ÐÓMAPµ¼º½

IRAQ-RELIGION-CHRISTIANITY-PALM-SUNDAY

"Dhanë jetën për të dëshmuar Ungjillin": 1700 martirë të rinj në shekullin XXI

Në një konferencë në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, anëtarët e "Komisionit të Martirëve të Rinj - Dëshmitarë të Fesë" folën për punën e tyre të deritanishme dhe paraqitën kremtimin ekumenik të 14 shtatorit, që do të kryesohet nga Papa Leoni XIV. Kryeipeshkvi Fabene: "Këta vëllezër dhe motra e kanë ngulur spirancën e shpresës jo në realitetin e botës, por në zemrën e Zotit". Riccardi: "Të krishterët vazhdojnë të vdesin, sepse dëshmojnë Ungjillin"

R.SH. – Vatikan

         Rreth 1.700 martirë dhe dëshmitarë të fesë të shekullit XXI janë njohur si të tillë nga Komisioni përkatës, themeluar në vitin 2023 nga Papa Françesku në Dikasterin e Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve. Kjo shifër u dha sot, më 8 shtator, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë një konference, ku u paraqit puna e deritanishme e "Komisionit të Martirëve të Rinj - Dëshmitarë të Fesë" dhe kremtimi ekumenik, organizuar prej tij për të dielën, 14 shtator. Mesha në Bazilikën papnore të Shën Palit Jashtë Mureve do të kryesohet nga Papa Leoni XIV, në festën e Lartimit të Kryqit.

         Treqind e katër martirë janë nga kontinenti amerikan, 153 evropianë, të vrarë në Kontinentin e Vjetër dhe në mision nëpër botë, 277 humbën jetën në Lindjen e Mesme dhe Magreb, 357 në Azi dhe Oqeani e 643 në Afrikë, kontinenti "ku të krishterët vdesin më shumë", shpjegoi Andrea Riccardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit dhe zv.kryetar i Komisionit me 11 anëtarë. Historitë e marra në shqyrtim nga Komisioni i erdhën nga çdo gjerësi gjeografike, nga Kisha dhe emërtimet të ndryshme të krishtera, nga dioqeza, Konferenca Ipeshkvnore, institute rregulltare dhe organizma të tjera kishtare. Këto jetë dëshmojnë për persekutimin fetar, dhunën e organizatave kriminale, shfrytëzimin e burimeve natyrore, sulmet terroriste, konfliktet etnike dhe shkaqe të tjera për të cilat të krishterët ende vriten. «Fatkeqësisht, të krishterët vazhdojnë të vdesin», nënvizoi Riccardi, «e vazhdojnë të vdesin, sepse janë dëshmitarë të Ungjillit, sepse janë të apasionuar pas Zotit, vëllezërve dhe motrave të tyre, sepse janë shërbëtorë të vërtetë të njerëzimit, sepse janë komunikatorë të lirë të fesë». «Shpesh, vetë prania e një të krishteri si njeri i ndershëm, që i bindet ligjit, i përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët krijon shqetësim tek ata që duan të çojnë përpara plane kriminale», theksoi ai.

I vetmi kremtim ekumenik i Jubileut

Këta martirë do të përkujtohen në "të vetmin kremtim ekumenik në Romë gjatë gjithë Vitit Jubilar", i cili do të mbahet në festën e Lartimit të Kryqit, njoftoi kryeipeshkvi Fabio Fabene, sekretar i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve dhe kryetar i Komisionit. Njëzet e katër delegatë nga Kishat e krishtera dhe bashkësitë e mëdha do të jenë të pranishëm në Liturgjinë e Fjalës. "Gjallëria jetësore e Pagëzimit na bashkon të gjithëve", komentoi prelati. "Tek të krishterët që kanë dhënë jetën e tyre, realizohet ekumenizmi i gjakut, siç i pëlqente ta quante Shën Gjon Palit II. Kisha është e bashkuar pikërisht në martirizim". Nga ana tjetër, Papa Leoni XIV "shpreson që gjaku i këtyre martirëve të jetë farë paqeje dhe pajtimi, vëllazërie dhe dashurie, siç shkroi në rastin e sulmit të fundit terrorist në Kongo". "Tema themelore e liturgjisë është Ungjilli i Lumnive, i shkruar në korpin e Kishave të këtyre bijve, që humbën jetën duke mbrojtur shpresën me dashurinë e tyre për Ungjillin e për më të varfrit", theksoi imzot Marco Gnavi, sekretar i Komisionit. Kremtimi do të përfshijë lexime nga Kapitulli 3 i Librit të Urtisë, Psalmin 120 dhe një fragment nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut. Pas homelisë, liturgjia do të vazhdojë me përkujtimin e martirëve, që dëshmuan fenë. Pas shpalljes së çdo Lumnie, do të jepen dy ndjete lutjeje, të ndjekura nga historitë e disa prej martirëve, si të murgeshës Leonella Sgorbati, vrarë në Somali në vitin 2006, ose të një grupi të krishterësh ungjillorë, vrarë nga terroristët në Burkina Faso, në vitin 2019.

Në gjurmët e Komisionit të themeluar nga Shën Gjon Pali II

Në konfrencën për shtyp u vu në dukje se puna e Komisionit hyn në kuadrin e asaj të kryer nga organizmi i themeluar nga Papa shenjt Gjon Pali II për Jubileun e vitit 2000 për të analizuar dhe për të mbledhur historitë e dëshmitarëve të fesë së shekullit XX. Këto histori u ekspozuan më vonë në Memorialin për Martirët e rinj të Shekullit XX në Kishën e Shën Bartolomeut në Ishullin Tiberin, në Romë. Papa Gjon Pali II pati kremtuar edhe një përkujtim ekumenik në nder të këtyre martirëve, më 7 maj 2000, në Koloseum.

08 shtator 2025, 15:38