Shën Maria Virgjër Mbretëreshë: pse festojmë mbretërinë e Nënës së Zotit
R.SH. / Vatikan
E vendosur nga Papa Pio XII, i cili e themeloi këtë të kremte me letrën enciklike Ad caeli Reginam në vitin 1954, festa e Virgjërës Mari Mbretëreshë në kalendarin liturgjik fillimisht ishte parashikuar për 31 maj, në përfundim të muajit marian par excellence. Sot, ajo festohet më 22 gusht, shtatë ditë pas 15 gushtit dhe kjo vendosje duhet lexuar si një zgjatim i veçantë i kremtimit të festës së Ngritjes së Virgjrës Mari në Qiell, me të cilin soditet Ajo që, e ulur pranë Krishtit Mbret, shkëlqen si Mbretëreshë.
Data 22 gusht qe caktuar nga Papa Palit VI, i cili, me zbatimin e normave të përgjithshme për Vitin Liturgjik dhe Kalendarin e ri Romak, e ka vendosur, fatbardhësisht, mbretërinë e Marisë Virgjër në një distancë të shkurtër nga Ngritja e saj në Qiell, duke e bërë atë një pasojë logjike të dogmës së shpallur nga Papa Piu XII në vitin 1950.
Nga pikëpamja njerëzore është e vështirë t'i atribuohet Virgjërës një rol dominimi dhe mbretërie, asaj që e ka shpallur veten shërbëtore të Zotit. Sipas Veprave të Apostujve, Maria pas Ngritjes në Qiell gjendet në mesin e Njëmbëdhjetëve e mbledhur me ta në lutje; por nuk është ajo që jep urdhra, por Pjetri. E megjithatë pikërisht në atë rrethanë Maria përbën hallkën lidhëse që i mban të bashkuar me Krishtin e Ngjallurin ata burra që ende nuk janë përforcuar nga dhuratat e Shpirtit Shenjt Zot.
Maria është Mbretëreshë sepse është Nëna e Krishtit, Mbret, dhe shpërndan, në mënyrë mbretërore dhe amtare, atë që ka marrë nga Mbreti, pasi vetë Krishti ka vendosur që çdo hir të kalojë nëpër duart e saj si Mbretëreshë. Për këtë arsye Kisha i fton besimtarët ta thërrasin Zojën Mari jo vetëm me emrin e ëmbël të nënës, por edhe me atë të nderimit si mbretëreshë.
Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretëreshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhe e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!”.