ÐÓMAPµ¼º½

Në Peru, Java Sociale 2025 me temën "Të ecim së bashku me shpresë për të Mirën e Përbashkët" Në Peru, Java Sociale 2025 me temën "Të ecim së bashku me shpresë për të Mirën e Përbashkët"

Papa: Ungjilli, përgjigje kundër padrejtësive

Mesazh i Leonit XIV për pjesëmarrësit në Javën Sociale Peruviane 2025, që zhvillohet aktualisht në Lima. Papa na fton të shohim shembullin e shumë shenjtorëve që jetuan në Peru: "Çdo veprim shoqëror i Kishës duhet të ketë si qendër dhe qëllim shpalljen e Ungjillit të Krishtit, në mënyrë që, pa lënë pas dore të menjëhershmen, të mbetemi gjithmonë të vetëdijshëm për drejtimin e duhur dhe përfundimtar të shërbimit tonë".

R.SH. / Vatikan

U flet për shembullin e shenjtorëve të mëdhenj të Perusë Papa Leoni XIV, atyre që marrin pjesë në Javën Sociale Peruviane 2025 në Lima, nga 14 deri më 16 gusht. Hapësirë kombëtare për takim, dialog dhe angazhim, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore vendase, për t’i dhënë përgjigje realitetit kompleks sociopolitik të vendit, edhe në funksion të zgjedhjeve të vitit 2026. Për përgjigjet, që do të ofrohen në një "kohë të ngarkuar me sfida të shumta ekonomike, politike dhe kulturore", Papa Prevost, në mesazhin e tij në spanjisht - të lexuar në Panairin e Përvojave Qytetare dhe Sinodalitetit - këshillon gjetjen në veprën e Shën Rozës së Limës, Shën Martinit de Porres, Shën Gjon Macías dhe Shën Turibius de Mogrovejo.

Dëshmia e Shenjtorëve

Të gjitha këto figura tregojnë se si tokat peruane, ato në të cilat vetë Papa Prevost jetoi si misionar, "shoqërohen gjithnjë nga një plan i veçantë i Provanisë, veçanërisht në lidhje me fenë tonë katolike, shpallur gjithnjë në harmoni me kujdesin dhe shërbimin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë". Gjatë shekujve në Peru u regjistrua “dendësi shenjtërie", ndërmjet dëshmive të jetës mistike, dashurisë për të varfrit dhe pranisë së fuqishme e të frytshme të Ungjillit. Sot, ne duhet të angazhohemi në këtë plan, për ta çuar përpara punën tonë kishtare dhe shoqërore.

Dhimbja e padrejtësisë dhe e përjashtimit, që e vuajnë kaq shumë vëllezër e motra tona, i shtyn të gjithë të pagëzuarit t’u përgjigjen si Kishë shenjave të kohërave, nga thellësitë e Ungjillit. Ndaj kemi nevojë urgjente për dëshminë e shenjtorëve të sotëm, domethënë njerëzve që mbeten të bashkuar me Zotin, si shermendët me hardhinë.

Forcat përtëritëse, duke u nisur nga Ungjilli

Papa citoi edhe fjalët "ndriçuese" të Shën Palit VI me rastin e kanonizimit të Shën Gjon Macías, në vitin 1975:

“Ai i bashkoi të gjithë në bamirësi, duke punuar për një humanizëm të plotë. Dhe e gjithë kjo, sepse i donte njerëzit, e sepse në ta shihte Zotin. Sa shumë do të donim t'ua kujtonim këtë gjithë atyre që punojnë ndërmjet të varfërve dhe të përjashtuar sot!".

Nuk duhet të distancohemi nga Ungjilli, as të shkelim ligjin e bamirësisë për të kërkuar drejtësi më të madhe përmes mjeteve të dhunshme. Ungjilli ka potencial të mjaftueshëm për të frymëzuar forca ripërtëritëse e, duke i transformuar njerëzit nga brenda, i shtyn të ndryshojnë strukturat në të gjitha mënyrat e nevojshme, për t'i bërë më të drejta, më njerëzore.

Ungjilli në "periferi"

Në veçanti, në mesazhin e tij, Papa Leoni kujtoi shërbesën ipeshkvnore të Shën Toribio de Mogrovejo, spanjoll me origjinë, por "dukshëm peruan për aktivitetin e tij misionar dhe punën e tij të gjerë baritore". Gjatë ipeshkvnisë së tij, Toribio themeloi njëqind famulli, mblodhi një Këshill Pan-Amerikan, dy këshilla provinciale dhe dymbëdhjetë sinode dioqezane. E gjithë kjo ndërsa "tërë ditën u jepte më të mirën e forcës së tij të braktisurve dhe atyre që banonin në ato rajone gjeografike ose kulturore, të cilët paraardhësi im, Papa Françesku, i quante 'periferi'".

Uria për "Bukën e Qiellit"

"Vëllezër e motra të dashur, nuk ka dy dashuri, por një, e njëjta", shkruan Leoni XIV në përfundim të mesazhit të tij për pjesëmarrësit e Javës Shoqërore të Limës. Një dashuri "e vetme dhe e njëjtë" që na shtyn të japim “si bukën e përditshme materiale, ashtu edhe Bukën e Fjalës, e cila, me vetë dinamizmin e saj, do të zgjojë uri për Bukën e Qiellit, që vetëm Kisha mund ta japë, me urdhër dhe vullnet të Krishtit, e asnjë institucion njerëzor, sado qëllimmirë të jetë, nuk mund ta zëvendësojë".

15 gusht 2025, 12:51