Në Kili, "Fetë dhe Kulturat në Dialog" për paqen, me kardinalin Koovakad
R.SH. / Vatikan
"Rrugët drejt Paqes. Fetë dhe Kulturat në Dialog". Kjo është tema e kongresit ndërkombëtar të 12 dhe 13 gushtit, që vijon në Temuko të Kilit, në Amerikën Latine. Në takimin e organizuar nga Universiteti Katolik vendas, është i pranishëm edhe Kardinali George Jacob Koovakad, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, i cili foli sot duke prekur problemet më të mprehta të temës së takimit. Programi përfshin një sërë temash: pluralizmi dhe liria fetare; kontributi i feve në zhvillimin njerëzor dhe paqen; perspektivat globale dhe lokale për dialogun ndërmjet feve dhe kulturave; fetë dhe kulturat në dialog, në rrugën drejt paqes etj. etj.
Në program, gjashtë tryeza të rrumbullakëta
Në Konferencën e Kilit me temë "Rrugët drejt Paqes. Fetë dhe Kulturat në Dialog" përfshihen edhe gjashtë tryeza të rrumbullakta, me argumente të ndryshme si organizimi publik i larmisë fetare; edukimi i brezave të rinj për paqen; feja, etika dhe politika si mundësi për takim e paqe; përshpirtëria dhe dialogu, si mjete për krijimin e frymës së pajtimit...Përveç Kardinalit Koovakad, në konferencë marrin pjesë edhe Dr. Vera Leal Ferreira e Qendrës Ndërkombëtare Kaiciid për Dialog; përfaqësues të Zyrës Kombëtare për Çështje Fetare; dhe profesorë e studiues universitarë nga e gjithë Amerika, së bashku me studentë dhe udhëheqës të Bashkësive të ndryshme fetare.