Vatikani: tregtia e padrejtë, që ushqen varfërinë, duhet qeverisur nga rregulla të drejta
R.SH. / Vatikan
Ekziston një formë e shëndetshme tregtie, e themeluar "mbi parimin e drejtimit universal të mallrave", e cila e garanton zhvillimin e, për këtë arsye, edhe dinjitetin. Por për fat të keq, ekzistojnë edhe forma “të tregtisë së padrejtë" që i penalizojnë vendet strukturalisht më të dobëta, me rregulla "ndërkombëtare të padrejta". Ndaj "shpesh vuajnë nga mungesa e kapitalit, e edhe më shpesh rëndohen nga barra e borxhit të jashtëm". Kryeipeshkvi Imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, përqendrohet në dinamikën e një sektori jetësor dhe themelor në epokën e ekonomisë së globalizuar, në një deklaratë për Konferencën III Ndërkombëtare mbi Vendet në Zhvillim pa dalje në det, mbajtur në Awaza, Turkmenistan, më 6 gusht.
Me rregullat e solidaritetit
Vendet në zhvillim pa dalje në det janë pikërisht rajoni gjeografik më i prekur nga praktikat e padrejta tregtare, të cilat në këto zona arrijnë lehtësisht në "shfrytëzim të tepërt intensiv mjedisor", duke sjellë me vete "uri e varfëri". Për të shpjeguar këtë skenar, Kryeipeshkvi Imzot Caccia pohoi se "tregtia duhet të modelohet nga kërkesat e drejtësisë e të solidaritetit", e tregtia ndërkombëtare, "të orientohet në mënyrë të përshtatshme, sepse kështu nxit zhvillimin, mund të krijojë mundësi të reja punësimi dhe të ofrojë burime të shumta e të dobishme".
Varfëria, bijë e padrejtësive
Si në shumë rrethana të tjera, përfaqësuesi i Vatikanit i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të punojë për një vullnet politik konkret, veçanërisht në favor të vendeve që po diskutohen në konferencën e Turkmenistanit, të cilat shpesh janë të ngarkuara me forma "të përhapura dhe komplekse" të varfërisë, që u mohojnë "miliona njerëzve nevojat e tyre më themelore".
Këto vende, kujton Kryeipeshkvi Caccia, megjithëse të ndryshme në histori, kulturë dhe ekonomi, "përballen me të njëjtat sfida sistematike, duke përfshirë barrën e paqëndrueshme të borxhit, kostot e larta të transportit dhe cenueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe goditjeve të jashtme". Varfëria, vëren akoma prelati, "buron nga forma të ndryshme të privimit kulturor dhe mohimit të të drejtave kulturore", por "nuk është e pashmangshme për këtë arsye; është pasojë e strukturave dhe zgjedhjeve të padrejta politike, e për këtë arsye mund dhe duhet të kapërcehet".
Tregtia, në shërbim të së mirës së përbashkët
Njeriu - përfundoi Imzot Caccia – “duhet të jetë gjithnjë në qendër të të gjitha strategjive të zhvillimit", ndërsa tregtia dhe zhvillimi ekonomik "nuk janë qëllime në vetvete, por mjete për të nxitur zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të çdo njeriu dhe për përparimin e së mirës së përbashkët".