Tor Vergata si Emausi. Nga muzgu në agim, miqësia mund ta ndryshojë botën!
R.SH. - Vatikan
Andrea Monda
Mbi një milion të rinj dhe të reja e mbushën përplot zonën Tor Vergata, që të bashkoheshin me Papën Leoni XIV për të gjithë Natën pa gjumë të Rinisë Jubilare dhe të merrnin pjesë në Meshën e kremtuar nga Papa, të dielën në mëngjes. Të vjen në mendje pyetja e shpejtë dhe e drejtpërdrejtë, që i bën Jezusi Gjon Pagëzuesit dhe dishepujve të tij në Ungjillin e Mateut: "Çka dolët të shihni në shkretëtirë? Një kallam që e tund era? Çka dolët të shihni?" (Mt 11:7).
Të rinjtë reaguan në shumë mënyra! Për shembull, duke mbushur rrugët, sheshet, hapësirat publike dhe transportin publik të Qytetit të Amshuar, me energjinë e tyre festive, me gëzim e "zhurmë" (për të përdorur fjalët e Gjon Palit II dhe të Françeskut) që do të mbetet gjatë në kujtesën e romakëve. E ata reaguan atje, gjatë vigjiljes, duke bërë pyetje e, në një farë mënyre, duke ia kthyer pyetjen e Jezusit Vikarit të tij, e duke iu drejtuar me pyetjet e tyre - pyetje kuptimplote. Pyetën, e morën nga Papa përgjigje, përqafime, shoqërime, pa i lënë asnjë çast vetëm. E duke u kujtuar atë, që Benediktit XVI i pëlqente ta përsëriste: “Ata që besojnë, nuk janë kurrë vetëm. Feja është, para së gjithash, marrëdhënie”.
Kjo ishte një nga temat kryesore të dialogut gjatë vigjiljes, të shtunën në mbrëmje... Një bisedë në perëndim të diellit, pak a shumë si ajo në mbrëmjen e Emmausit, ndërsa dita tashmë po i afrohej fundit. Nga kjo perspektivë, "komentin" më prekës mbi këtë çast të jashtëzakonshëm në jetën e Kishës, në periferi të Romës, e gjejmë në vargjet e poemës "Emmaus" të David Maria Turoldo:
Ndërsa dielli fillon të perëndojë,
Ti, udhëtar, shkrimet shenjte shpjegon
Me bukën e thyer na jep freskim
e zemra e mendje e jetë na ndriçon!
Ndriçoi, pra zemra e mendje,
që të shohim fytyrën tënde të mirë,
e dashurinë tënde ta kuptojmë,
atë që na arrin e që na bën të lirë!
Tor Vergata - si Emmaus. Nga perëndimi i diellit, deri në agim; nga errësira që zbret, në një dritë të re plot shpresë. Papa Leoni e theksoi këtë edhe në homelinë e tij, në Meshën e së dielës në mëngjes, duke theksuar kalimin e dy dishepujve nga frika dhe zhgënjimi - në gëzim - nga takimi i papritur e i pashpresë - në takimin ballë për ballë. Ajo turmë e madhe të rinjsh shkoi në Tor Vergata për të parë një fytyrë. E kështu të prekej nga dashuria. Jo për të "bërë" diçka, por për të "qenë". Për të heshtur, jo për të folur. E, nëse ka ndonjë gjë, edhe për të kënduar. Për të heshtur dhe për të kënduar, së bashku. Jo vetëm. Për të qenë protagonistë në marrëdhënie, duke pranuar se gjithçka është marrëdhënie.
Papa Leoni e tha qartë, nësa u përgjigjej pyetjeve, që i bënë të rinjtë: "...të gjithë burrat dhe gratë në botë lindin fëmijë të dikujt. Jeta jonë fillon falë një lidhjeje, e përmes lidhjeve rritemi. [...] Duke kërkuar me pasion të vërtetën, jo vetëm që marrim kulturë, por edhe e shndërrojmë atë përmes zgjedhjeve të jetës. E vërteta është lidhje, që bashkon fjalët me gjërat, emrat me fytyrat. Gënjeshtrat, megjithatë, i ndajnë këto aspekte, duke krijuar konfuzion e keqkuptim. E vërteta, pra, është gjithashtu lidhje, marrëdhënie, e cila po përjeton një krizë të madhe sot, në këtë epokë të nihilizmit (nga nihil, domethënë nga ne-hilum: pa fije, pa lidhje). E vërteta nuk mund të ndahet kurrë nga dashuria, marrëdhënie par excellence. Kur dikush thotë se është "në lidhje", domethënë se e do dikë. Kur bëhet fjalë për dashurinë, nuk ka të bëjë me "të bërit" e diçkaje, por me "të qenit", të qenit me dikë. Nuk ka asgjë më të bukur, e të rinjtë e dinë këtë, më mirë sesa "të jesh me", me të dashurin tënd, me miqtë e tu.
Kur jeni bashkë, koha tretet, zhduket, zinxhiri i saj këputet, kronosi bëhet kairos, kohë e pasur me premtime e me kuptim, në gëzim të plotë, ndërsa kuptimi rifiton terrenin e humbur nga të bërit dhe detyrimi për të bërë tepri, që e pushtojnë jetën e përditshme. Përvoja e lirë për të qenë në gjirin e shoqërisë, është tashmë parashije e Parajsës.
Kjo është arsyeja pse Leoni, duke cituar Augustinin e tij të dashur, u përqendrua tek tema e miqësisë, përmasë që është në zemër të jetës së të rinjve. Ai u kujtoi se shenjti i madh afrikan "kaloi një rini të trazuar: por nuk u kënaq, nuk e bëri të heshtë britmën e zemrës. Kërkoi të vërtetën, që nuk mashtron; bukurinë, që nuk kalon. E si e gjeti? Si e gjeti miqësinë e sinqertë, dashurinë e aftë për të dhënë shpresë? Duke takuar atë, që tashmë e kërkonte: Jezu Krishtin. E si e ndërtoi të ardhmen e tij? Duke e ndjekur Atë, mikun e tij të jetës".
Papa përfundoi me këto fjalë plot gjallëri shprese: "Miqësia mund ta ndryshojë vërtet botën. Miqësia është rrugë drejt paqes".
Kjo është dashuria, që na arrin dhe na shtyn shumë më larg.