MAP

Giubileo, in un mese gi� 1 milione di pellegrini in Porta Santa

Jubileu i Punonjësve të Drejtësisë, priten mbi 15 mijë vetë në Romë

Për herë të parë në historinë e Vitit Shenjt, është organizuar një ngjarje jubilare kushtuar të gjithë atyre, që punojnë në botën e drejtësisë. Nga gjyqtarët te magjistratët, nga shoqatat te universitetet dhe agjencitë qeveritare, priten pjesëmarrës nga afërsisht 100 vende

R.SH. – Vatikan

Për herë të parë në historinë e Jubilenjve, veprimtaria jubilare, që do të mbahet në Romë të shtunën, më 20 shtator, i kushtohet tërësisht punonjësve të drejtësisë - të gjithë atyre që përfshihen në nivele të ndryshme në botën e drejtësisë laike, kanonike dhe kishtare, në Shtet-Qytetin e Vatikanit dhe në Kurien Romake, si gjykatës, prokurorë publikë, magjistratë, avokatë, veprimtarë të së drejtës dhe personel administrativ, së bashku me familjet. Pritet të marrin pjesë mbi 15 mijë vetë nga rreth 100 vende, me delegacione të shumta nga Italia, Spanja, Portugalia, Polonia, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Brazili, Argjentina, Meksika, Kolumbia, Kili, Australia, Nigeria, Peruja dhe Filipinet.

Të shumta, edhe institucionet nga e gjithë bota, shoqatat e kategorisë, universitetet, veçanërisht fakultetet juridike të universiteteve papnore dhe katolike, si edhe përfaqësues nga subjekte si Ministria e Drejtësisë së Republikës Italiane, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Kasacionit,  subjekte institucionale nga Italia, Franca, SHBA-të, Brazili, Kolumbia, Spanja e Vatikani.

Programi: lectio në Sheshin e Shën Pjetrit

Ngjarja e Jubileut do të fillojë paraditen e 20 shtatorit në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 10.30, me një përshëndetje zyrtare të pro-prefektit të Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, i cili do të paraqesë “lectio”-n e mbajtur nga Sekretari i Dikasterit për Tekstet Legjislative, imzot Juan Ignacio Arrieta, me temë "Iustitia Imago Dei: veprimtari i Drejtësisë, mjet i shpresës". Për të hyrë në shesh, duke filluar nga ora 8.00 e mëngjesit, duhet të merret një biletë falas në Pikën e Informacionit të Jubileut, e hapur çdo ditë nga ora 7.00 deri në orën 19.00 në Via della Conciliazione 7, deri të premten, më 19 shtator. Shtegtarët mund të ndjekin gjithçka përmes përkthimit simultan, nëpërmjet aplikacionit Vatican Vox, i cili mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo smartphone.

Audiencë me Papën në mesditë

Pas kësaj, në mesditë, po në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV do të mbajë audiencën jubilare, duke iu drejtuar në veçanti punonjësve të drejtësisë. Të gjithë shtegtarët do të kalojnë Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit ndërmjet orës 13.00 dhe 18.00. Të shtunën pasdite në orën 17.00, në Palazzo della Cancelleria në Romë, do të zhvillohet një bisedë me Samuel Alito-n, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, organizuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Selinë e Shenjtë (ngjarja është vetëm me ftesë). Në orën 18.30, në Palazzo Altemps në Romë, do të ketë edhe një Disputatio, organizuar nga Ambasada e Francës në Selinë e Shenjtë dhe nga Institucionet fetare të Francës në Romë dhe Loreto, kryesuar nga profesor Patrick Valdrini.

19 shtator 2025, 10:37