ÐÓMAPµ¼º½

Ruffini: në shërbim të të tjerëve, për të mbetur njerëzor

Mesazh nga Prefekti i Dikasterit për Komunikimin drejtuar kongresit trevjeçar të Bashkimit të Shtypit Katolik Afrikan (UCAP), që vijon punimet në Akra të Ganës, deri më 17 gusht. Ftesa, për ta lexuar e për ta treguar historinë "me mençurinë e zemrës e diturinë e dashurisë, pa ngatërruar mjetet dhe qëllimet, të vërtetën dhe gënjeshtrën, intuitën dhe llogaritjen".

R.SH. / Vatikan

Lexojeni dhe tregojeni historinë "me inteligjencën e zemrës e urtinë e dashurisë, pa ngatërruar mjetet me qëllimet, të vërtetën me gënjeshtrën, intuitën me llogaritjen": shkurt, "të mbetesh njerëzor" dhe "të bëhesh gjithnjë e më njerëzor". Kjo, ftesa që bën Paolo Ruffini, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të kongresit tre-vjeçar të Bashkimit të Shtypit Katolik Afrikan (UCAP), i cili do të mbahet në Akra të Ganës, deri më 17 gusht, për të reflektuar mbi temën: "Ekuilibri ndërmjet progresit teknologjik dhe ruajtjes së vlerave njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale".

E vërteta, e drejta, bukuria

Në një epokë, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe popujve janë transformuar "rrënjësisht" nga mediat sociale, lind pyetja "si mund t'i shërbejnë algoritmet dhe makinat që i përpunojnë ato, njerëzimit, njohuri, ndërgjegje dhe bukuri", vërejti Ruffini në tekstin e lexuar para mbi 150 delegatëve nga 30 vende nga Imzot Janvier Yameogo, zyrtar i Drejtorisë Baritore Teologjike të të njëjtit Dikaster të Vatikanit. Përgjigja, shtoi Ruffini, duke na ftuar të përqendrohemi në marrëdhënien "ndërmjet njerëzve dhe algoritmeve", qëndron në "parandalimin e algoritmeve dhe përpunuesve të tyre, nga krijimi i një sistemi dominimi, që shkatërron gjithçka, duke injoruar të vërtetën, të drejtën dhe të bukurën" e duke flijuar veçantinë dhe dinjitetin individual.

Nga ana tjetër - reflekton - jemi përpara udhëkryqit: nga njëra anë është "diktatura e makinës, e nxitur nga mendimi totalitar"; nga ana tjetër, "liria njerëzore, pa të cilën nuk ka të vërtetë". Prej këndej, thirrja për të forcuar kapacitetin e profesionistëve të medias, për t’i "edukuar audiencat e tyre të ndryshme" mbi nevojën “për t’i promovuar e ruajtur" vlerat njerëzore në një botë "të ndikuar shumë nga progresi teknologjik, veçanërisht inteligjenca artificiale".

Me njëri-tjerin

Komunikimi, para së gjithash, është "dhuratë e anasjelltë e vetes", e lindur nga marrëdhëniet që krijojmë "me njëri-tjetrin" - vuri në dukje Ruffini. Ndërsa bashkësia "është ajo që na bën anëtarë të njëri-tjetrit": është "sekreti" i komunikimit të Kishës, në frymën e Sinodit mbi Sinodalitetin. Sot, kur planeti po "zhytet" në spiralen e dhunës dhe të luftës, me vështirësi gjithnjë e në rritje në "ndërtimin e hapësirave për takim dhe dialog, për të mirën dhe paqen e përbashkët", asnjë Kishë apo komunitet i veçantë "nuk mund as ta përfytyrojë të jetojë në izolim": mirëqenia jonë "lidhet" me atë të të tjerëve.

Lidhjet spontane e "madje edhe joformale" që teknologjia na lejon të krijojmë, mund të shihen më pas si "pasuri dhe burim" për të promovuar një përvojë gjithnjë e më të shumëngjyrëshe të "një 'ne-je kishtare'" me vetëdije dhe aftësi dalluese, duke ruajtur "drejtime të përshtatshëm etike" të Inteligjencës Artificiale dhe kornizave rregullatore "të përqendruara" te njeriu, siç u theksua së fundmi nga Papa Leoni XIV.

Fjalimet në Konferencë

Në hapjen e takimit, të dielën e kaluar, komiteti organizues theksoi sesi pjesëmarrësit po bashkohen "nën flamurin e fesë, të bashkëpunimit profesional dhe një qëllimi të përbashkët", ndërsa  Shoqata e Gazetarëve të Ganës e quajti "themelor" angazhimin e punonjësve të medias për ta "ankoruar punën e tyre në vlerat e qëndrueshme të së vërtetës, drejtësisë, përgjegjësisë dhe të dhembshurisë".

13 gusht 2025, 15:35