MAP

Papa Augustinianëve: 'Paqja fillon me atë që themi dhe bëjmë'

Leonit XIV i dorëzohet nderimi më i lartë i Provincës Agustiniane të Shën Tomës së Villanovës, në Filadelfia (SHBA). Fillimisht i paracaktuar për Kardinalin Prevost, sivëllezërit ia dorëzuan Papës, i cili dërgoi një mesazh video falënderimi të regjistruar në Castel Gandolfo. Filmimi u projektua gjatë ceremonisë së pasdites në Union League, ku morën pjesë afërsisht 700 të ftuar. Papa: "Të shkojmë përpara si veprimtarë të paqes".

R.SH. - Vatikan

"Jam mirënjohës për këtë nderim e, në veçanti, për mbështetjen, Meshët dhe lutjet e kremtuara këtë mbrëmje e më tej, ndërsa kërkoj të shërbej  përvujtërisht. Vazhdoni të luteni për mua, për qëllimet e të gjithë popullit të Zotit, në mbarë botën. Të jeni të sigurt për lutjet e mia, për të gjithë ju që u mblodhët këtu sonte".

Një duartrokitje e fortë, së bashku me brohoritje habie, jehuan në sallën e Lidhjes së Unionit, në Filadelfia, kur në ekran u duk një mesazh video, përmes të cilit Papa Leoni XIV falënderoi vëllezërit amerikanë, rregulltarët augustinianë të Provincës së Shën Tomës së Villanovës, në Filadelfia të Pensilvanisë, SHBA, për dhënien e Medaljes së Shën Augustinit

Çmim e simbol, është nderi më i lartë i Provincës amerikane të Etërve Augustinian, që i dorëzohet çdo vit një njeriu që - siç thuhet në citim - "mishëron frymën dhe mësimet e Shën Augustinit",  një "angazhim i thellë" ndaj Urdhrit Augustinian dhe vlerave të “së Vërtetës, Unitetit dhe Bamirësisë", dhe shprehin një "dëshirë të fortë" për të ndjekur gjurmët e shën Augustinit, Ipeshkvit të Iponës në jetën e tyre personale, profesionale dhe shpirtërore.

Çmimi për Kardinalin Prevost

Medalja fillimisht qe menduar t'i jepej Kardinalit Robert Francis Prevost, asokohe Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë, i planifikuar të ishte i pranishëm në ceremoninë e sotme, 28 gusht, ditë përkujtimore liturgjike e shenjtit të Thagastes. Në vend të kësaj rregulltarët Agustinianë të Pensilvanisë, të SHBAsë, vendosën t'ia japin vëllait të tyre më të shquar rregulltar augustian, Atë Prevost, i njohur në botë që nga 8 maji si Papa Leoni XIV. Edhe ai “ishte i pranishëm në ngjarje”, në Dhomat Grant dhe Meade të Lidhjes Union - shtëpia e Kishës së Shën Augustinit, një nga komunitetet më të vjetra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - përmes një filmi prekës që zgjati më pak se 13 minuta, i regjistruar gjatë qëndrimit të tij në Castel Gandolfo.

Videoja e Papës

Videoja u projektua rreth orës 8:00 të mbrëmjes (ora e SHBA-së) për të vulosur ceremoninë, paraprirë nga një Meshë dhe disa fjalime. Ceremonia, e zhvilluar pasdite, u ndoq nga 700 pjesëmarrës afërsisht. Ndërmjet tyre ishin bamirës dhe sponsorë të shumtë, që i dorëzuan dhuratat e tyre duke blerë bileta titulluar Nëna e Këshillit të Mirë, Shën Monika, Shën Rita, Shën Klara e Montefalcos dhe shenjtorë të tjerë augustinianë. Të ardhurat nga mbledhja e fondeve do të dhurohen në mbështetje të kujdesit për baballarët e moshuar dhe të sëmurë, thirrjet, formimin dhe shërbesat augustiniane.

Në videomesazh, Leoni XIV duket në sallën rezidencën verore të papëve në në Castel Gandolfo. "Ndërsa regjistroj këtë mesazh, jam larg vapës romake, ku po kaloj pak kohë në lutje, reflektim dhe relaksim", dëgjohet zëri i Papës në fillim të videos. Në të, dy bashkëvëllezër e nderojnë me medaljen e argjendtë e me portretin e Atit të madh të Kishës, pikë referimi për Papën në fuqi, i cili e citon atë disa herë gjatë gjithë mesazheve të tij.

