kishës Katolike në Vietnam. Gjithashtu u njoh “kontributi i bashkësisë katolike në zhvillimin e vendit, në shenjë të dëshmisë ungjillore dhe angazhimit qytetar”.
Kënaqësia për progresin e bërë
Si Selia e Shenjtë ashtu edhe Vietnami, thuhet në deklaratë, "shprehën kënaqësinë për progresin e bërë" pas takimit të 11-të, të mbajtur majin e kaluar 2024 në Hanoi, kryeqytetin e vendit aziatik, "duke kujtuar dialogun e vazhdueshëm, shkëmbimet e delegacioneve në nivele të ndryshme - veçanërisht në nivel të lartë - dhe aktivitetet e përfaqësuesit papnor rezident në Hanoi, kryeipeshkvit Marek Zalewski".
Promovimi i mëtejshëm i marrëdhënieve
Të dy delegacionet, thuhet më tej në dokument, "ripohuan vullnetin për të promovuar më tej marrëdhëniet përmes takimeve të reja", e gjithashtu ranë dakord "të vazhdojnë me rregullsi takimet e Grupit të Punës të Përbashkët". Punimet u zhvilluan në një atmosferë "të përshkruar si të përzemërt dhe të bazuar në besim të ndërsjellë".
Audiencat me Papën dhe në Sekretarinë e Shtetit
Komunikata përfundon duke shpjeguar se, gjatë qëndrimit në Vatikan, delegacioni vietnamez u prit nga Papa Leoni XIV. Më pas pasuan vizitat e kortezisë te kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, dhe te kryeipeshkvi Paul Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.