MAP

Assomption de la Vierge Marie

Të ngjiturit e Marisë në Qiell, dogmë feje nga dashuria e popullit

Ditën kur kremtohet solemniteti më i rëndësishëm kushtuar Marisë, rikujtojmë si u krijua dogma e Ngjitjes në Qiell. Për shumë shekuj, në mungesë të burimeve ungjillore, ishte bindje, që rrënjosej gjithnjë e më shumë në zemrat e besimtarëve. Kisha Katolike e pranoi vetëm në shekullin e kaluar, pikërisht për shkak të forcës së ndritshme të fesë së saj.

Duke nisur me Pashkët, shtegtimi i vitit liturgjik është fluturim ndërmjet qiellit e tokës: Ngjallja, Ngjitja në qiell, më pas Shpirti Shenjt që zbret në tokë përmes Rrëshajëve përmbi apostujt, e, përsëri, shndërrimi i Jezusit, që përmbledh në vetvete natyrën njerëzore e hyjnore. Arrijmë më 15 gusht, tek Maria, që ngjitet në qiell me korp e me shpirt.

Vijimi liturgjik nuk është i rastësishëm: plani i shëlbimit thellohet e ripërtërihet në festimet që ndjekin njëri-tjetrin gjatë gjithë vitit.

16 gusht, "dies natalis" e Marisë

Ngjitja në Qiell na kujton dies natalis të Marisë, ditën që shënon fundin e jetës së saj tokësore dhe fillimin e jetës qiellore, të pafundme, pranë të Birit. Ndërsa dies natalis në botën e hershme të krishterë quhej dita e vdekjes së besimtarit, që nuk ishte fundi i jetës njerëzore, por më tepër rilindje e saj. Ndaj përkujtimi liturgjik i shenjtorëve kremtohet gjithnjë në ditën e vdekjes së tyre, jo në atë të lindjes.

Tota pulchra

Koncili kishtar i Efezit, i thirrur nga Teodosi II në vitin 431, i dha Marisë titullin Theotokos (nga greqishtja Θεοτόκος), mbartëse - ose nënë - e Zotit, duke kapërcyer përkufizimin më të kujdesshëm të dhënë nga Kryepeshkopi i Kostandinopojës Nestorius i Christotokos (nga greqishtja Χριστότοκος), që do të thotë mbartëse e Krishtit.

Nga përkufizimi i Koncilit buron argumentimi i natyrshëm për Marinë e cila, duke qenë se mbante Zotin në bark dhe për këtë arsye duke qenë e lirë nga çdo formë mëkati, nuk mund t'i nënshtrohej ligjeve të natyrës. Eshtrat e Nënës së Zotit nuk mund t’i kalbte vdekja. Trupi i saj duhej ruajtur: kështu, ajo u ngjit në qiell me trup e me shpirt. Teologu arab i krishterë, Gjoni i Damaskut, që jetoi ndërmjet gjysmës së dytë të shekullit të 7-të dhe gjysmës së parë të shekullit të 8-të, pohon:

"Ishte e duhur që ajo, e cila e kish ruajtur virgjërinë e saj të paprekur gjatë lindjes së fëmijës, ta ruante edhe trupin e saj të lirë nga prishja, pas vdekjes. E ishte e përshtatshme që ajo, e cila e kishte mbajtur në barkun e saj Krijuesin si fëmijë, të banonte në banesën hyjnore. E e përshtatshme që Nusja e Zotit të hynte në shtëpinë qiellore. E përshtatshme që ajo, pasi e kishte parë Birin e saj në Kryq, duke marrë në trupin e vet dhimbjen që i ishte kursyer gjatë lindjes së fëmijës, ta sodiste Atë ulur në të djathtën e Atit. Ishte e përshtatshme që Nëna e Zotit të merrte atë që i takonte për shkak të Birit të saj dhe të nderohej nga të gjitha krijesat si Nënë e si skllave e Zotit (Homelia II in dormitionem B.V. Mariae, 14 [PG 96, 742])."

