Prifti shkon me biçikletë nga Hildesheim, në Romë, për të ndihmuar fëmijët e pashërueshëm
R.SH. - Vatikan
Një bëmë legjendare çiklizmi, që të kujton kohë të tjera, jo thjesht për sport, por për bamirësi. U realizua nga një prift nga Bremen, Atë Pawel Nowak, i cili udhëtoi me biçikletë nga qyteti i Hildesheim, në jug të Hanoverit, Gjermani - në Romë, duke pedaluar për tri ditë e tri netë pa gjumë. Qëllimi i kësaj iniciative ishte të mblidhte fonde për të mbështetur hospisin pediatrik Löwenherz në Syke, një qytet në Saksoninë e Poshtme. Kur mbërriti në Romë, 7,000 euro donacione qenë transferuar tashmë në llogarinë bankare krijuar posaçërisht, ndërsa fonde të tjera shtesë - pohon prifti gjerman - do të dhurohen direkt në paliativ nëpërmjet transferimit bankar.
"Engjëj Mbrojtës" me automobil
Biçikleta e priftit mbështetej nga shumë "engjëj mbrojtës" me katër rrota. Duke nisur nga disa anëtarë të bashkësisë së të tij në Bremen. "I dhamë vetëm ndihmën tonë, sepse kishte nevojë për të" - pohon Veronika Hellmann.
Gjatë rrugës, ata e shoqëruan Atin Nowak me makinë - siç bëhet me profesionistët në Giro d'Italia ose Tour de France - dhe i siguruan atij ushqim, pije dhe çdo gjë tjetër që i nevojitej në pikat e takimit. Për shembull, një ditë, një gomë rezervë. Jagoda Ignatowicz, së bashku me familjen e saj, ishte gjithashtu pjesë e grupit të shoqëruesve. Ata takuan Atin Nowak në liqenin Garda dhe e shoqëruan, duke e ndjekur nga afër me makinë, deri në Romë. "Ishte përvojë mbresëlënëse për mua", tha 17-vjeçarja. "Nuk e kisha menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte, pa gjumë dhe pa të gjitha të tjerat", përfundoi.
Takimi me Papën Leoni XIV
Të mërkurën, më 6 gusht, Ati Pawel Nowak i tregoi arritjen e tij Leonit XIV. "E takova Papën personalisht; pas audiencës së përgjithshme, pata mundësinë t'i shtrëngoja dorën dhe të shkëmbeja disa fjalë me të," tha Nowak me gëzim. Papa, entuziast i sporteve, u prek nga ngjarja që i tregoi prifti. Kur mësoi se kishte shtegtuar me biçikletë për tri ditë e tri netë pa gjumë, deri në Romë, donte të bënte një foto me të, tha Ati Nowak për mediat e Vatikanit pas takimit, gjatë të cilit ai gjithashtu i dhuroi Leonit XIV dhurata nga fëmijët e hospisit. Papa e falënderoi dhe i dha bekimin e tij priftit, famullisë së tij, fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre.
Gati për një sfidë të re me dy rrota
Me acidin laktik që ende po i grumbullohet në muskuj, prifti atlet tashmë planifikon sfidën e radhës sportive dhe bamirëse. "Do të jem në Romë deri të shtunën në mëngjes, por pastaj do të nisem për në Austri, ku kam ndërmend të marr pjesë në një garë, garë të vërtetë, të parën e jetës sime, me qëllim ambicioz: kampionatin botëror të ultraçiklizmit 'Gara rreth Austrisë'." Pjesëmarrësit, përfshirë shumë çiklistë profesionistë të njohur, do të duhet të përshkojnë 2,200 km dhe 30,000 metra rritje lartësie, duke i rënë pash më pash gjithë gjatësisë së Austrisë.
Prifti 39-vjeçar mezi pret ta vërë edhe një herë veten në provë. Në Austri, ai do të marrë pjesë në garë që të mbledhë fonde për Fondacionin e Kancerit, në ndihmë të fëmijëve të Bremen-it.