Kard. Filoni: u hapshin varret, ku njerëzimi ka varrosur ndërgjegjen
R.SH. / Vatikan
"Kjo ditë në mes të gushtit u shenjtërua në Kishë nga tradita e lashtë historiko-liturgjike, për nderimin e Pashkëve të Marisë, Nënës së Zotit; është festë e njohur, Kalim i Virgjërës, Fjetja e Marisë Virgjër, ose zakonisht “Ngjitja në Qiell". Kështu e nisi Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë të Jerusalemit, Kardinali Fernando Filoni, predikimin e tij të mbajtur më 15 gusht në Abacinë Benediktine të Përgjumjes, në Jeruzalem.
I arritur në Tokën Shenjte me ftesë të abatit, Atë Nikodemus Schnabel, O.S.B., për të festuar këtë solemnitet, Kardinali Filoni solli me vete, në një kohë kaq të ndërlikuar e tragjike për këtë tokë, qëllimet e paqes të 30,000 Kalorësve dhe Damave të Urdhërit të Varrit Shenjt dhe një lutje për fillimin e shërbesës papnore të Leonit XIV, të cilit kardinali i shkroi para se të nisej, e për qëllimet e të cilit kohët e fundit kremtoi një Meshë në Edikolën e Varrit Shenjt.
Pse na prek Ngjitja në Qiell?
Në vitin 1950, Papa Piu XII shpalli dogmën e Ngjitjes në Qiell të Marisë, sipas së cilës në largimin e saj të lavdishëm nga kjo tokë, trupi i Marisë "nuk pësoi prishje" e Nëna e Krishtit u ngjit në qiell me trup e shpirt. "Kështu mund të besojmë", deklaroi Mjeshtri i Madh i Urdhrit, "se Pashkët e Marisë vijnë pas Pashkëve të Zotit Jezus". E më pas u bëri një pyetje të qartë të pranishmëve, në një Jerusalem të zbrazët nga shtegtarët: "Çfarë i dhuron Ngjitja e Marisë në qiell shtegtimit tonë, jetës sonë? Në çfarë kuptimi na shqetëson? A është thjesht 'doktrinë', apo do të thotë diçka tjetër?" "Për t'iu përgjigjur," vazhdoi ai, "dëshiroj të kujtoj Benediktin XVI i cili, në një predikim për solemnitetin, foli për një përmasë të trefishtë të Ngjitjes në Qiell: nëpërmjet Marisë shohim se në Zotin ka vend edhe për njerëzimin; Zoti nuk është i mbyllur në vetvete, nuk është indiferent ndaj njerëzimit; e Maria, si Arka e Shenjtë, i sjell praninë e Zotit njerëzimit; domethënë, se në njerëzim mund të ketë vend për Zotin".
Schnabel: trupat dhe shpirtrat kanë një të ardhme të pathyeshme me Zotin
Abati Nikodemus Schnabel, Kalorës Kishtar i Urdhrit të Varrit të Shenjtë, aktualisht priti jo vetëm Kardinalin Filoni, por edhe një grup të vogël të rinjsh që po jetojnë periudhën e njohjes së jetës murgare. Këto prani të vogla, por domethënëse, në një tokë të dërmuar, që pret kthimin e shtegtarëve, veçanërisht për të krishterët vendas që shërbejnë ndër shtegtime, përfaqësojnë një mbështetje shumë të nevojshme në fenë e në jetën e tyre praktike dhe ekonomike. "Në oqeanin aktual të vuajtjeve" - theksoi Abati i Përgjumjes, "festa e Pajtores sonë mbrojtëse është si Pashkë verore, që jep shpresë: në një kohë kur njerëzit mundohen në trup dhe shpirt, ne festojmë faktin se trupat dhe shpirtrat tanë kanë një të ardhme të pathyeshme me Zotin. Ajo që Zoti bëri për Marinë është premtim shprese për ne të gjithë ".
Kardinali Filoni: u hapshin varret, ku njerëzimi ka varrosur ndërgjegjen
Kardinali Filoni, i cili kohët e fundit vizitoi Patriarkun Latin të Jerusalemit dhe Priorin e Madh të Urdhrit të Varrit të Shenjtë, Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, e që do të bëjë edhe një shtegtim të shkurtër privat për t'u lutur në vendet e shenjta të Betlehemit, Nazaretit dhe në Detin e Galilesë, përfundoi:
Ne po jetojmë në Tokën Shenjte në ditë shumë të trishtueshme për shkak të urrejtjes dhe pakënaqësisë, e cila verbon mendjet dhe zemrat e atyre që mbështeten tek ata, për veprimet e tyre politike, shoqërore dhe fetare. Për shkak të kësaj urrejtjeje dhe pakënaqësie njerëzit vriten, shkatërrohen dhe shfarosen me akte dhune të pashembullt”. […]
“Maria, bija e zgjedhur e kësaj Toke Shenjte, haptë zemrat dhe mendjet e atyre që janë përgjegjës për popujt e ndërmjetësoftë tek Biri i saj - i cili, si në Kanë të Galilesë, nuk do ta mohojë ndërhyrjen e tij për nevojat e një bote që ka nevojë - në mënyrë që gurët të cilët vulosin varret ku duket se njerëzimi ka varrosur ndërgjegjen e tij, të rrokullisën si në ditën e Pashkëve të Krishtit, prelud i asaj të Marisë".