Zanafilla e solemnitetit të Ngjitjes në Qiell

Kulti ndaj Virgjërës Mari sigurisht nisi shumë përpara Koncilit të Efesit, i ushqyer nga feja dhe përkushtimi popullor e i përfshirë, më vonë, në shkrimet apokrife ndërmjet shekujve 4 dhe 5. Për të zëvendësuar heshtjen e Ungjijve, të cilët thonë shumë pak për Marinë, lindi një traditë, e cila përfshinte legjenda dhe histori që flisnin gjerësisht për jetën e saj, duke nisur nga Protoungjilli i Jakobit i shekullit të 2-të. Megjithatë, për të kuptuar rrethanat dhe mënyrën e vdekjes së saj, duhet të presim deri në shekullin e 5-të. U dukën dy rryma kryesore: e para pohon se shpirti i fjetur i Virgjërës Mari u mbart nga engjëjt së bashku me trupin e saj në qiell, ku do të priste, i paprishur, ditën e ringjalljes së njerëzimit (Pseudo-Gjoni Ungjillor). Varianti i dytë flet për vdekjen e ringjalljen pas tre ditësh, kur u ngjit në qiell (Melitoni i Sardës).

Nëse Zoja e Papërlyer, a e zënë pa mëkat, kishte rolin e ndërmjetësimit ndërmjet Zotit dhe njerëzimit, me Ngjitjen e saj në Qiell u bë  ndërmjetëse ndërmjet Zotit e njerëzimit, si zgjatje natyrore e veprës së Birit Jezus, që u mishërua në kraharorin e saj mbi dhé. E kjo shkaktoi shumë diskutime ndër shekuj, deri në Mesjetë. Pati gjithashtu një diversifikim tek ata, të cilët e përkufizuan vdekjen e Marisë  koimesis, që do të thotë fjetje përgjumje, në kontekstin Lindor edhe transitus, në atë Perëndimor, me Ngjitjet pasuese. Në shekullin e 9-të, Papa Leoni IV dhe Patriarku Bizantin Nikolla I e njohën festën e Ngjitjes në Qiell të Marisë, ndërsa disa shekuj më vonë, pas vizionit të mistikes gjermane Elizabeth e Schönau (1129-1164), ajo u përhap dhe u bë ditë e jashtëzakonshëm divocioni.

Festë lindur nga ndjesitë popullore

Diskutimet vazhduan të ishin të nxehta. Vetëm Shenjtorët Alberti i Madh, Toma i Akuinit dhe Bonaventura e mbështetën Ngjitjen e Zojës në Qiell. Por qëndrimet kundërshtare dobësoheshin gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës, ndërsa përkushtimi popullor bëhej gjithnjë e më i fortë dhe kapërcente dyshimet dhe mosmarrëveshjet. U shtuan Shkrimet e përshpirtshme dhe letrare, për të mos përmendur artet figurative: të gjitha e dëshmojnë si fakt pranimin e Ngjitjes në Qiell. Për shembull Dante, në Këngën XXXIII të Parajsës i shkroi vargjet prekëse, kur Shën Bernardi ndërmjetësonte për Poetin dhe i lutej Virgjërës që Ai të mund ta shihte Zotin. Ndër përkufizimet e famshme - për ata që nuk e njohin vargun e parë: "Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir” - Bernardi e quan Marinë mbretëreshë, duke e mbështetur në mënyrë të pakundërshtueshme Ngjitjen e saj në Qiell, sepse ajo që qëndron para tij dhe e shikon intensivisht është vetë Maria, me trup e me shpirt.

Virgjëra Mari që nga kohërat e lashta u përshkrua në mënyrat më të delikate e më sublime. Numri i shkrimeve, të lashta dhe moderne, nga lutja - te teologjia, nga letërsia - te proza e te vargjet, kushtuar asaj, është i pafund. E pamundur të zgjedhësh vetëm disa, sepse kur shfletojmë faqet e kohës, hasim vazhdimisht fjalë të mrekullueshme, gjithmonë të mbushura me dashuri. Maria, nga ana tjetër, është magjepsëse: historia e saj, femërsia e saj, amësia e saj e lumnueshme janë magnet që tërheq e ngushëllon, duke na hapur rrugën t'i afrohemi thjeshtësisht misterit; shkurt, na e bën më të lehtë të besojmë dhe ta ruajmë besimin tonë. Pseudo-Augustini e quan  "dritarja e qiellit, sepse nëpërmjet saj Zoti lëshoi dritë të vërtetë mbi shekujt. Maria u bë shkalla e qiellit, sepse nëpërmjet saj zbriti në tokë vetë Perëndia " (Diskurset 123,2).

