Kalendari i kremtimeve të Papës për muajin tetor
R.SH. / Vatikan
Një muaj tetor intensiv me kremtime të ndryshme për Papa Leonin XIV në shenjë të Jubileut të Shpresës, në Sheshin e Shën Pjetrit. Më datën 5 të muajit tetor, Papa Leoni XIV në orën 10.30 do të kremtojë Meshën për Jubileun e Botës Misionare dhe për Jubileun e Migrantëve. Katër ditë më vonë, të enjten më 9 tetor, Mesha, gjithmonë në orën 10.30 në Shën Pjetër, për Jubileun e Jetës së Kushtuar, jetën rregulltare. Të dielën paradite më 12 tetor, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të kryesojë Meshën për Jubileun e Spiritualitetit Marian.
Një javë më vonë, më 19 tetor në orën 10.30, në Ditën Botërore të Misionit, në kalendar është kremtimi i Meshës për kanonizimin e shtatë të Lumturve. Janë martirët Ignazio Choukrallah Maloyan, kryeipeshkvi armen katolik i Mardinit, që vdiq gjatë gjenocidit të vitit 1915, dhe Peter To Rot, laik e katekist papuan, vrarë në vitin 1945 për shkak të vazhdimit të apostullimit të tij të krishterë pavarësisht ndalimit të vendosur nga japonezët. Peter To Rot do të jetë Shenjti i parë i Papua Guinesë së Re. Do të kanonizohet gjithashtu edhe Vincenza Maria Poloni, themeluese e Institutit të Motrave të Mëshirës së Veronës; Maria del Monte Carmelo Rendiles Martínez, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Jezusit; Maria Troncatti, motër rregulltare e Kongregatës së Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Gjithnjë më 19 tetor do të shpallen Shenjtorë dy laikët José Gregorio Hernández Cisneros, mjeku venezuelian anëtar i Urdhrit Françeskan Sekular, i njohur si "mjeku i të varfërve" të cilëve u ofronte kujdes dhe u paguante edhe ilaçet, dhe Bartolo Longo, themelues i Shenjtërores së Zojës Rruzare në Pompei, figurë shumë e dashur në Itali por edhe në botë. Më 26 tetor të ardhshëm, Papa Leoni XIV do të kremtojë Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 10.00 për Jubileun e Ekipeve Sinodale dhe të organeve të saj pjesëmarrjes. Është fjala për grupe ose persona që janë pjesë e një këshilli presbiterial, këshilli pastoral, këshilli për çështjet ekonomike, aktivë si në nivelin dioqezan ashtu edhe eparkial, kombëtar ose në nivelin e disa grupimeve të Kishës. Të hënën më 27 tetor, është program kremtim i Meshës kryesuar nga Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 17.30, me studentët universitarë të Universiteteve Papnore që janë në Romë.