Selia e Shenjtë: nevojiten masa konkrete dhe urgjente për të ndihmuar popullin e Haitit
R. SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë garanton gatishmërinë e saj për të "vazhduar bashkëpunimin, brenda mundësive të saj, në favor të popullit të dashur të Haitit" dhe "ripohon afërsinë" duke rikonfirmuar "mbështetjen e saj të vazhdueshme për përpjekjet që synojnë promovimin e paqes dhe stabilitetit". Këto janë disa pohime nga deklarata e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), monsinjor Juan Antonio Cruz Serrano, i cili foli dje, më 20 gusht, në Uashington gjatë seancës së Këshillit të Përhershëm. Në të njëjtin takim, sekretari i përgjithshëm i OSA-s, Albert Ramdin, prezantoi dokumentin "Drejt një udhërrëfyesi për stabilitetin dhe paqen të udhëhequr nga Haiti me mbështetje rajonale dhe ndërkombëtare", një tekst që synon t'i përgjigjet me hapa të ndryshëm "krizës multidimensionale" me të cilën po përballet vendi i Karaibeve.
Apeli i Papës për Haitin
Përfaqësuesi i Vatikanit e përshkroi situatën në Haiti si "të thellë dhe dramatike", me "përmasa si socio-politike ashtu edhe humanitare, të karakterizuara veçanërisht nga pasiguria e vazhdueshme, varfëria endemike dhe dhuna e grupeve të armatosura". Prelati kujtoi mendimin e shprehur nga Papa më 10 gusht pas lutjes së Engjëllit të Zotit, kur theksoi se popullsia e Haitit është "gjithnjë e më e dëshpëruar". Leoni XIV pati kërkuar një "mbështetje konkrete nga komuniteti ndërkombëtar për të krijuar kushtet sociale dhe institucionale që do t'i lejonin haitianët të jetonin në paqe".
Përfshirja e të gjithë aktorëve ndërkombëtarë
Në këtë kontekst, monsinjor Serrano theksoi se "Selia e Shenjtë mirëpret përpjekjet e bëra nga sekretariati i përgjithshëm i OSA-s" për të "miratuar urgjentisht zgjidhje konkrete për të zgjidhur krizën e rëndë të sigurisë dhe institucionale" të Haitit, duke përfshirë edhe aktorët ndërkombëtarë përkatës. Selia e Shenjtë, shtoi vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA)monsinjor Juan Antonio Cruz Serrano, "siguron se do të ndjekë me vëmendje zbatimin e këtij dokumenti" dhe rikonfirmon gatishmërinë e saj për të ndihmuar popullsinë. Monsinjor Serrano theksoi gjithashtu në fjalën e tij deklaratën e 23 korrikut të konferencës episkopale të Haitit, në të cilën prelatët denoncuan situatën e dhunës në vend dhe - megjithëse vunë re disa shqetësime – i pritën "në mënyrë pozitive disa përparime të dukshme" në projektin e Kushtetutës të parashikuar për vitin 2025.