Papa: më 19 shtator në Lateran përuron e vitin e ri baritor të dioqezës së Romës
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV do të hapë zyrtarisht vitin e ri baritor të dioqezës së Romës, me rastin e asamblesë dioqezane, pasditen e së premtes, 19 shtator, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Në veçanti, në orën 17:15 është parashikuar mbërritja dhe pritja e pjesëmarrësve të kësaj asambleje dioqezane; në orën 17:45 do të mbërrijë Papa Leoni XIV, i cili, në orën 18:00, do të udhëheqë liturgjinë e Fjalës së Zotit dhe do të dorëzojë udhëzimet pastorale. Në orën 19:30 përfundimet e asamblesë së dioqezës së Romës.
Përveç famullitarëve, vikarëve famullitarë, rektorëve, kapelanëve, diakonëve do të jenë të pranishëm: tre laikë për çdo famulli kishtare të Romës, disa përfaqësues të Këshillit të bashkimeve laike dhe disa përfaqësues të instituteve rregulltare mashkullore dhe femërore. Lajmin zyrtar të takimit e ka dhënë kardinali Vikari Baldo Reina, me një letër drejtuar të gjithë besimtarëve të dioqezës së Romës.
"Kemi jetuar ditë hiri me rastin e Jubileut të të rinjve - kujton kardinali Reina -; ende e ruajmë kujtimin dhe shpresojmë - mbi të gjitha - të vëmë në zbatim atë që kemi përjetuar me praninë dhe fjalët e Ipeshkvit tonë, Papës dhe me dashurinë e të rinjve që erdhën në numër të madh nga e gjithë bota". Vikari i Papës për dioqezën e Romës, kard. Reina reflekton edhe për shtegtimin dioqezan në Shenjtëroren e Zojës në Lourdes, i cili përfundon sot, gjatë të cilit "viti pastoral që po fillon u vu në duart e Marisë dhe udha e Kishës sonë iu besua Nënën së Jezusit".