Ngadhënjimi i devocionit për Virgjërën Mari

Mesjeta dhe Rilindja përfaqësojnë ngadhënjimin e devocionit të Marisë. Në art, veprat kushtuar Ngjitjes në Qiell u përhapën, duke u mbështetur në botën e hyjnive pagane dhe epifanive klasike, ndërsa skena e Fjetjes në Qiell iu dha një rol më pak i spikatur. Gjithçka orientohej drejt festimit të lavdisë së Marisë. Pas Kundër-Reformës, u vendos përfundimisht që në arte të realizohej figura e Zojës së ngjitur në qiell vetëm në ngjitje drejt qiellit, e rrethuar nga një turmë engjëllore

Kaluan shekuj e ndodhën ndryshime të thella e rrënjësore. Shekullarizimi u rrit paralelisht me ndryshimet shoqërore gjithnjë e më të shpejta. Megjithatë, përkushtimi ndaj Virgjëreshës nuk u zbeh; përkundrazi, u rrit, posaçërisht në fillim të shekullit të 20-të. Kulti i Virgjërës Mari iu përgjigj  nevojës së thellë të fesë së krishterë për një figurë femërore që lartonte aspektet themelore të butësisë, të ëmbëlsisë e të mbrojtjes, që vetëm një nënë mund t’i ofrojë.

Dogma e Ngjitjes në Qiell, përgjigje kërkesave të popullit

Edhe gjatë gjithë shekullit të 20-të, dogmat që lidheshin me Ngjitjen e Papërlyer, së pari në vitin 1854 me Papën Pio IX, dhe më vonë me Ngjitjen në Qiell, ishin përgjigja ndaj kërkesës urgjente të popullit. Dukjet e Virgjërës në Lourdes të Francës, në Fatima të Portugalisë e në Guadalupe të Meksikës dhanë një shtysë edhe më të madhe, në sfondin e luftërave civile, luftërave botërore dhe epokës së pasluftës. Në vitin 1940, u mblodhën më shumë se tetë milionë nënshkrime në Itali, Spanjë dhe Amerikën Latine, duke i kërkuar Papës një deklaratë zyrtare. Peticionet, lutjet, konferencat studimore dhe studimet teologjike kërkuan një zëri çka ishte  bërë siguri feje në zemrat e njerëzve: shpalljen e Ngjitjes së Zojës në Qiell.

Më 1 nëntor 1950, pas këshillimit zyrtar me episkopatin për enciklikën Deiparae Virginis (1 maj 1946), Papa Piu XII botoi kushtetutën apostolike Munificentissums Deus mbi glorifikimin e Marisë, në të cilën lexojmë përkufizimin solemn:

"Prandaj, pasi i lartuam rishtas lutje Zotit dhe pasi kërkuam dritën e Shpirtit të së Vërtetës, për lavdinë e Atit të Gjithëpushtetshëm, i cili derdhi mbi Virgjërën Mari mirësinë e tij të veçantë, për nder të Birit të Vet, Mbretit të pavdekshëm të shekujve dhe fitimtarit mbi mëkatin e mbi vdekjen, për lavdinë më të madhe të Nënës së tij të lumnueshme dhe për gëzimin e ngazëllimin e të gjithë Kishës, me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, të Apostujve të shenjtë Pjetër dhe Pal, e edhe tonën, e shpallim dhe e përcaktojmë atë si dogmë të zbuluar nga Hyji: Nëna e Papërlyer e Zotit, Maria gjithmonë virgjër, pasi përfundoi rrugën e jetës së saj tokësore, u lartua me trup e shpirt në lavdinë qiellore".

15 gusht 2025, 12:48