ÐÓMAPµ¼º½

Kardinali Pietro Parolin mes besimtarëve, gjatë vizitës së tij në Burundi Kardinali Pietro Parolin mes besimtarëve, gjatë vizitës së tij në Burundi

Kard. Parolin në Burundi: në shërbim të së mirës së përbashkët, që të gjithë të jetojnë me dinjitet

Gjatë vizitës në vendin afrikan, Sekretar i Shtetit të Vatikanit kremtoi Meshën në solemnitetin e Ngritjes së Marisë në Qiell në Shenjtëroren Mariane të Mugerës. Më 14 gusht pati përuruar një monument në vendin e vrasjes së Nuncit Apostolik Monsinjor Courtney, në dhjetor 2003. Qe një person afër të gjithëve, theksoi kardinali, për të komunikuar vizionin e një paqeje të mundshme.

R. SH. / Vatikan

Në Burundi, kremtimi i solemnitetit të Ngritjes së Virgjëreshës së Bekuar Mari në Qiell përkoi me ngritjen në Bazilikë të Vogël të Kishës së Shën Antonit të Padovës, në territorin e së cilës ndodhet Shenjtërorja Kombëtare Mariane e Mugerës, që i përket Kryedioqezës së Gitegës. Në kremtim, kryesuar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, morën pjesë peshkopët e vendit, nunci apostolik në Burundi dhe bashkëpunëtori i tij diplomatik, qindra priftërinj, rregulltarë dhe rregulltare dhe mijëra besimtarë. Qeveria e Burundit përfaqësohej nga presidenti i Republikës Évariste Ndayishimiye.

Mesha në Shenjtëroren Kombëtare Mariane të Mugerës

Shenjtorja Mariane e Mugerës, është vend ku njerëzit lusin Zojën Mari ‘Notre Dame de Lourdes’, e cila përkujton kushtimin e Burundit Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes, më 15 gusht 1961, dhe është vendi ku Zoti ka dhënë shumë hirë nëpërmjet ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, vend ku çdo vit mijëra besimtarë shkojnë në shtegtim për t’u lutur për dhuratën e paqes për Burundin dhe për botën. Shtegtimi vjetor i pandërprerë thekson se nderimi i Zojës Mari është shprehje e besimit në rritje të Kishës së Burundit, shprehje e dëshirës së saj për t'u strehuar nën mbrojtjen e Nënës së Qiellit dhe për t'u udhëhequr përmes saj nga Biri i saj Jezu Krishti.

Ajo që të bie më shumë në sy në shenjtëroren e Mugerës është se si një Shpellë e vogël me gurë afrikanë, e cila dëshiron të imitojë shpellën e Lourdes, në Francë, mund të tërheqë një turmë të madhe shtegtarësh që vijnë në Mugera për të gjetur shpresë dhe për t'u lutur Nënës së tyre Qiellore që të lulëzojë mbi tokë paqja në zemra dhe të ndriçojë mendjet e Qeveritarëve për të zgjedhur rrugët e paqes për botën. Të gjithë besimtarët e këtij vendi të dashur, i cili ka njohur kaq shumë prova dhe që nuk ka hequr dorë kurrë nga të jetuarit me shpresë, shfaqin në këtë vend fenë e besimin e tyre që njerëzit me vullnet të mirë të vazhdojnë me guxim dhe vetëmohimi përpjekjet e tyre për të arritur paqen aq të dëshiruar.

Për këtë arsye, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, në homelinë e tij, bëri me forcë një thirrje të re për të kapërcyer interesat personale në mënyrë që, me vullnet të ripërtërirë, në botë të vihet në shërbim të së mirës së përbashkët, që në vendet e luftës, ku kaq shumë njerëz prej kaq shumë kohësh durojnë prova dhe privime, të mund të aspirojnë sërish të jetojnë me dinjitet dhe në siguri.

16 gusht 2025, 11:13