"Falë hirit të Zotit, lutjeve të nënës së tij Monikës dhe bashkësisë së njerëzve të mirë që e rrethuan, Agustini arriti të gjente rrugën e paqes për zemrën e tij të trazuar", pohon Papa Leoni. Thekson edhe se jeta e shenjtit, si dhe "thirrja e tij për udhëheqje e ndihmë ndaj të tjerëve", janë shtytje për "shërbim plot dashuri ndaj Zotit e të afërmit tonë".

Dashuria për Zotin dhe të afërmin

Dashuria për Zotin dhe të tjerët është një nga shtyllat e Urdhrit Augustinian që nga kohërat e lashta. E Papa Leoni XIV citon fretër si Atë Matthew Carr dhe Atë John Rasseter, të cilët rreth vitit 1700 ua sollën Ungjillin emigrantëve irlandezë dhe gjermanë "që kërkonin jetë më të mirë dhe tolerancë fetare". "Edhe sot, thotë Papa, jemi të thirrur ta çojmë përpara këtë trashëgimi shërbimi, të dashur për të gjithë popullin e Zotit. Jezusi në Ungjill na kujton se duhet ta duam të afërmin tonë. E kjo na sfidon tani, më shumë se kurrë, t'i shohim të afërmit tanë me sytë e Krishtit, mbasi të gjithë u krijuam sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit".

Përmes miqësisë, marrëdhënieve, dialogut dhe respektit të anasjelltë,  mund t’i kapërcejmë dallimet tona dhe të zbulojmë identitetin tonë të vërtetë si motra e vëllezër në Krishtin.

Ftesa e Papës Prevsot, rregulltar sugustinian, drejtuar vëllezërve të tij rregulltarë dhe të tjerëve është, pra, të "ecim përpara për të qenë veprimtarë të  paqes në familjet dhe lagjet tona dhe ta njohim me të vërtetë praninë e Zotit në njëri-tjetrin". Duke pasur gjithnjë parasysh se "paqja fillon me atë që themi e që bëjmë, e edhe me mënyrën si e themi dhe si e bëjmë", duke kujtuar gjithmonë porosinë e Shën Augustini: "para se të flasim, së pari duhet të dëgjojmë".

Si Kishë sinodale, inkurajohemi për angazhimin në artin e të dëgjuarit përmes lutjes, heshtjes, dallimit, reflektimit. Kemi mundësinë e edhe përgjegjësinë të dëgjojmë Shpirtin Shenjt, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë zërat e të varfërve dhe të braktisurve!

T’i filtrojmë zhurmat dhe zërat përçarës

"Mos e vini zemrën tuaj në veshët tuaj, por veshët tuaj, në zemrën tuaj", vijon të na e kujtojë Ipeshkvi i Iponës, Shën Augustini. E ky mësim bëhet edhe më i vështirë për t’u vënë në praktikë sot, në një botë “plot zhurmë” ku mendjet dhe zemrat janë “plot e për maje me mesazhe të çdo lloji” që “mund të nxisin shqetësimin tonë dhe të na e grabisin gëzimin”.

Të përpiqemi ta filtrojmë zhurmën, zërat përçarëse në kokat dhe zemrat tona, t’u gjegjemi ftesave të përditshme për ta njohur më mirë Zotin dhe dashurinë e Tij. Kur e dëgjojmë atë zë të dashur dhe qetësues të Zotit, mund ta ndajmë me botën, ndërsa përpiqemi të bëhemi një në Të.

Prej këndej, ftesa për t’iu kushtuar ndërtimit të një bashkësie, ku dashuria “është e dukshme”, në mënyrë që të “nxisim paqen, të jetojmë me shpresë dhe të reflektojmë dritën e dashurinë e Zotit në botë”.

Mesha dhe ceremonia

Para videos së Papës Leoni, u kremtua një Meshë me të gjithë të ftuarit, në Kishën e Shën Augustinit. Ndërmjet atyre që folën, ishin Imzot Daniel Turley, Ipeshkëv Nderi i Dioqezës së Chulucanas, Peru, destinacioni i parë i misionit të Rektorit të atëhershëm të ri, dhe Ati Robert P. Hagan, Epror i Provincës së Shën Tomës së Villanovës, që shpjegoi kuptimin e Medaljes, tani në duart e Papës, Bari i Kishës universale dhe "Bir" i Shën Augustinit!.

29 gusht 2025, 09:42